Guvernatori n’besë

0
38

Nga Nebih Maxhuni, “Express

Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk është i fuqishëm vetëm në bjeshkët e Kosovës apo ato të Shqipërisë.

Ligjet e mbledhura para qindra vjetësh shpesh kanë fuqi më të madhe sesa vetë policia dhe shteti. Madje edhe në Prishtinë, e pse jo në institucionet më të larta të vendit.

Një prej tyre që respekton Kanunin është edhe Hashim Rexhepi, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës. Ky zyrtar i lartë ka rreth një vit që del lirshëm falë fjalës së dhënë – besës.

Jeta e tij e lirë kushtëzohet nga vullneti i Emrush Gashit, babait të Arbenit të vrarë një vit më parë nga djali i guvernatorit Rexhepi.

Që nga 2 janari i këtij vitit, pasi dyshohet se ka kryer vrasjen, djali i guvernatorit ndodhet në paraburgim, por bazuar në ligjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit, përgjegjëse është e tërë familja e tij.

Për këtë arsye, guvernatori duhet të shkojë në punë me leje, për aq kohë sa dëshiron t’i japë liri të lëvizjes babai i viktimës, Emrushi.

“Hashim Rexhepi ka ardhur ka marrë besë edhe e ka pranuar para Kanunit të Lekë Dukagjinit se vrasës i djalit tim është Hashim Rexhepi dhe djali i tij”, – thotë Emrush Gashi, babai i viktimës për “Express”.

“Menjëherë të nesërmen na ka çuar njerëz, Shaban Tashollin nga Sindikata e Policisë, Xhevat Ollurin, ish-kryetar i Lipjanit dhe një profesor tjetër. Në fillim besë i kam dhënë për 10 ditë”, – shpjegon Emrushi.

Por pak para përfundimit të besës për dhjetëditëshin e parë, sërish njerëzit që ka zgjedhur guvernatori Hashim Rexhepi, kanë trokitur në derën e familjes së viktimës për të kërkuar besë edhe për një periudhë tjetër.

“Pas dhjetë ditëve besë, i kam dhënë edhe një muaj tjetër e më pas edhe dy muaj e kështu më radhë”, – thotë Emrushi, duke sqaruar se herën e fundit që guvernatori Hashim Rexhepi ka marrë besë nga familja Gashi, është në afat prej katër muajsh.

Por ky afat përfundon në fund të këtij viti. Pas kësaj feste, Emrushi thotë se gjërat do të ndryshojnë. Fatkeqësisht, jo për të mirë. Ai e ka ndarë mendjen të mos i japë më besë guvernatorit.

“Djali më është vra me automatik. Përveç kësaj, aty ka pasur armë të tjera që kanë gjuajtur. Policia nuk ka marrë askënd në pyetje se si ka ndodhur rasti, nuk janë intervistuar njerëzit që kanë qenë në lokalin “Garden”, – thotë Emrushi për “Express”.

“Djali më është vra afër shtëpisë, vetëm 500 metra larg. Djali u vra pahiri, kanë qenë dy grupe që kanë pasur telashe, në mesin e tyre kanë qenë edhe djemtë e Hashim Rexhepit, njëri nga të cilët ka shtënë me automatik në djalin tim që ka vdekur në vend”, – rrëfen Emrushi, babai i viktimës.

Një vit më parë, djali i kreut të BQK dyshohet se ka vrarë Arben Gashin, saktësisht në natën e dytë të Vitit të Ri në lagjen Emshir të Prishtinës, te restoranti “Garden”.

I ndjeri Arben Gashi nga lagjja Emshir, është vrarë rreth orës 2 e 45 minuta pas mesnate, më 2 janar të këtij viti, kur dy grupe të rinjsh kishin qëruar hesapet mes tyre me armë zjarri, në mbrëmjen që ishte organizuar pikërisht për festën e Vitit të Ri.

Gentian Rexhepi, djali i guvernatorit dhe si i dyshuari kryesor për këtë vrasje, tash e njëmbëdhjetë muaj vazhdon të jetë në paraburgim.

Një ditë pas vrasjes së Arben Gashit, guvernatori Hashim Rexhepi ka gjetur disa burra dhe i ka dërguar për të kërkuar besë te familja e viktimës.

Sipas familjarëve të viktimës, në natën kritike, policia as që ka lajmëruar familjen për vrasjen e Arbenit, edhe pse vrasja ka ndodhur vetëm 500 metra larg shtëpisë.

“Policia nuk ka ardhur as të më njoftojë që më është vrarë djali, nuk ka ardhur fare as prokurori të më pyesë se çfarë ka ndodhur dhe askush nga Gjykata”, – thotë babai i viktimës, Emrushi.

Në lidhje me këtë çështje, ai thotë se ka njoftuar edhe Ombudspersonin e Kosovës, pavarësisht se besimi i familjes Gashi në sistemin gjyqësor dhe Policinë e Kosovës është zero.

“Unë çuditem me këtë drejtësi të Kosovës, nuk ka drejtësi në Kosovë, se po të kishte drejtësi, senet kishin shkuar ndryshe, ishin zbuluar sendet në fillim. Policia jonë punon si do, janë mundu edhe me mjekë që të bëjnë dallavere me letra se Hashim Rexhepi o guvernator, atij veç një thirrje i vyen edhe u krye puna, atij nuk i vyen ma tepër”, – thonë në familjen Gashi.

Për vrasjen në Emshir në natën e dytë të Vitit të Ri 2009 dhe për shkëmbim zjarri, akuzohen gjithsej shtatë persona, mes tyre edhe dy djemtë e Hashim Rexhepit.

Shumica nga të akuzuarit janë liruar, e dy prej tyre tashmë gjenden në arrati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I vetmi që është duke u mbajtur në paraburgim është Gentian Rexhepi.

Seanca e parë gjyqësore pritet të fillojë për këtë vrasje më 11 dhjetor 2009.

Familja e Arben Gashit të vrarë ka kërkuar disa herë që lëndën për djalin e tij ta marrin prokurorë të EULEX, meqë ata nuk besojnë në sistemin gjyqësor të Kosovës.

“Kam kërkuar në EULEX që ata ta marrin lëndën, se unë nuk u besoj gjykatave të Kosovës, sepse janë të korruptuara dhe të dështuara”, – thonë familja Gashi.

Në rast se lënda e djalit të tij nuk zgjidhet dhe aktorët e vrasjes të marrin dënimin e merituar, familja Gashi thotë se do të largohet nga Kosova.

Për lëvizjet nën besë dhe për akuzat që bën familja Gashi në adresë të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, ky i fundit nuk ka dashur të flasë.