Borxhi arrin kufirin maksimal, vetëm 0.1% larg pikës kritike

0
70

TemA Online, 11 Shtator 2012

Qeveria ka ndryshuar sërish programin e borxhit publik, këtë herë duke e çuar shifrën e tij rrezikshëm, në kufirin maksimal ligjor.

Dy muaj më parë Komiteti i Planifikimit të Strategjive, nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha e ndryshoi programin buxhetor dhe kuadrin makro-ekonomik afatmesëm. Në variantin e ri, borxhi publik në fund të vitit 2012 shkon në 59.9 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, vetëm 0.1 pikë përqindje poshtë kufirit ligjor.

Në fakt kjo rritje e borxhit nuk vjen për shkak të huamarrjes shtesë të qeverisë, por është e lidhur me një tjetër faktor, parashikimet jorealiste të buxhetit.

Në fund të vitit të kaluar kur hartoi buxhetin e shtetit për 2012-ën, qeveria parashikoi zyrtarisht një rritje ekonomike prej 4.3 për qind pavarësisht kundërshtimeve të forta të FMN-së, që e cilësonte këtë si një vlerësim thellësisht jorealist, që është konfirmuar që në tremujorin e parë. Sipas INSTAT në tre muajt e parë të vitit, rritja e Prodhimit Kombëtar ishte negative në 0.2 për qind, duke i përmbysur që në fillim parashikimet e Qeverisë, e cila është detyruar që ta ulë shifrën zyrtare të rritjes ekonomike nga 4.3 në 3 për qind. Për shkak se treguesi i borxhit llogaritet si raport ndaj Prodhimit Kombëtar, tkurrja e rritjes ekonomike çon automatikisht në rritjen e borxhit publik dhe qeveria ka vetëm një rrugë ta ndalë atë, të ulë huamarrjen e parashikuar vjetore.

Por në dokumentin që ka miratuar në Komitetin e Planifikimit të Strategjive, qeveria ka vendosur ta mbajë të pandryshuar huamarrjen në rreth 41 miliardë lekë ose 3 për qind e Prodhimit Kombëtar ashtu siç e kishte parashikuar në fillim të vitit. Me kërcimin edhe zyrtarisht në nivelin 59.9 për qind të Prodhimit Kombëtar, shifra e borxhit tashmë rrezikon të dalë jashtë kufirit ligjor prej 60 për qind. Dhe rreziqet për këtë mund të jenë disa, që nga zhvlerësimi i monedhës, rritja sërish e pasigurt ekonomike dhe deri tek përsëritja e një skenari të ngjashëm me vitin e kaluar, kur Qeveria u detyrua ta rriste borxhin për të subvencionuar KESH-in.

Por në këtë pike e vetmja shprese qe financat e vendit te mos zhbalancohen, mbetet suksesi i privatizimeve./TCH