Saviano: “Në Shqipëri po goditet gazetaria që thyen heshtjen”

0
33

Nga Rudina Xhunga

SHENIM

“Shqip” për lirinë e medies

Gazetarja Rudina Xhunga solli mbrëmë në emisionin e saj “Shqip” disa nga zërat më autoritarë të gazetarisë hetimore në vendin fqinj, Itali. Kjo e fundit prej kohësh është përfshirë në debate për lirinë e shtypit. Organizatat e huaja e rendisin Italinë si një vend me liri të cenuar të medies. Por emrat e njohur të medies fqinje, që po udhëheqin një fushatë në mbrojtje të lirisë së fjalës, shprehin solidaritet dhe kundër dhunës që po ushtrohet ndaj medies në Shqipëri. Ata e njohin mirë rastin e sulmit fizik ndaj gazetarit Mero Baze dhe e shohin si ogur të keq për një vend të kapur nga mafia. Në vijim janë intervistat e të ftuarve në emision, si dhe një editorial nga Umberto Eko

Flet, Roberto Saviano, gazetari që denoncoi Kamorrën

Urime për artikullin te “Repubblica”, që është përgjigjja për ministrin e Kulturës, Bondi, i cili ju drejtohej se ju admironte për ndershmërinë dhe entuziazmin, por mos u përzieni me politikë. Përgjigjja juaj është: “Duhet marrë një pozicion, edhe nëse të duhet të rreshtohesh”. Ç’do të thotë sot të rreshtohesh?

“Të rreshtohesh”, sot do të thotë mbi të gjitha të kuptosh se ku po shkon vendi, përtej ideve, pasi në këtë fazë në Itali nuk ekziston një përballje idesh, por një përballje mes kontratash, fraksionesh, grupesh aleate. Të kuptohemi, sot kushdo që mban një pozicioni kritik kundër qeverisë, e di që do të përballet me sulme të dhunshme nëpër disa gazeta, sulme me shpifje, dobësim të karrierës. Për mendimin tim, sot, të rreshtohesh do të thotë mbi të gjitha të shohësh në fytyrë atë ç’ka po ndodh, duke marrë parasysh edhe pasojat.

“Sepse kjo është e vetmja mënyrë që njoh për të qenë shkrimtar dhe njeri”, – shkruani ju sot…

Po, është vërtet e vetmja mënyrë që njoh për të qenë intelektual, për të qenë njeri, në kuptimin që, nuk është se unë i bëra një apel kryeministrit për ta tërhequr këtë ligj, sepse kam një projekt timin dhe dua të futem në politikë dhe të bëj debate me të. Jo, në të vërtetë, me këtë ligj që po bën Berluskoni, proceset e anuluara krejt papritur, kjo është vërtet e rrezikshme. Me këtë ligj shumë procese rrezikojnë të anulohen, edhe ato gjyqet e rëndësishme që kanë të bëjnë me trafikun e mbetjeve toksike… që është baza e tregut të ekonomisë kriminale, të cilën unë kam vite që e rrëfej.

Ju kam dëgjuar para një jave në një emision për gazetarët e vrarë, si Ana e Rusisë. Pse ndjeni se duhet ta bëni këtë, të flisni për gazetarë të vdekur prej detyrës?

Unë e kam bërë për arsye të ndryshme. Së pari, sepse gjatë viteve kam vënë re se jam bërë shpesh referim, në Itali dhe në botë, që më kanë shkruar dhe më kanë kërkuar ndihmë. Sepse, sidoqoftë, unë jam, krahasuar me shumë të tjerë, i privilegjuar. Unë tani po flas, por shumë intelektualë, afrikanë, apo sllavë, apo kinezë, s’kanë mundësi që të njihen. Kështu që ata gjejnë tek unë një pikë referimi. Kjo më ka bërë të mendoj dhe më ka shtyrë të dal nëpër televizione në orare të rëndësishme, të shfrytëzoj shikueshmërinë time për të folur rreth intelektualëve të përndjekur e gazetarëve të izoluar, për ata që kanë vdekur duke mbrojtur fjalët e tyre.

Në fakt, dhe intervista jonë s’është vetëm për të kërkuar ndihmë, por për të kërkuar solidaritet. Më pyesin shumë për intervistën që bëmë bashkë para një viti, dhe më pas intervistova edhe Misha Glenin, me të cilin folëm gjithashtu për mafien. Por këtu, në Shqipëri, një gazetar që ka shkruar specifikisht për mafien, u godit dy javë më parë…

Kam dëgjuar për këtë ngjarje dhe është shumë e rëndë. Shqipëria, në këtë pikëpamje, gjendet edhe një herë tjetër si binjake me Italinë. Shteti shqiptar, pjesërisht edhe Kosova, gjithnjë e më shumë duken si zona influence sesa shtete autonome. Kjo do të thotë se ka një vazhdueshmëri të drejtimit të pushtetit midis Italisë dhe Shqipërisë. Kjo ngjarje e rëndë, që i ndodhi një gazetari, i cili u rrah, tregon se sa edhe në Shqipëri fjala e lirë, të treguarit, denoncimi, është një pushtet absolutisht i rrezikshëm, ndonjëherë madje edhe i ndaluar. Pra, në sipërfaqe është një demokraci, por thellë-thellë mbetet një regjim. Flitet shumë pak për mafien shqiptare dhe pushtetin sipërmarrës dhe kriminal në Shqipëri. Por, në zonat e Italisë së jugut, prania e mafies shqiptare, sidomos marrëdhënia me ta, është konstante tashmë prej më shumë se 10 vjetësh.

Ata që këtu në Itali kanë arritur të shpëtojnë nga e keqja shqiptare, janë bashkësia e shqiptarëve të ndershëm. Si gjithnjë, në shumë territore, në të vërtetë nuk është policia ajo që e ndalon kriminalitetin, por pjesa e shëndetshme e bashkësisë. Për shembull, në Gjermani, ndalimi i hyrjes së mafies italiane atje është realizuar nga bashkësia e italianëve të ndershëm. E njëjta gjë ka ndodhur pjesërisht edhe në Itali me bashkësinë e ndershme shqiptare. Thënë kjo, mendoj se një nga problemet më të mëdha është heshtja e plotë mbi faktet shqiptare, pjesërisht bashkësia shqiptare në Maqedoni, pasi mafia shqiptare është një nga më të rrezikshmet e botës.

Po flisja me një koleg të RAI-it për ngjashmërinë mes protestave “No B Day” të opozitës në dy vendet tona, më 5 dhjetor, por pashë që interesi i tij qe më i madh për Brendën, transvestitin e vrarë këto ditë. Doja të dija, nëse problemet tona, gjuha jonë, janë të ndryshme apo të njëjta… bashkë me zgjidhjet? Pra, na mungon liria në të njëjtën mënyrë? Mungon liria në të njëjtën mënyrë në të gjithë botën?

Në të vërtetë them se po. Në pikëpamjen zyrtare, ajo që po ndodh në Shqipëri, pra mungesa e lirisë, është e ngjashme me atë që po ndodh në Itali dhe në shumë vende të botës. Besoj se është edhe si pasojë e krizës. Kriza i vështirëson gjërat, ndaj dhe njerëzit përshtaten duke pasur më pak liri, nëse kjo do të thotë të mbijetosh apo në njëfarë mënyre, të zgjidhësh pak më shumë problemet e përditshme. Kështu që njerëzit e shpërfillin e s’duan t’ia dinë më për politikën. Veç kësaj, është gjithashtu e vërtetë se Evropa e shpërfill shumë informacionin që vjen nga Shqipëria. Pra, vlen më shumë gjithçka që ndodh në Rripin e Gazës ose në Vatikan sesa ajo që mund të ndodhë në Shqipëri apo në zona të tjera të Ballkanit. Dua të them se një nga problemet më të mëdha, që izolon edhe gazetarët më të guximshëm, është sepse edhe në gazetari ekzistojnë territore që konsiderohen si të kategorisë së dytë.