“Gjithnjë del dikush e thotë që gazetarët e kërkojnë vetë”

0
42

Nga Rudina Xhunga

Ezio Mauro, drejtor i gazetës “La “Repubblica”, flet për emisionin “Shqip”

Po flitet shumë kohët e fundit në Itali për shtypin e lirë dhe mënyrën se si shprehet kjo liri. “La Repubblica” ka qenë një nga ato gazeta që ka luftuar në radhë të parë dhe në njëfarë mënyre ka paguar edhe pasojat. Doja të kisha një koment nga ju për përgjigjet që kryeministri i ka dhënë dhjetë pyetjeve tuaja. Ju keni pasur gjithashtu mbështetjen e shtypit ndërkombëtar.

Beteja gazetareske që ka bërë “Repubblica” është po ajo që ka bërë dhe shtypi ndërkombëtar, shtypi i madh evropian dhe ai amerikan. Pra, kush thotë që qëndrimi ynë ishte i pazakontë dhe i habitshëm, sapo hedh shikimin jashtë oborrit të shtëpisë sonë, e kupton që pozicioni, gjykimet dhe shqetësimet tona, që ka përdorur “Repubblica”, janë po ato që ka përdorur shtypi i madh evropian. E kjo qe shumë e rëndësishme, sepse kryeministri ndjeu peshën e opinionit publik, të një pjese të opinionit publik italian që ne përfaqësojmë dhe të opinionit publik ndërkombëtar. E në fund kryeministrit iu desh t’i përgjigjej 10 pyetjeve. Ky është një rezultat i madh lidhur pikërisht me përgjegjësinë që ka pushteti. Në fund të fundit, përpjekja e një gazete, bashkë me gazetat e tjera evropiane, e detyroi pushtetin që të marrë përgjegjësitë përpara pyetjeve të shtruara nga opinioni publik dhe u detyrua të përgjigjet.

Të mbajmë parasysh se Berluskoni pati sharë gazetarët tanë që i bënin pyetje, i pati uruar falimentimin korrespondentit të “El Pais”, Miguel Mora, që i bënte pyetje, pati ftuar sipërmarrësit që të mos bënin reklama në gazetën “La Repubblica”, i pati bërë thirrje italianëve që të mos blejnë gazetat, por të shohin vetëm televizor, sepse lajmi i mirë jepet në televizion, ndërsa ai i keqi në gazeta. Ai arriti deri aty sa të padiste ekzistencën e një komploti golpist, të “Repubblica” dhe të gazetave të huaja, a thua se ekziston një Internacionale e gazetave, që në realitet nuk ekziston, e në fund ai pati hedhur në gjyq dhjetë pyetjet, i vetmi rast në botë ku një lider politik hedh në gjyq pyetjet, sepse nuk do t’iu përgjigjet atyre. Në fund iu desh t’i përtypte të gjitha këto dhe t’i përgjigjej pyetjeve. Nëse do të pyesim se si iu përgjigj pyetjeve, është e qartë, përgjigjet ishin shumë të dobëta, sepse para së gjithash zgjodhi të përgjigjet në librin e intervistuesit të tij të preferuar, Bruno Vespa, që është edhe noteri i tij personal, sepse në emisionin e tij “Porta a Porta”, nënshkroi edhe kontratën show me italianët.

Libri është botuar nga shtëpia botuese “Mondadori”, pronë e kryeministrit, i cili kishte kështu kontrollin e plotë të këtij operacioni. Ai evitoi ballafaqimin me “Repubblica”, intervistuesi i tij ia riformuloi pyetjet në formën më të rehatshme e komode për të, e mbi të gjitha i garantoi vetes kontrollin absolut të këtij operacioni. E megjithatë, iu desh të përgjigjet, e në përgjigjet që dha, denoncoi një limit, pra se nuk është në gjendje t’i thotë të vërtetën italianëve mbi këto ngjarje që kanë shkaktuar skandal te shtypi ndërkombëtar në shtatë muajt e fundit. Pra, përgjigjja e vërtetë dhe e madhe që arriti, ishte paaftësia për t’i dhënë një përgjigje bindëse italianëve, paaftësia për të qartësuar gjërat, për të marrë përsipër një përgjegjësi deri në fund, për të treguar fakte konkrete që të heqin çdo lloj dyshimi, që t’i thoshte italianëve se e vërteta është kjo e më gjykoni për këtë të vërtetë. Nga njëra anë atij iu desh të përgjigjet, por nga ana tjetër ka treguar një limit në momentin kur përgjigjet, pasi është sikur të thoshte: “Unë ju përgjigjem, por më shumë se kaq nuk mund të shkoj”. E për një figurë politike kjo më duket diçka domethënëse.

Në këtë betejë “Repubblica” ka qenë e vetme. A jeni ndjerë të vetmuar në këtë betejë tuajën, megjithëse në manifestimin e tetorit dukej se ishte e kundërta?

Të vetmuar, kurrë, sepse gazetat ndërkombëtare i morën pyetjet tona, i bënë të vetat, i shtruan sërish, bënë intervista, hetime, dëshmuan pra që hetimi gazetaresk i vazhdueshëm që ne bënim mbi pushtetin, duhej bërë dhe ishte diçka që i interesonte Evropës. Pastaj nuk jemi vetëm, sepse kemi lexuesit tanë. Për fat të mirë, lexuesit tanë gjatë këtyre muajve janë shtuar në mënyrë të konsiderueshme dhe kjo është përgjigjja më e mirë që ne patëm. Pastaj, siç thatë edhe ju, çdo herë që opinioni publik ka pasur mundësi të mobilizohet, ajo pjesë e opinionit që pyet, që dëshiron të njohë, që kërkon shpjegime nga pushteti, aq më mirë me përgjigje bindëse që të largojnë çdo dyshim, më bindi, sepse tha diçka shumë të qartë, të prerë dhe të pandryshueshme. Pra ajo pjesë e opinionit publik që do të dijë, është shprehur çdo herë që i kemi dhënë mundësinë gazetareske për ta bërë. Kur tre juristë, Zagrebelsky, Cordero, Rodotà, nënshkruan një thirrje për lirinë e shtypit, 500 mijë persona firmosën me emër e me mbiemër, adresë shtëpie, profesion etj., pra u ekspozuan dhe morën një pozicion.

Kur kryetari i qeverisë fyeu Rosy Bindin në televizion, tri gra, Barbara Spinelli, Nadia Urbinati e Michela Mazzano, nënshkruan një thirrje, në të cilën thoshin se një qëndrim i tillë fyen gratë dhe demokracinë. 100 mijë gra të tjera nënshkruan gjithashtu në website e “Repubblica”. Manifestimi që përmendët ishte një manifestim i pamat në Piazza del Popolo. Ky manifestim nuk ishte i organizuar nga ne, ne nuk hipëm në tribunë, ishim në shesh, mes njerëzve. Pjesëmarrja qe shumë e madhe e njerëzit vinin në tavolinën e “Repubblica”, që ishte si një banket i vogël, e na thoshin: “Mos na lini!” Kjo nënkuptonte, mos e lini këtë punë, mos e lini këtë hetim. Por kjo shprehje donte të thoshte gjithashtu “mos na lini neve”, sepse “ne duam të marrim pjesë në këtë debat publik”. Unë besoj thjesht te diçka, aty ku pushteti nis e gënjen, aty krijohet hapësirë për gazetarinë. Në shërbim të kujt? Në shërbim të së drejtës së qytetarit për të njohur e për të ditur. Nëse qytetari do të mund të njohë dhe të dijë, ka mundësi të shprehë gjykimet e tij. Nuk ka fare rëndësi që gjykimi i tij të jetë si i imi. Rëndësi ka që ai të jetë në gjendje të krijojë një opinion të tijin, gazetat shërbejnë vetëm për këtë gjë.

Desha t’ju pyes për rastin e gazetarit shqiptar të sulmuar kohët e fundit. Nuk di se ç’mendoni ju për një vend ku ndodh diçka e tillë. Përveç dënimeve që i janë bërë këtij akti, ka pasur edhe zëra që në njëfarë mënyre çonin në ekuacionin që, “një gazetar që ka një qëndrim të tillë, duhet t’i parashikojë edhe rrjedhojat”.

Shpresoj që ky të jetë një rast i rrallë, e që në Evropë, në botën tonë, të mos ketë gazetarë që mund të sulmohen për profesionin, rolin dhe funksionin e tyre. Është e qartë se gjithnjë del dikush e thotë që gazetarët e kërkojnë vetë. Është e qartë se, po qe se gazetarët rrinë urtë e syulur, nëse nuk shohin atë çka ndodh në realitet, dhe nuk shprehin opinionet e tyre, atëherë kanë jetë të qetë. Por nuk është kështu zanati ynë. Nuk është ky zanati ynë. Një gjë duhet të jetë e qartë ama, se askush nuk pret prej nesh heroizëm, pret ndërgjegje profesionale. Mjafton të bësh me ndërgjegje punën tënde, ashtu siç i kërkojmë që të bëjnë me ndërgjegje punën e tyre personave që takojmë në jetën e përditshme. Nëse çon makinën te mekaniku për ta rregulluar, ti kërkon që ai ta bëjë me ndërgjegje punën e tij. Pra edhe ai që blen gazetën, pret që unë të bëj me ndërgjegje punën time, duke iu përgjigjur rregullave të zanatit tim.

Por edhe në Itali ka pasur episode që të bëjnë të mendosh. Në mes të muajit gusht, kur Berluskoni ishte në mes të skandaleve e sulmeve të shtypit evropian, më shumë të shtypit të huaj se atij italian me thënë të drejtën, gazeta që është pronë e familjes së tij ndërroi drejtor. Përpara se të largohej, drejtori i vjetër shkroi një artikull, në të cilin thoshte se ikte, jo me dëshirë, por se i kishin thënë të ikte. Ai vazhdonte: “I kam bërë të gjitha betejat që kam menduar se duheshin bërë, me përjashtim të njërës, të gërmoj nën çarçafët e drejtorëve dhe botuesve të gazetave të tjera”. Pra, kjo i ishte kërkuar të bënte dhe ai nuk e kishte pranuar.

Një javë më pas, me drejtorin e ri, gërmuan në shtratin e drejtorit të “Avvenire”, gazeta e peshkopëve italianë, dhe nxorën një histori gjyqi të botuar një vit më parë nga “Panorama”, pa asnjë arsye dhe pa lidhje me gazetarinë. Botuan një fletë anonime, të shkruar në gjuhën e shërbimeve të fshehta, në të cilën drejtori i “Avvenire”, akuzohej për homoseksualitet. Humbi postin e tij, punën e tij, gazetën e tij. Faji i tij i vetëm ishte se kishte kritikuar Berluskonin në gazetën e tij, atë të peshkopëve italianë.

Një javë më pas kryetari i Dhomës së Deputetëve u sulmua po nga gazeta e familjes Berluskoni, sepse pati mbrojtur parime kushtetuese. U ftua të bashkohet me mendimet e kryeministrit, me kërcënimin se do t’i nxirrej një histori e vjetër me sfond seksual. Thënë me fjalë të tjera, është bërë përpjekja për të kufizuar lirinë politike dhe personale të autoritetit të tretë të Republikës, dhe nuk është gjë e vogël.

Kur flitet për lirinë e shtypit e në mjediset pranë Berluskonit thuhet se në Itali të gjithë janë të lirë. Ne jemi një demokraci, e as që vihet në diskutim liria, edhe ajo na duhet. Unë, që jetoj në një demokraci, pretendoj që demokracia imë të funksionojë. Të shtrojmë pyetjen: Cila është cilësia e demokracisë në të cilën jetojmë? A ka ndonjë vend tjetër ku pushteti politik përdor gazetat për të sulmuar, jo në planin e ideve, pasi gjithkush ka të drejtën të shkruajë, dhe nëse ajo çka shkruaj unë është e gabuar, secili mund t’i kundërshtojë dhe të më tregojë pse janë të gabuara idetë e mija, por të bëhen kërcënime me sfond seksual ndaj personave që kanë shprehur opinione të kundërta apo kritika, epo kjo nuk ndodh në asnjë vend perëndimor.

Politikani që njihet në histori si armiku më i madh i shtypit, Richard Nixon, kur ishte nën hetimin e “Washington Post” për skandalin Watergate, nuk ka përdorur as një të njëqindtën e mjeteve që përdor kryeministri italian për t’u mbrojtur.

Ju thoni kështu, ndërsa përkrahësit e Berluskonit thonë se ndër rreth 100 gazeta që dalin çdo ditë në Itali, kryeministri ka vetëm një, me një tirazh rreth 200 mijë kopje…

A njihni juve një lider politik, president a kryeministër të një vendi tjetër që ka në pronësi një gazetë? Një, vetëm një më thoni. Presidenti Sarkozy, kryeministri Gordon Brown, mbretëresha Elisabetta e Anglisë, hë pra njihni ndonjë? Zonja Merkel mbase, apo kryeministri Zapatero? Unë s’njoh ndonjërin. Njeriu më i pushtetshëm në botë, presidenti Obama, mos ka në pronësi ndonjë gazetë? Një gazetë që përdoret për të sulmuar në planin personal njerëzit që e kritikojnë? Kjo është e paparë. Siç është e paparë që një lider politik të ketë tri kanale televizive dhe nëpërmjet politikës të kontrollojë edhe tri kanale shtetërore.

Duke vazhduar e folur me gjuhën e atyre që e mbrojnë kryeministrin, ju them se në këto kanale ka dhe zëra që kritikojnë Berluskonin, si p.sh., Santoro.

Pse, çfarë pretendojnë të na japin? Mendimin unik dhe të uniformuar? Shqiptarët besoj se e dinë mirë se për çfarë flitet. Do ketë akoma nga ata që e mbajnë mend si ishte regjimi. Mos duhet të fillojmë të krahasohemi me të? U habitkemi që ekzistokan dhe zëra jashtë mendimit predominues? Kemi arritur në këtë pikë mbase? E përsëris, ne jemi një demokraci. Për këtë duhet të jenë të ndërgjegjshëm të gjithë.