Babai i Nazimes: Si e futa në shtëpi Fiqiri Muçën

0
61

Nikoleta Kovaçi, Shekulli, 05.09.2012

Sapo ka lënë ambientet e 313-ës. Është i lodhur dhe i mërzitur. Prapa hekurave të qelisë ka lënë sërish vajzën e tij. Vajzën, që me lot ndër sy, e përshkruan si pengun e besimit dhe të jetës së vet. Beqir Visha jeton nën këtë torturë që prej 23 majit, që prej asaj nate kur mësoi lajmin se të bijën ia kishte rrëmbyer “shoku i tij më i mirë”; ”miku”, të cilit i kishte hapur dyert e shtëpisë, i kishte dhënë vajzën e madhe për vëllain, kishin të përbashkët veç bukës dhe shoqërisë edhe një nip 4 vjeç…

Beqir Visha, ndonëse është vetëm 44 vjeç, ka pamjen e një burri kaluar thellë në moshën e tretë. Teksa ndez cigaret një pas një, ai pranon pa drojë se tashmë e ka humbur betejën me veten, si baba e burrë. Historia e Nazimes, nuk është historia e saj në të vërtet; ajo është, historia, drama dhe tragjedia e tij dhe vetëm e tij. “Isha, e pashë, por sërish e lashë aty. S’e di, më duket sikur s`do të dalë kurrë prej atyre hekurave. I çova pak ushqime dhe pak rroba, sepse do të dalë në gjyq e i duhen të paktën për atë ditë. Mu lut të mos shpenzoheshim. Më tha: ‘Kemi ushqime plot, se sjellin edhe familjarët e shoqeve të tjera të dhomës. Hamë të gjitha bashkë’. Fola me të, por s`më dilnin fjalët”.

Kësaj radhe Beqir Visha, vjen në një rrëfim krejt ndryshe: me frikën që mban emrin Lutfie, (vajza që është e martuar më vëllanë e Fiqiriut), me pengun që quhet “besim” dhe me mendimet mbi fatin e Nazimes. Miqësia me Fiqiriun, përballjet me policinë dhe gjithçka pas lajmit të vrasjes që ka bërë e bija, rikthejnë sërish në gazetën “Shekulli”, babain e Nazime Vishës, 18-vjeçares që gjendet nën masën e arrestit me burg me afat, për vrasjen e dhunuesit dhe përdhunuesit të saj.

Z. Visha, po vini nga ambientet e burgut 313-të. Si ishte vajza juaj, Nazimja?

Atje isha. Po kishte shumë rradhë dhe që prej orës 7 të mëngjesit e deri në orën 14,00 thuajse s’kam lëvizur fare prej aty. Eshtë torturë më vete të presësh prapa dyerve të burgut, por më e keqja vjen kur i kthen shpinën një fëmije, një fëmije-vajzë, se po të ishte djalë, do të ishte më ndryshe. Eshtë torturë për një baba që duket sikur e “ka prerë në besë” fëmijën e vet. S’di ç’të të them, por s’mund ta besojë askush pa e bërë provë. Mua më ra për pjesë dhe me duhet ta mbaj, por e di se e kam të vështirë dhe thuajse më vështirësohet çdo ditë dhe më shumë.

Nazimja ishte mirë. Kuptohet është e mërzitur, por edhe e lehtësuar. E merr malli për dy djemtë që kam në shtëpi. Por, kush e di, mbase drejtësia do të dijë të thotë fjalën e vet për të. Unë pres, pasi s’kam fuqi të bëj asgjë tjetër për të. Dhe besoj e kupton çdo të thotë: të mos kesh fuqi të bësh diçka për fëmijën tënd…!

Tani flisni me Nazimen për gjithçka, besoj? Të tregoi se dje ka qenë për ekspertim mjeko-ligjor?

Po, më tha. Më tregoi hollësisht gjithçka. Edhe çfarë ishte pretenduar. Unë se di se çfarë ka dalë nëpër media, apo se çfarë kanë shpikur njerëzit e tij (Fiqiriut), por Nazimja më shpjegoi hollësisht gjithçka. E rëndësishme është se s’ka probleme shëndetësore. Gjërat e tjera mbase do rregullohen me kalimin e kohës.

Z.Visha, vajza juaj ka vrarë një njeri. Keni kërcënime nga fisi i viktimës?

Jo, ose të paktën s’kanë ardhur fjalë deri tek unë. Besoj se s’kanë asnjë arsye që ata të reagojnë. Kush është sado pak njeri e kupton se vajza ime ka qenë në të drejtën e saj. Unë vazhdoj të jem i bindur se nuk iu kam asnjë lloj borxhi. Ata më kanë sërish borxh. Më ka borxh i ati i tij, se u tregua i paburrë, dhëndri im që s’bëhet i gjallë dhe nuk hap as telefonat dhe ai taksisti që e ka shoqëruar në orën 1 të natës.

Të tjerët, s’di të gënjej; s’më kanë asnjë borxh. Unë i njoh prej vitesh, që kur bëra mik buke atë njeri, më pas iu dhashë edhe vajzën e madhe për Vladimirin, por më prenë në besë. E burri si rregull nuk pret në besë. Por, edhe nëse një person i familjes devijon, janë të tjerët që të paktën dinë të ulen e të flasin. Prita se do e bënte një veprim të tillë i ati i tij, por edhe ai mashtroi. U betua në gjithçka që s’dinte gjë dhe në të vërtetë kishte qenë në dijeni të rrëmbimit të gocës nga djali i tij rreth dy orë pas ngjarjes.

Unë u verbova dhe i besova atij njeriu, deri sa më shkatërroi, më shkatërroi, pse jo në breza, por fjalët që dolën më pas ishin edhe më të rënda. Por, do Zoti e del e vërteta për gjithkënd.

Z. Visha, kur ka qenë hera e fundit që keni parë dhe komunikuar me Lutfien, vajzën që keni të martuar me Vladimir Muçën?

Nuk e kam parë që prej qershorit, besoj. Se tani s’më kujtohet mirë. Ndërsa kam komunikuar me të disa orë pas vrasjes. Ajo ishte në Ketë. Nuk dinte ende gjë për çfarë kishte ndodhur. I thashë se nëse ke ndonjë problem apo ndonjë gjë më thuaj. Më pyeti njëherë se përse po i thoja ashtu dhe më pas më pyeti se ku isha. I thashë se jam në shtëpi duke kositur bar.

Në të vërtet isha të shtëpia e prindërve të mi në Krrabë. Unë nuk e di se si e ka marrë vesh ngjarjen, çka ndodhur me të, po që prej asaj dite s’kam mundur të lidhem më në telefon me të. Madje pas nja dy ditësh që ndodhi ngjarja duke menduar se s’do ketë lekë në telefon shkova dhe i nisa dy mijë lekë se mbante numër AMC-je, por asnjëherë më ai numër nuk u hap.

Pse këmbëngule aq shumë të lidheshe me të?

Kisha dhe kam frikë për të. Pavarësisht se nuk besoj se mund të provojnë të bëjnë ndonjë gjë që s’duhet, por sa do atje në majë të malit gjithçka mund të ndodhë. Unë dhe asnjë i familjes sime nuk ka asnjë lloj kontakti me të. Megjithatë shikojmë ca punë të tjera njëherë e pastaj do të merrem edhe me të, sepse unë nuk e di se pse ai nuk i ka lënë numër telefoni sime bije.

Po me Vladimirin keni komunikuar këto kohë?

As nuk kam komunikuar dhe as nuk e kam parë që natën që më është rrëmbyer vajza. Atë natë ka qenë në shtëpinë time dhe e shpëtuan vëllezërit e gruas sime. Ata e hoqën prej shtëpie, se nuk e di se çdo të kishte ndodhur. Atë natë ai ka qëndruar në Vilës dhe s’e kam parë më. I kam rënë telefonit të tij disa herë dhe s’ma ka hapur.

Ju jeni në dijeni se vajza juaj, pra Lutfia, ka mohuar motrën e saj publikisht?

Jo. S’jam në dijeni dhe as që mund ta besoj se Lutfia ka thënë diçka të tillë. Mbase në kushtet e izolimit total që është ajo edhe mund ta ketë thënë këtë gjë, por është e pabesueshme. Ajo pret fëmijën e dytë. Jam shumë në merak për të se çfarë mund t’i ndodhë, pasi e di se momentalisht nuk i kam mundësitë t’i bie pas, por edhe nëse e ka thënë, jam i sigurt se nuk e ka thënë me shpirt.

Z. Visha, Fiqiriu ishte njeriu i juaj i besuar. Tani pas gjithë këtyre gjërave, keni arritur në ndonjë përfundim; ku ke gabuar?

Te jem i sinqertë, ende nuk e kam marrë veten të hyjë në analizë. Diçka e di se më preu në besë dhe kurrë nuk e dyshova për të mësuar se kush fshihej pas tij. Kur ma rrëmbeu vajzën më ra si bombë dhe nuk kisha kohë të mendoja se çfarë ishte, pasi gjithnjë thoja: si mund të ma bënte mua atë veprim. Por, se si rrodhën gjërat, sërish s’kisha kohë të ulesha e të mendoja për këtë. Në jetë gjithnjë kam besuar të jem i drejtë sa të mundëm dhe mos t’i bëj kujt keq. Ky ka qenë parimi im, sepse kështu na mësuan edhe prindërit tanë. Mund të them se kam gabuar vetëm se kam besuar.

Po kush ishte në të vërtet miku yt, pasi ju keni vite që punoni dhe jetoni bashkë?

Deri atë ditë që mora vesh se më rrëmbeu vajzën nuk jam lodhur ta mësoj se kush ishte. Atë ditë, ose më saktë atë mbrëmje më ndryshoj gjithçka dhe prapë ‘`isha në gjendje të mendoja drejt dhe i kthjellët. Di që kishte shumë borxhe. Kishte borxhe në njerëz që e kërcënonin edhe me marrje fëmijësh dhe me lloj-lloj gjërash.

Disa herë kam ndërhyrë për të shtyrë afatet e borxheve, në njerëz që ua dija kapacitetin se deri ku mund të shkonin dhe normalisht se nuk doja t’i bënin keq, pasi fëmijët e tij vinin në shtëpinë time, pra ishin fëmijët e shokut tim. Unë e di se ke qenë në shtëpinë time dhe i dini mirë kushtet në të cilat jetoj, por ju betohem se kurrë nuk e braktisa sa herë që përballej me borxhlinj poshtë e lart. I kam hapur dyert e shtëpisë, njësoj sikur të ishte një vëlla i imi dhe ashtu e besova deri natën e rrëmbimit të gocës.

Pas momentit që ai dorëzoi vajzën, nuk komunikove asnjëherë me të?

Si mund të komunikoja? U lidha me të atin, por m’u betua se nuk dinte asnjë gjë. Kemi vijuar të flasim në telefon me të, por ata larguan nga Manza edhe vajzën tjetër dhe e nisën për në Ketë, që unë mos të kisha mundësi të shkoja atje. Babai i tij edhe pse 75 vjeç burrë gënjeu, sepse ai e dinte që dy orë pas rrëmbimit se vajzën time e kishte marrë Fiqiriu.

Pse vetëm ai, se dinte kush tjetër?

Po. Besoj e dinte edhe Vladimiri. S’kishte se si të ishte ndryshe, por ai atë natë betohej e stërbetohej se nuk e dinte.

Ju e denoncuat zhdukjen e vajzës në polici. Më pas kur u kthye nga Burreli, sërish ishit prezent në polici. Në të vërtet çfarë ndodhi ditën e dorëzimit të vajzës?

Po. Kam denoncuar në Komisariatin nr 4. Po, nuk është vështirë. Policia blihet krejt lehtë. Ai bleu edhe policinë e Burrelit. Denoncimi im për zhdukjen u zhduk, ndërsa vajzën tentuan të ma merrnin në pyetje pa praninë time. Unë isha në hall të madh, po s’pyet kush për hallin e fukarasë. Mendova se ai do të mbahej në pranga, ndërsa time bijë e mori nëna ime atë natë dhe iku në Krrabë.

Të nesërmen u ktheva sërish në Tiranë dhe dikush më tha; ai në orën 9 (të darkës) ka lënë ambientet e komisariatit. S’më besohej. Nuk lashë vend pa pyetur për ta verifikuar dhe më në fund mësova se ai ishte lënë i lirë, se vajza ime paskësh deklaruar se ka ikur me dëshirë. Jam orvatur të marr vesh kush e bëri, po s’munda ta zbuloj.

I mbani mend punonjësit e policisë që keni komunikuar me ta?

Po, të gjithë. Ose më saktë janë tre. Po, tashmë çfarë rëndësie ka. Ime bijë është në burg dhe ata nuk duan t’ia dinë për asgjë.

Z. Visha, si e more vesh vrasjen?

Nga ora 8 e mëngjesit më kanë marrë nga Komisariati nr 4. U çudita se thashë çfarë kanë me mua prapë. Më thanë: urgjentisht duhet të vish në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. E pyeta se çfarë kishte ndodhur? Dhe mbaj mend se më ka përmendur fjalën ekzekutim. Pastaj më tha: Nazimja ka ekzekutuar filanin. U shtanga megjithë telefon në dorë. U kujtova se s’kisha me çfarë të vija dhe i thashë nuk vij dot se s’ka makina në këtë orë, por ai e mbylli. Mora njerëzit e familjes sime ku ishte vajza, por të gjithë telefonat dolën të mbyllur. Atëherë kam marrë 50-mijëshen e vetme që kisha në shtëpi dhe jam nisur kuturu.

Thashë, mbase do gjej ndonjë makinë deri në Zall-Bastar. Gjeta një fugon dhe i thashë: urgjentisht më ço deri te “Rruga-Ura”. Shoferi me tha se pa 30 mijë lekë (të vjetra) nuk mundte. U nisëm dhe në rrugë u ndaluam të blinim cigare. Shoferi e mori vesh se ç’më kishte ndodhur dhe më pas nuk pranoi të m’i merrte paratë, pasi i vinte keq dhe se i dinte hallet e mia. Kam marrë rrugën e kam dalë të shtëpia e prindërve. Aty kam gjetur kunatën time e kam qëndruar aty derisa kanë ardhur nga policia prindërit dhe dy vëllezërit.