Topalli, 400 milionë lekë për avokatin e saj

0
89

Shekulli, 09.09.2012

Luis Tanushi – Në një kohë që qeveria po mundohet që të ulë në minimum shpenzimet, Kuvendi vijon që të jetë institucioni që vijon të investojë për ambiente. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vijon që të mbetet e vendosur në realizimin e ëndrrës së saj për ndërtimin e një kompleksi të ri parlamentar. Kuvendi ka nisur që të kërkojë studio ligjore për të dhënë konsulencë juridike në hartimin kontratës me kompaninë e cila fitoi konkursin ndërkombëtar për kompleksin.

Ndonëse një vit tepër i vështirë ekonomi për të gjithë vendet evropiane, Kuvendi shqiptar është gati që të paguajë rreth 40 milionë lekë (të rinj) vetëm për studion ligjore e cila do të merret me hartimin e kontratës me firmën që u shpall fituese për projektin e kompleksit parlamentar. Burime nga Kuvendi bëjnë të ditur se legjislativi ka filluar punën për kontraktimin e një konsulenti ligjor, për t’i ofruar asistencë juridike Kuvendit lidhur me negocimin dhe redaktimin e kontratës për hartimin e projekteve të zbatimit për Kompleksin e ri Parlamentar, mbikëqyrjen dhe marrjen në dorëzim të tyre.

Tenderi
Në njoftimin e kontratës që kërkohet të lidhet me studiot ligjore thuhet se Kuvendi kërkon “shërbim konsulence për menaxhim të procedurave të negocimit, të redaktimit të kontratës për hartimin e projekteve të zbatimit për kompleksin e ri parlamentar, të mbikëqyrjes dhe të marrjes në dorëzim të tyre”. Fondi limit i bënë në dispozicion për shërbimin e konsulencës është 39,200,000 (tridhjetë e nëntë milion e dyqind mijë) Lekë pa TVSH. Kompania që do të fitojë do të punojë për një afat prej 10 muajsh nga momenti i nënshkrimit të kontratës me Kuvendin. Sipas vendimit të Komisionit Shtetëror, me fituesin e konkursit ndërkombëtar, të shpallur nga Komisioni Shtetëror, do të lidhet kontrata për projektin e zbatimit të projektit fitues.

Vlera e ndërtimit e parashikuar nga administrata do të jetë rreth 79 milion Euro, ndërsa tarifa e projektit e kërkuar nga studioja fituese është llogaritur të jetë rreth 8.6 milionë Euro. Konsulenti do të negociojë kushtet e kontratës pa u kufizuar për afatet e zbatimit, vlerën e projektit, volumet e shërbimit, detyrimet e palëve, planin e veprimit, dokumentet e tenderit të zbatimit të punimeve, specifikimet teknike. Juristët e saj do të japin një opinion për Kuvendin mbi ofertën e paraqitur nga studio “Cooph(i)m blau”. Gjatë përzgjedhjes së studios fituese, diskutimi u përqendrua tek dy vendet e para, pasi firma e tretë franceze kishte ofertë më të lartë se dy të parat, ose rreth 6 milionë euro me shumë se vendi parë për projekt-zbatimin.

Konkretisht oferta fillestare për ndërtimin e godinës nga firma vjeneze ishte 80 milionë euro (pa tvsh), ndërsa e asaj italiane ishte 70 milion euro (pa tvsh). Konkursi ndërkombëtarë për projektin e Kompleksit të Ri Parlamentar ishte një eveniment ku morën pjesë më shumë se 25 studio, por vetëm 12 prej tyre do të paraqisnin projekte. Me mbarimin e konkursit, sipas rregullores, Kuvendi filloi bisedimet me studion fituese për lidhjen e kontratës për vazhdimin e projektit. Në përfundim të tyre studio nga Vjena kërkoi një tarifë të re projektimi prej 10.8% të vlerës së ndërtimit të projektit, një vlerë e madhe në krahasim me studiot e tjera, por edhe me praktikën botërore të këtyre objekteve.

Pritet

-Në buxhetin e vitit 2013 do të parashikohet financimi i punimeve për ngritjen e Selisë së re të Kuvendit. Vlera e projektit shkon në 79 milionë euro

-Do të shembet Piramida e njohur fillimisht si Muzeu i Enver Hoxhës dhe më pas si Qendra e Ndërkombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori”

– Priten protesta nga lëvizja e krijuar për mbrojtjen e Piramidës. Një grup intelektualësh, kryesisht arkitektë kundërshtojnë prishjen e objektit

400
m2 do të jetë sipërfaqja e zyrave të kabinetit të Kryetarit të Parlamentit. Në këtë hapësirë do të përfshihet zyra e Kryetarit të Parlamentit, paradhoma e së cilës do të pajiset me një ambient pritjeje për personat që do të hyjnë në takim me Kryetarin e dhe një sallë pritjeje.

Ministri Halimi do të zgjedhë studion, gati komisioni

Ministria e Drejtësisë, garante për cilësinë e zyrës ligjore

Me shkresën numër protokolli, datë 23.03.2012 të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, i është kërkuar Avokaturës së Shtetit fillimin e procedurave ligjore për përzgjedhjen e një konsulenti, i cili do t’i ndihmojë dhe asistojë në procesin e lidhjes së kontratës me studion projektuese. Mësohet se Avokatura e Shtetit, pasi ka shqyrtuar rastin, i ka dërguar një letër Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi ku i ka kërkuar kontraktimin e një konsulenti ligjor, për të ofruar asistencë juridike lidhur me negocimin dhe redaktimin e kontratës për hartimin e projekteve të zbatimit për Kompleksin e ri Parlamentar. Në vendim janë specifikuar rëndësia dhe madhësia e projektit për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar.

Sipas Dhomës së Avokaturës dhe Kuvendit thuhet se ndërtimi i kompleksit parlamentar është me rëndësi të veçantë për interesat e shtetit, sepse ka të bëjë me ndërtimin e një vepre unike e cila ndërtohet për herë të parë dhe ka vlerë të konsiderueshme. Në vijim të shpjegimit, thuhet se kjo çështje ka një natyrë të veçantë dhe të ndërlikuar juridike dhe kërkon ndërthurje të njohurive juridike, ekonomike dhe inxhinerike për negocimit dhe redaktimit të kontratës për hartimin e projekteve të zbatimit në ndërtimin e objekteve të kësaj natyre dhe madhësie. Ndërkohë, në urdhrin nr. 148/1, datë 11.04.2012 të Ministrit të Drejtësisë është ngritur Komisioni i Përzgjedhjes, i cili do të vlerësojë ofertat dhe do t’i paraqesë Ministrit të Drejtësisë një raport të hollësishëm mbi klasifikimin përfundimtar, sipas pikëve të marra nga çdo kandidat për konsulent ligjor.

28 000
m2 do të jetë sheshi i ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar. Sipërfaqja e ndërtimit do të jetë rreth 38649 m2. Projekti parashikon edhe një apartament pritje-banimi për kryeparlamentarin që do të ketë një hapësirë prej 250 m2.

Kuvendi ka shpallur garën për studion, e cila do të punojë gjatë 10 muajve për lidhjen e kontratës me kompaninë fituese të kompleksit të ri parlamentar.