Nga: XHEVAHIR NGJEQARI, 03 Dhjetor 2010
Nivelet e vazhdueshme të ujërave përmbytëse në Ultësirën e Shkodrës dhe Lezhës, nga datat 27 dhjetor 2009 – 12-17 janar 2010, përmbytjet pjesore në muajin shkurt dhe ripërmbytjet…
në muajin dhjetor 2010 në të dyja anët e shtratit të Bunës, vërtetuan se marrëdhëniet hidroteknike midis gjirit të Drinit (niveleve detare), shkarkuesit të Bunës e Vilunit – kuotave të ultësirës së Shkodrës dhe prurjeve të liqenit të Shkodrës, Drinit e Kirit, nuk funksionojnë. E për rrjedhojë, ultësira e Shkodrës gjendet e penalizuar nga përmbytjet periodike dhe do të
përmbytet sa herë të rriten nivelet detare, prurjet e Moraçës (liqeni i Shkodrës), shkarkesat e Drinit apo plotat e Kirit. Në mediat e shkruara dhe vizive, specialistët shpjegojnë me hollësi mbi kaskadën e Drinit dhe bonifikimin e ultësirës së Shkodrës, ndërsa tregohen shumë të kufizuar në aksionet përmbytëse të liqenit të Shkodrës, aftësinë thithëse të ujërave nga pasqyra detare e gjirit të Drinit, etj. Nga përmbytjet kërkohen katër përgjigje kryesore: E para, ku u gjendën prurjet e ujërave përmbytëse?
E dyta, përse nuk shkarkojnë vëllimet e ujërave në pasqyrën detare? E treta, a do të përmbyten përsëri banorët e ultësirës së Shkodrës? E katërta, kush është fajtori, ose më mirë, cilët janë bashkëfajtorët? Pyetja e fundit përbën dhe konstanten e sherrit, me qëllim që qeveria aktuale të vetëfirmosë hipotekën e përmbytjes. Pa mohuar zullumet e qeverisë apo qeverive, duhet të shtojmë se hidrografi i përmbytjeve të ultësirës së Shkodrës ka disa lidhje organike.
Një nga këto është marrëdhënia me pasqyrën detare të Drinit, mbi të cilin veprojnë një kompleks faktorësh hidrologjikë, klimatologjikë, meteorologjikë, veprojnë vektorët e erërave dhe korrenteve detare, me të gjithë ekstremitetet e potencialeve të Adriatikut dhe Mesdheut. Duke krijuar disnivele detare, që në rastin e interferencave me prurjet e Bunës shkaktojnë përmbytjet në ultësirën e Shkodrës. Kjo vërtetohet dhe nga vektorët dhe diagramat e korrenteve dhe erërave detare, që kanë përpunuar altimetrinë dhe relievin bregdetar të gjirit të Drinit, me veçoritë e rralla të morfologjisë mjedisore.
Gjiri i Drinit dhe korrentet detare
Gjiri i Drinit nënkupton bregdetin nga delta e Bunës-Shëngjin-Kune Vaini-Tale-delta e Matit-bregdeti i Patogut-delta e Ishmit-bregdeti verior i kepit të Rodonit. Në të gjithë njësitë matëse, Gjiri i Drinit përbën pa asnjë krahasim një nga gjiret më të mëdhenj të Adriatikut, gjirin me relievin më të bukur, më mjedisor turistik, më cilësor dhe gjirin më të thellë në natyrën e tij në gjithë Mesdheun, gjirin me hidrologjinë dhe me gjeometrinë e korrenteve detare më të pasur të gjithë Adriatikut dhe Jonit lindor.
Në gjirin e Drinit derdhen lumenjtë e Bunës, Kirit, Drinit, Matit dhe Ishmit. Baseni ujëmbledhës i Shqipërisë llogaritet 43 305 km², nga të cilat 22696 km² ose 52,4 % derdhen në gjirin e Drinit. Ndërsa si prurje mesatare vjetore, lumenjtë transportojnë në det rreth 1308 m3/sek, nga e cila 802.9 m3/sek ose 61,3 % derdhet në gjirin e Drinit. Një kuriozitet tjetër është se bregdeti i stërzgjatur slloven, kroat, malazez, ka një gjatësi bregdetare 6160 km dhe një basen të kufizuar ujëmbledhës 46 544 km², i cili pothuaj është i barabartë me basenin ujëmbledhës shqiptar 43 305 km², që derdhet në një gjatësi bregdetare adriatike (Bunë–Vlorë) rreth 270 km.
Duke krahasuar shifrat, rezulton se në gjirin e Drinit shkarkohet rreth 25 % e gjithë basenit ujëmbledhës Vlorë–Bunë–Trieste. Në gjirin e Drinit derdhen edhe dy shkarkues natyralë të prurjeve të liqenit të Shkodrës dhe liqenit të Ohrit. Sepse shtrati i lumit Buna dhe Drini i Zi shërbejnë në gjuhën e hidroteknikës si shkarkues katastrofikë ose shkarkues natyralë të ujërave të tepërta të dy liqeneve. Por në gjirin e Drinit veprojnë të gjitha korrentet detare që fryjnë në Adriatik dhe Mesdhe.
Korrentet violente veri-lindore e lindore fryjnë në Adriatikun Lindor vetëm në 11 nyje bregdetare. Dhe një nga këta vektorë ka drejtimin në gjirin e Drinit. Në gjirin e Drinit veprojnë dhe korrentet e Shirokës, Libeçios, pjesërisht Grekalit, korrentet jugperëndimore, korrentet e hapësirës detare perëndimore, flladet, etj.
Si rezultat i fenomenit të rrotullimit në pozicionin e hemisferës veriore, tangjentja e korrenteve të ngushticës së Messinës ndëshkon faqen perëndimore të Karaburunit, ishullit të Sazanit, majën e kepit të Rodonit dhe godet direkt në deltën e Bunës, bregun e Velipojës dhe deltën e Vilunit. Sipas matjeve tona në datat 12 dhe 17 janar, nivelet e larta të pasqyrës detare kanë zgjatur të paktën 9 ditë nga ciklet 12, 24, 48, 72-orëshe që zakonisht zgjasin trazimet detare.
Një rritje e nivelit të ujit në deltën e Vilunit 50 cm shtyn ujërat deri në 3 km thellësi të Vilunit dhe të Bunës. Duke qenë se masa detare është më e madhe se rrjedhja e Bunës, atëherë bllokohen dhe vonohen kullimet e ujërave të ultësirës së Shkodrës. Ky fenomen shpjegohet me përplasjen e dy prurjeve: të detit dhe ujit të Bunës. Nga sa kuptohet, ngritjet e niveleve detare në deltën e Bunës dhe Vilunit ulin aftësinë e shkarkimit të ujërave. Kjo nënkupton se hapësira detare e gjirit të Drinit dhe deltës së Bunës nuk është e përpunuar nga ana hidroteknike që të tërheqë sipas dëshirës së shqiptarëve, prurjet e ujërave të Bunës, Drinit, Matit, etj.
Nga ana jonë janë kryer shumë matje në periudhën e verës mbi nivelet detare në gjirin e Drinit. Dhe dilet në përfundimin se bonifikimi i ultësirës së Shkodrës nuk mund të arrihet pa bashkëllogaritur dhe hidrologjinë detare të gjirit të Drinit, duke njohur gjeografinë, gjeometrinë, batimetrinë dhe gjithë fenomenet meteorologjike në bregdetin e Adriatikut shqiptar. Mbi këto llogaritje mund të ofrohen zgjidhje bashkëkohore për shkarkimet në deltën e Bunës dhe Vilunit. Zgjidhjet që janë ofruar deri tani se do të rregullohet delta e Bunës me skoliera ose me ndarje të deltës dhe do të mbrohet bregu me argjinatura, janë të pjesshme.
Konxhestioni i Bunës ose Suezi i hidrologjisë dhe përmbytjet
Fjala konxhestion është me prejardhje nga mjekësia dhe nënkupton bllokimin në një nyje të caktuar të një arterieje në trupin e njeriut. Vena fryhet në të dyja anët, qarkullon ngadalë dhe ose pastrohet, ose çahet. Ky term, për herë të parë është përdorur në infrastrukturë, kur në kufirin polako–gjerman, vargu i makinave arriti deri në 50 km nga vonesat kufitare. Por edhe trungu i lumit Buna nuk është gjë tjetër veçse një “bypass” i hapur natyral, ndryshe Suezi i hidrologjisë shqiptare ose Suezi i hidrologjisë së Adriatikut Lindor (i cili për 15 ditë resht bllokoi shkarkimet e ujërave të Drinit, Kirit dhe liqenit të Shkodrës.
Në nivelet më kritike të përmbytjeve në datat 12 dhe 17 janar, shkurt dhe nëntor – dhjetor 2010, arritëm të kalojmë në brendësi të Velipojës, deltës së Bunës në zonën e Pulas dhe nga pamja e jashtme, pasqyra ujore pothuaj nuk lëvizte. E njëjta pamje ishte dhe në zonën e Vilunit, sipër urës së drurit. Në zonën e Pulas, zona ishte e braktisur. Në përmbytjet e muajit janar 2010, trazirat detare zgjatën rreth 9 ditë.
Nivelet detare ishin të larta. Uji i Bunës nuk lëvizte. Me të drejtë, shtrohen pyetjet: Çfarë përfaqëson lumi Buna në konceptin hidrologjik, cilat janë funksionet dhe aftësitë hidroteknike, cilat janë marrëdhëniet me bregdetin dhe çfarë kërkojnë shqiptarët nga Buna?
Shtrati i lumit Buna, në vijë ajrore, ruan një gjurmë me gjatësi 25,4 km, ndërsa gjatësia e shtratit nga dalja e liqenit të Shkodrës në det arrin 41 km. Shtrati i lumit Buna është thellësisht aluvional ose lymor dhe zotëron pjerrësinë natyrale mes 02 % ose 20 cm për 1 km dhe më pak. Pjerrësisë së vogël të lumit i shtohen dhe gjarpërimet ose meandrimet, fushat e Bërdicës, Daragjatit, Oblikës, Obotit, Samrishtës, Dajçit, Pentarit, etj. Lumi Buna shërben si shkarkues natyral i liqenit të Shkodrës.
Por, liqeni i Shkodrës përpunon ujërat e lumit Moraça, Cemit, të Malit të Zi dhe ujërat e basenit të Vrakës, Rjollit, me një sipërfaqe ujëmbledhëse që arrinte 5187 km2 dhe Kirit. Si rrjedhojë e plotave në vitin 1846 – 1858, lumi Drin ndërron drejtimin dhe shkarkohet në shtratin e lumit Buna rreth 1,4 km më poshtë se dalja e Bunës nga liqeni i Shkodrës. Aktualisht, shtrati i lumit Buna duhet të përcjellë në det ujërat e liqenit të Shkodrës, ujërat e Drinit, Kirit, etj.
Në konceptin hidrologjik, lumi i Bunës duhet të përcjellë basenin ujëmbledhës 19 582 km2 ose 45 % të ujërave të gjithë basenit të lumenjve të Shqipërisë, ndërsa si prurje mesatare duhet të përcjellë 679 m3/sek ose 52 % të prurjeve mes të gjithë lumenjve të vendit. Lumi Buna në dalje të liqenit të Shkodrës ka kuotën 9,2 m, në takimin me lumin Drin ka kuotën 8,2m – 8,5 m, në fushat e Bërdicës 6,2 m, Obotit 5,4 m, në Pentar 3 m. Në takimin e Kirit me Drinin, kuota arrin 8,9 m, ndërsa zona urbane e pastër e Shkodrës fillon mbi kuotën 10 m.
Edhe kuotat e mësipërme kanë vite që nuk janë azhornuar dhe mund të jenë mbushur. Nga sa kuptohet, uji i lumit Buna duhet të udhëtojë 41 km me një diferencë kuote jo më shumë se 8 m. Sipas një studimi hidroteknik, delta e Bunës duhet të jetë gjithmonë 4 m nga niveli i bregut të detit. Nga ana jonë është fotografuar delta e Bunës në muajin gusht 2007 – 2008 dhe rezulton se rrjedha e Bunës si nivel nuk është më i thellë se bregdeti.
Si rezultat i aluvioneve, delta e Bunës ka një zgjatim në formë elipsi, e futur rreth 3 km në det më shumë se brigjet anësore dhe nga ana detare gjithmonë mbetet nën ndikimin e korrenteve jug–perëndimore. Kur niveli i detit ngrihet 60 – 100 cm (që është normale në dimër) ujërat detare depërtojnë deri në 5-6 km në brendësi të Bunës. Dhe kur ka prurje nga liqeni i Shkodrës, nivelet detare bllokojnë ujërat e ëmbla të Bunës, shkarkimet ngadalësohen, Buna fryhet, e për rrjedhojë, përmbyten menjëherë fushat e Obotit, Samrishtit, Pentarit, etj.
Kur në të njëjtën kohë ka ngritje të nivelit të detit, rriten prurjet nga liqeni i Shkodrës dhe prurjet nga shkarkesat e kaskadës së Drinit, Kirit ose siç shprehen specialistët, prurjet interferohen në njësitë kohore, përmbyten menjëherë edhe zonat e Ashtës, Kolgjinit, Dajçit, Trushit, Melgushës, Lekës, etj. Sipas llogaritjeve, në shtratin e Bunës ka mbi 25 vjet që nuk ka vënë dorë njeri. Kjo gjendje është me rezerva edhe në infrastrukturën mbrojtëse të argjinaturave, veprave të artit dhe sistemit të kullimit.
Në këto kushte, seksioni i shtratit të Bunës nuk përcjell as gjysmën e plotave, me siguri 2 % vetëm të liqenit të Shkodrës, të cilat janë të panjohura dhe të padisiplinuara. Në vazhdim, shtrohet pyetja: Çfarë kërkojnë shqiptarët nga shtrati i lumit të Bunës, i cili për nga funksioni duhet të përcjellë 45 % të vëllimit të ujërave të vendit, ndërsa për nga interesi ekonomik krahasohet me Kanalin e Suezit. Përfitimi nga veprat e kaskadës së Drinit, përfitimet nga liqeni i Shkodrës dhe përfitimet nga veprat e kullimit e ujitjes të ultësirës së Shkodrës janë minimalisht 3,5 milionë euro/ditë.
Kjo e ardhur ditore krahasohet me të ardhurat që siguron tranziti në Kanalit të Suezit, i cili përfiton mbi 5 milionë dollarë/ditë. Por, kanali i Suezit, për të mirëmbajtur thellësinë dhe dimensionet, e mban të angazhuar Dragën, e cila ka kushtuar 100 milionë euro. Por, kanali i Suezit 52 km lidh detin Mesdhe me Detin e Kuq, duke i shkurtuar 11 700 km çdo udhëtimi nga Europa për në lindje dhe anasjelltas. Dhe me të drejtë është shpallur trashëgimi kombëtare dhe botërore, duke u ruajtur e mirëmbajtur me një status të veçantë.
Por në kuptimin ekonomik, Suezi nuk ka ndonjë ndryshim nga shkarkuesi i Bunës, i cili është pjesë e një skeme ekonomike nga përfitohet mbi 30 % e të ardhurave kombëtare. Por, duke qenë se shteti shqiptar historikisht nuk është marrë me vlerat ekonomike të pasurive kombëtare, nuk e ka konceptin e rëndësisë, kostos dhe funksionit të Bunës. Sikur 1/1000 e të ardhurave nga kaskada e Drinit të investohej në përmirësimin e vazhdueshëm të sistemimit Bunë–bregdet–ultësirë, nuk do të arrihej niveli i përmbytjeve të fillimit dhe funditvitit.
Si konkluzion, shtrati i Bunës ka nevojë për një studim dhe sistemim kompleks në marrëdhënie të ngushtë me plotat e liqenit të Shkodrës, në marrëdhënie të ngushtë me shkarkimet, devijimet, ndarjet e Drinit, në lidhje të ngushtë me aftësinë përcjellëse të Drinit të vjetër, në marrëdhënie të ngushtë me nivelet detare dhe bregdetare, në marrëdhënie të ngushtë me depresionet e relievit të ultësirës së Shkodrës, etj. Nga ana jonë ofrohen zgjidhje që mund t’i shërbejnë multifunksionit të bypass-it natyral të Bunës.
Përmbytjet
E gjithë ultësira nga Buna në gjurmën e vjetër të Drinit formon ultësirën e Shkodrës. Natyrisht, kjo dhuratë natyrore është produkt i aluvioneve të Drinit dhe Bunës. Në konceptin fizik, ultësira e Shkodrës, së bashku me kurrizin e zgjatur të Torovicës, “ballkonin” e zgjatur natyral të malit të Rencit, kojkat e Bushatit, Melgushës, Syk Dajçit, Gjymlit, Baks Rrjollit, Reçit, të mbira në mes të luginave, formojnë në lidhje edhe me bregdetin, formacionet bujqësore më të arrira për të prodhuar dhe jetuar në lartësi. Nuk ka asnjë vend tjetër në botë ku fushat janë sistemuar, kulluar dhe ujitur si në Shqipëri.
Por, të vështrosh në pranverë ultësirën e Shkodrës nga lartësitë e Torovecit, Rencit, Bushatit, Syk Dajçit e Reçit gjendesh para një vizatimi teknik natyral, ku vijat e kanaleve kullues, ngastrave, rrugëve, argjinaturave të orientuara nga drejtimet e rrjedhjeve, me një saktësi inxhinierike janë materializuar në fushë, duke krijuar një vepër arti në mjeshtërinë e sistemimit të tokës. Por, ka ardhur koha që ultësira e Shkodrës të ristudiohet në kuadrin e një sistemimi kompleks të Bunës e Vilunit dhe bregdetit.
Natyrisht, sistemimi i tokave bujqësore është produkt i nivelit hidroteknik dhe agronomik. Por, sistemimi, kullimi dhe mbrojtja e ultësirës së Shkodrës është realizuar me shumë vështirësi në 2-3 dekada, që nënkupton se funksionimi i rrjetit të sistemimit nuk është çështje thjesht e një qeverie. Kjo nënkupton se studimi kompleks dhe rikonstruksioni i ultësirës së Shkodrës kërkon 5-10 vite punë.
Duke lundruar në pasqyrën ujore të palëvizshme të përmbytjeve në ultësirën e Shkodrës, kur nivelet ishin kritike dhe ca kilometra më tej, nyjat e bllokuara të shkarkimeve, ndien keqardhje që pasuritë kombëtare mbysin njëra-tjetrën dhe shmanget eksperienca hidroteknike vendore për një ultësirë që prodhon deri në 10 % të prodhimeve bujqësore shqiptare.