Mark Marku: Koha e mediave të reja; të rëndësishme sa Gutenbergu

0
61

Si do ta karakterizonit gjendjen e lirisë së shprehjes, dhe në mënyrë të veçantë të lirisë së medias sot në Shqipëri?download

Është tashmë fakt i padiskutueshëm se Shqipëria i përmbush standardet e një vendi normal demokratik për sa i përket lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias. Dhe kur themi këtë, nuk kemi parasysh vetëm faktin se këto liri dhe të drejta janë të garantuara në letër si të drejta themelore por, edhe realizimin konkret në praktikën e veprimtarisë së mediave. Praktikisht asnjë gazetar apo media nuk ndihet e kërcënuar apo e kufizuar në veprimtarinë e vet mediatike dhe ka një vetëdijësim të aktorëve mediatikë, politikë e institucionalë për domosdoshmërinë e lirisë së mediave

Por duke thënë këtë, nuk do të thotë se kemi një situatë ideale të lirive mediatike, pasi me liri të mediave nuk kuptojmë vetëm liritë politike. Mediat favorizohen apo kufizohen në lirinë e tyre edhe nga faktorë të tjerë të rëndësishëm si niveli i zhvillimit ekonomik, teknologjik, kulturor, arsimor, nga tradita etj. Shumë prej këtyre faktorëve veç e veç ose së bashku janë pengesë për ushtrimin e lirive mediatike edhe pse sistemi politik shqiptar i ka garantuar de facto ato.

Sipas mendimit tuaj, cila është arritja më e rëndësishme e mediave shqiptare dhe cili është dështimi më i madh i tyre në më shumë se dy dekada te tranzicionit postkomunist?

Mendoj se arritja më e madhe e mediave shqiptare ka të bëjë me faktin se këto media e kanë fituar autoritetin për të qenë pushtet kontrollues i pushtetit politik. Gjithashtu mendoj se investimet teknologjike të bëra në fushën e mediave janë një arritje e madhe. Por dështimi më i madh mendoj se lidhet edhe me arritjet më të mëdha që përmendëm më sipër. Marrëdhënia e mediave me pushtetin politik është shpeshherë e kompromentuar dhe marrëdhënia mes atyre që kanë mundësuar investimet e rëndësishme teknologjike dhe financiare në fushën e mediave dhe gazetarëve është shpeshherë depersonalizuese për gazetarët.

Ka një diskutim sipas të cilit çështjet e lirisë së medias në Shqipëri shtrohen në mënyrë të vjetruar, ato nuk janë më ato të parat, nuk lidhen me sulmet apo gjyqet ndaj gazetarëve, por me ekonominë, me marrëdhëniet e punës, me zhvillimin e tregut të medias, sidomos me klientelizmin… Pikëpamja juaj?

Është e vërtetë që çështja e lirisë së medias nuk ka të bëjë përherë me moscenimin fizik të gazetarëve apo me presionin që u bëhet atyre nëpërmjet sistemit të drejtësisë. Më saktë mund të thuhet se të drejta të tilla janë bazike, por jo të mjaftueshme. Një gazetari mund t’i kufizohet liria jo vetëm nëpërmjet dhunës apo gjykatës, por edhe me forma të tjera më të sofistikuara si p.sh. nëpërmjet humbjes së vendit të punës, nëpërmjet kufizimit të mundësisë për marrjen e informacionit, nëpërmjet punës së zezë, e kështu me radhë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për bizneset mediatike. Një biznes mediatik mund të kufizohet nëpërmjet ndëshkimeve financiare ose nëpërmjet favorizimeve financiare të pushtetit politik. Nëpërmjet ndëshkimeve i kufizohet mundësia për të qenë konkurrent në tregun e mediave, ndërkohë që nëpërmjet favorizimeve i kufizohet mundësia për të qenë konkurrent në tregun e ideve dhe të informacionit.

Sot në botë flitet gjithnjë e më shumë për një krizë të medias, sikurse flitet edhe për një revolucion të medias. Jemi më shumë pjesë e krizës, apo e revolucionit? Sipas mendimit tuaj, cili është ndikimi i mediave të reja, i internetit, i Facebook, i Tëitter në zhvillimin e medias sonë?

Sistemi i mediave botërore ka hyrë në një fazë ndryshimesh strukturore të mëdha të shkaktuara, sipas mendimit tim, për tri arsye: e para për shkak të ndryshimeve teknologjike, e dyta për shkak të krizës së përgjithshme të sistemit ekonomik botëror dhe e treta për shkak të shtrirjes së sistemit demokratik edhe në ato pjesë të globit ku sundonin regjime diktatoriale dhe këtu e kam fjalën për ndryshimet e nisura me rënien e Murit të Berlinit dhe që u pasuan me ndryshime të rëndësishme në Amerikën Latine, Azi, Afrikë e së fundmi edhe në botën arabe.

Për sa u përket mediave të reja, mund të thuhet se në këtë ndryshim ato kanë peshën kryesore. Ndryshimi që ato kanë sjellë mendoj se është po aq revolucionarizues sa edhe vetë shpikja e Gutenbergut. Mendoj se edhe sistemi mediatik shqiptar po ndikohet dukshëm prej tyre. Megjithatë mendoj se ende në mediat shqiptare nuk po kuptohet se çfarë realisht ka ndodhur me futjen e internetit dhe të teknologjive të reja të komunikimit. Përveç frikës dhe panikut instiktiv për ndryshimin e ndodhur ende nuk kemi një reflektim të asaj çfarë ka ndodhur.

Personalisht mendoj se teknologjitë e reja e kanë ndryshuar thellësisht profesionin e gazetarit, natyrën e informacionit, komunikimit dhe të mediave, publikun, mënyrën e jetesës, komunikimin politik. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë ndryshim dhe sa më shpejt t’i përshtatemi këtij ndryshimi aq më të mirëpozicionuar do të gjendemi në këtë botë që ndryshon në mënyrë marramendëse.

Disa vende të rajonit kanë bërë përpjekje për të hartuar Strategji të Zhvillimit të Medias. Në Shqipëri ky debat ka munguar. A mendoni se ka ardhur koha të hartohet një strategji e zhvillimit të këtij sektori?

Edhe ne e kemi miratuar pak muaj më parë strategjinë e dixhitalizimit, që mbulon një pjesë të mirë të sistemit të mediave. Strategjia është e standardeve bashkëkohore, por e rëndësishme është që tashmë të njihet dhe të zbatohet.

Si e gjykoni kredibilitetin e medias sonë sot? Nëse për një moment do të vendoseni në rolin e qytetarit, jo të gazetarit, si do të shpreheshit për ato që lexoni në gazeta dhe shikoni ne ekrane, sa e besueshme është media jonë?

Zakonisht thuhet se mediat janë pasqyrë e shoqërisë së cilës i përkasin. Në këtë kuptim mediat shqiptare reflektojnë të gjitha arritjet dhe problematikën e shoqërisë shqiptare. Nisur nga ajo që lexojmë në media dhe ekrane mund të them së pari, se ne informohemi nëpërmjet mediave shqiptare dhe së dyti, se cilësia e këtij informacioni nuk i përmbush pritshmëritë tona për sa i përket besueshmërisë.

Po afron fushata elektorale e zgjedhjeve të ardhshme. Tashmë e dimë se fushatat tona elektorale janë gjithnjë e më shumë mediatike. Çfarë prisni nga media në fushatën që po afron?

Fushatat elektorale janë testi i vërtetë për efikasitetin e mediave por edhe një test i pavarësisë së tyre karshi sistemit politik. Shpresoj që këtë radhë nga ky test të rezultojë se mediat janë bërë më autonome karshi sistemit politik

Vizito faqen e burimit: http://www.mapo.al/2012/12/27/mark-marku-koha-e-mediave-te-reja-te-rendesishme-sa-gutenbergu/