Nga Mero Baze, 11 Shtator 2012
Privatizimi i Albpetrolit po zbulon qartazi kapjen e shtetit në Shqipëri. Fenomeni më tipik i procesit është se në garë janë miliona dhe miliarda anonime nga kompani dhe fonde investimesh, regjistruar në zona offshore në ishuj të largët të Oqeanisë, apo në free zona si ajo e Hong Kongut. Qeveria, e cila ka bërë planet e veta për ta rrëmbyer Albpetrolin me njerëzit e saj, e ka inkurajuar këtë lloj ofertuesi për shkak se ai është veprimi më i mirë anonim për të mos u marrë vesh kurrë se kush po e blen këtë pasuri.
Qeveria Berisha është qeveria e parë që futi modën e kompanive të regjistruara në Qipro, dhe tashmë në ishuj të Oqeanisë apo Hong Kong, duke zhdukur pronarin real të tyre. Kështu për konsorciumin e renditur i pari, mund të thuash që është dhe amerikan, edhe singaporas, edhe azer, edhe shqiptar, mund të thuash që ka pas njerëz të njohur të Amerikës, Rezart Taçin, Alievin apo kë të duash.
Të gjithë na kujtohet se për herë të parë këto histori në Shqipëri u shfaqën me Damir Fazlliçin, kompanitë e tij në Qipro dhe avokaten e tij Argita Berisha. Ky pushtet e solli këtë modë në këtë vend për të fshehur paret e veta dhe tashmë na ka futur në spiralen e miliarderëve anonimë, që mund t’i kemi dhe në kafen ngjitur, por duket sikur na vijnë nga Hong Kongu apo Oqeania.
Po kështu, por pak më frikshëm, po zhvillohet situata me ofertuesin e dytë dhe të tretë të mbetur në lojë. Bankers dhe Win janë thuajse i njëjti ofertues, njëri me emër real dhe tjetri me emër anonim, që vjen nga Hong Kongu. Nëse gjurmon një lidhje tjetër Bankers- LSI, adresa të çon në një ishull të largët në një zonë offshore, e cila nuk është çudi të jetë kompania e ardhur nga Hong Kongu.
Kjo listë anonimësh miliarderë mund të vazhdojë pa fund dhe është produkt i një shteti që ka në thelbin e tij mungesën e transparencës dhe kapjen e tij nga biznesi i lidhur me familjen në pushtet.
Fenomeni i dytë i frikshëm në këtë proces është kapja e shtetit si shpërblim për pushtetin. Ministria e Ekonomisë, e cila gjendet në duart e LSI, duket se po e kthen në betejë ose marrjen e Albpetrolit, ose ikjen nga koalicioni duke e detyruar Berishën të heshtë “si fija e barit”, siç ka qejf ai të thotë në këto raste.
Kushtet e LSI duket se janë brutale, pasi ata kërkojnë ose pjesë pushteti në institucione të pavarura, ose pjesë nga pasuria kombëtare për të mbajtur në këmbë pushtetin, dhe e gjithë kjo po përforcon kapjen e shtetit në Shqipëri. Prokuroria e Përgjithshme, e cila sipas rekomandimeve të Bashkimit Evropian duhet të përfundojë mandatin në pranverë, atëherë kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese, po bëhet një ëndërr e largët për LSI dhe ndoshta Albpetroli duket si një ëndërr më e prekshme.
Fenomeni i tretë që po e përsërisim është heshtja e Berishës dhe mungesa e thellë e transparencës për procesin. Meqë jemi në kushtet e një garë mes miliarderëve anonimë, që duket se janë të gjithë me bazë në Tiranë dhe lidhje anembanë botës, atëherë qeveria ose duhet të bëjë transparencë dhe të zbatojë ligjin, ose duhet të anulojë tenderin. Ëndrra për të marrë 1 miliard dollarë është legjitime, por diferenca mes ofertës së parë dhe të dytë është shumë dramatike. Dyshimet se ofertat mund të jenë flluska sapuni duhet të provohen pikërisht nga qeveria.
Kuotimi i Albpetrolit nga një garues 1 miliard dollarë dhe nga tjetri 400 milionë dollarë, tregon ose një çmim anomalish të lartë, i cili duhet verifikuar, ose një pazar paraprak të qeverisë me ofertuesin e dytë, i cili po keqekspozohet nga diferenca e çmimit. Në këto kushte t’ia japësh anonimit të parë duhet të heqësh dyshimet duke i marrë garancinë bankare, që nuk është pak, por 85 milionë euro.
Nëse ai nuk e ka, atëherë kemi të gjithë të drejtat të dyshojmë se dhe procesi është i prishur dhe qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për procesin, i cili ka legjitimuar spekulimin dhe mungesën e transparencës. Në ato kushte, alternativa më e mirë është penalizmi i komisionit të tenderit dhe rihedhja e Albpetrolit në shitje, pasi ai tashmë është një kapital i kuotuar së paku 1 miliard dollarë dhe nuk mund të shitet as për një copë bukë dhe as tek njerëz që nuk u gjejmë dot telefonin dhe adresën, por që në finale e kanë të gjithë prefiksin me +355. Prefiksi i një shteti të kapur.








Me çfaredo gjeje behet çorba, por ajo qe mua me intereson eshte te di: Perse te votuarit shqiptare nga sherbyes behen pronare?
Pronare te interesave, te pronave dhe te gjithçkaje qe ka ky popull.
Si arrijne te trasformohen ne kete menyre?
Kush eshte Mefistofeli, qe i ve para kushteve te tilla ?
Perse e shesin shpirtin e tyre per gjera qe prishen, qe konsumohen, qe i ha mola?
Perse u marin Dinjitetin popullit te tyre, e vetmja gje e mire nje popull mumd te kete?
Askush nuk ka qene tradhetar, perpara se te behej!
Zoti na meshirofte!
Comments are closed.