Mjerë kush ka!

0
25


Preç Zogaj, 02.12.2010

Lajmi i përkeqësimit të gjendjes së përgjithshme nuk është vetëm varfëria e atyre që mezi e shtyjnë muajin me të ardhurat e pakta që marrin dhe që janë sërish shumicë absolute në shoqërinë tonë. E reja në Shqipërinë e vitit 2010 është se përkrah dramës së atyre që nuk kanë, po gatuhet drama e atyre që mendohej e mendohet se kanë.

Përkrah dramës së të papunëve apo punëmarrësve me rroga minimale, po rritet drama e punëdhënësve të kapur në kurthin e gërshërëve elektorale të qeverisë “Berisha”.

Janë firma dhe biznesmenë me emër, fytyra të njohura mjaft prej tyre në televizione e gazeta, sponsorizues fushatash, konkursesh e festivalesh, ndërtues autostradash e superstradash, urash dhe mbikalimesh, fabrikash dhe impiantesh, ujësjellësish, kanalizimesh, kopshtesh, çerdhesh e shkollash. Shumëkush i ka parë dhe ndoshta vazhdon t’i shohë me zili këta ndërtues apo bosë të ndërtimit – quajini si të doni.

Po ata, kush me shumë e kush më pak, kanë prej me shumë se një viti një problem të madh, që nuk po e zgjidhin dot; një problem që u ka lidhur këmbët e duart, për të mos thënë se po u mblidhet si një lak në qafë për t’i mbytur. Nuk janë paguar nga qeveria për punën e bërë për llogari të qeverisë.

Ky është problemi tyre, që zien, pluskon, mbytet, shpërthen, mbytet përsëri dhe shpërthen përsëri prej shumë kohësh në vartësi të thërrimeve, mashtrimeve apo edhe shantazhit të agjencive qeveritare kundër sipërmarrësve “rebelë”.

Dje kishim një deklaratë tjetër të Shoqatës Kombëtare të Ndërtimit, një ulërimë tjetër të përmbajtur nga ana e saj për të njëjtin problem.

Shoqata proteston që në buxhetin e shtetit për vitin 2011 nuk është parashikuar shlyerja përfundimtare e borxhit që qeveria u ka kompanive të ndërtimit. Fjala është për një shumë që shkon rreth tetëdhjetë milionë euro.

Shoqata kishte vënë si afat të fundit të plotësimit të kërkesave të saj muajin qershor të vitit të ardhshëm. Pas këtij afati, nëse qeveria nuk do të paguajë, firmat e ndërtimit do të parkojnë makineritë në rrugët e mbaruara por të papaguara, duke i dhënë jetë një proteste të paprecedentë në Shqipëri e ndoshta edhe në botë.

Kushdo që mëson se ky problem jo i ri nuk qenka zgjidhur, ndërkohë që qeveria vazhdon të darovisë lloj-lloj projektesh me qese të vogla sa për të ngulur gozhdën, kupton qartë një gjë: shlyerja e borxheve për vepra të ndërtuara dhe të përuruara për qëllime politike elektorale nga Berisha nuk është një përparësi për të dhe qeverinë e tij.

Përndryshe, me logjikën më të thjeshtë ligjore, etike dhe njerëzore, ai duhej ta kishte filluar buxhetin e vjetshëm dhe buxhetin e sivjetshëm me shlyerjen e punëve të përfunduara.

Edhe sikur kryeministri të mos kishte nxjerrë asnjë përfitim politik elektoral nga këto vepra apo, edhe sikur kompanitë të mos kishin nevojë fare për para, shlyerja e punës së bërë është kërkesë elementare në çdo marrëdhënie kontraktuale.

Por, detyrimi i Berishës dhe qeverisë së tij është i shumëfishtë. Kryeministri ka prerë shirita dhe i ka paraqitur si investime të qeverisë veprat e papaguara ende.

Më kryesorja: shumë nga firmat kanë harxhuar kursimet e tyre, kanë marrë borxh, madje kanë marrë edhe kredi me interesa të larta për të përfunduar në afat punët e fituara, duke besuar se qeveria do të ishte po aq e mirë me ta, sa ç’kishin qenë ata me qeverinë.

Tani borxhet rriten, interesat e kredive vazhdojnë duke hedhur në erë çdo llogaritje të bërë në kohën kur janë tërhequr këto kredi. Laku shtrëngohet çdo ditë për presidentët e firmave. Jam dëshmitar i dramave që po përjetojnë disa prej tyre .

Njoh ndërtues që po i shkatërron kredia. Njoh të tjerë që kanë hyrë në marrëdhënie huamarrjeje dhe huadhënieje me tregtarë të materialeve të ndërtimit, duke shkëmbyer mall me mall apo duke mbetur borxh.

Kjo histori po fryhet dhe po shkon drejt shpërthimit si historia e piramidave. Vetë firmat e papaguara janë shndërruar në piramida të vogla brenda piramidës së madhe të sistemit. Po të studiohen rastet një për një, kushedi se çfarë gjerash të çuditshme do të na dëgjonin veshët.

Është vërtetë një gangrenë ekonomike, por edhe politike dhe morale kjo e porositjes së punëve nga qeveria për të futur në dorë gërshërët e përurimeve duke i lënë paskëtaj firmat me gisht në gojë.

Është një gjendje që përligj thënien profetike dhe paradoksale “mjerë kush ka”, e cila i shkon shumë natyrës së humbjes që kanë pësuar e vazhdojnë të pësojnë një pjesë e madhe e ndërtuesve shqiptarë, sa për shkak të krizës botërore, aq edhe për shkak të prerjes në besë nga qeveria e tyre.

Vërtetë, mjerë kush ka marrë një milion apo dy milion euro kredi për punën e shtetit dhe tani e ka gur të rëndë në qafë atë kredi. Mjerë kush ka blerë një park të tërë me makineri bashkëkohore, që janë pasuri kombëtare në fund të fundit, dhe tani s’ka ku t’i çojë, s’ka ç’të bëjë me to!

Tetëdhjetë milionë euro është afërsisht shuma e borxhit të llogaritur për punë të mbyllura deri në detajin më të fundit të anës formale dokumentare.

Por, sipas burimeve të besueshme brenda shoqatës, po të llogariten edhe veprat e tjera të përfunduara, për të cilat mungon ndonjë gjë e vogël apo po të llogariten ujësjellësit, kanalizimet dhe shkollat e pashlyera, që nuk janë përfshirë në deklaratën e djeshme, borxhi është shumë më i madh.

Qeveria ka detyrimin ta llogarisë dhe tregojë me saktësi sa është borxhi i plotë.
Qeveria ka detyrimin të konsiderojë me përparësi dhe kalendarizojë me transparencë shlyerjen e borxhit duke evituar format e shëmtuara të klientelizmit dhe korrupsionit, kur firmës i kërkohet të paguajë ryshfet për të marrë paratë e veta.

Qeveria duhet të informohet dhe ndërgjegjësohet se paratë e pashlyera janë të kompanive, por janë edhe të punëtorëve te papaguar të këtyre kompanive.

Qeveria duhet të dalë me një plan konkret për trajtimin e këtyre borxheve, duke ndërhyrë brenda hapësirave ligjore për të lehtësuar së paku interesat e atyre që kanë marrë kredi për vepra publike.

Gjendja e krijuar tregon se dy tre vjet më parë qeveria ka zgjatur këmbët përtej jorganit, apo ka hapur projekte për tre buxhete, siç thoshte njëri prej anëtarëve të qeverisë, duke gabuar në numrin e viteve, që rezulton të jenë me shumë se tre.

Një gabim i pranuar dhe i korrigjuar është njerëzor dhe i falshëm edhe kur e bën një qeveri apo një kryetar qeverie. Por mosnjohja e gabimit edhe në dritën e pasojave që ka sjellë apo përsëritja e gabimit me bujë dhe rrahje gjoksi është tregues i një injorance dhe arbitrariteti të skajshëm. I vetmi justifikim i qeverisë për mosshlyerjen e punëve të porositura prej saj mund të ishte mungesa e parave. Unë besoj se qeveria nuk ka para.

Për të mbuluar dështimin e shumanshëm në fushën e financave ajo ka vënë në lëvizje një politikë anoncimesh me karakter propagandistik dhe psikologjik. Anonçohen shumë projekte të pambuluara me financim.

Ftohen firmat të marrin pjesë në tender ku shuma e vënë në dispozicion është një pikë ujë në krahasim me koston e përgjithshme të veprës apo segmentit të veprës së tenderuar. Firma që fiton në këto kushte shtyhet të vazhdojë me paratë e veta, meqenëse nuk mund të marrë pjesë në tender të tjerë pa mbaruar shtatëdhjetë për qind të punës së fituar.

Pasi kanë parë fatin e simotrave të tyre të shkatërruara nga kjo skemë, firmat e paprekura do të tregoheshin budallaqe po të binin në kurth. I mençur është ai që nxjerr mësime nga pësimet e të tjerëve, pa kur ta pësojë vetë zakonisht s’ka më kohë të nxjerrë mësime.

Opozita, ndërkaq, duhet të ndalet më seriozitet të madh te ky problem. Opozita mund të ketë fatin e keq të jetë nesër një qeveri e shlyerjes së borxheve të qeverisë së sotme. Opozita, pasi të njihet në detaje me këtë çështje, duke e parë edhe në aspektin ligjor, duhet të deklarojë qëndrimin e saj për mosnjohjen e borxheve që krijohen në rrugë antiligjore dhe çuarjen para drejtësisë të veprimeve të paligjshme. Do të ishte një shërbim i mirë dhe në kohë edhe për naivët e aventurierët.