TemA Online, 7 Shtator 2012
Pas hapjes së zarfeve të kompanive që dëshirojnë të blejnë Albpetrolin, ka një çmim që shkon pak mbi 1 miliard dollarë dhe një heshtje varri nga kryeministria, e cila gëzohet dhe për 1 milion dollarë. Çfarë po ndodh?
Të gjithë e mbajmë mend Berishën pas çdo privatizimi, përfshi atë të ARMO-s, që del e përshëndet garën dhe i quan ankandet fitore historike. Ofertat e sotme ishin “anomalisht të larta” dhe duhet ta kishin prekur thellë Berishën në emocionet e tij të papërmbajtura.
Por ai nuk po flet, nuk po bën asnjë përshëndetje dhe nuk po gëzohet, edhe pse qeveria s’ka lek për benzinë. Përkundrazi qeveria duket sikur i ka rënë zia. Fazlliçi që mbështeste Gazprom-in ka dhënë vetëm 50 milionë euro, Bankers ka dhëne 300 milionë dhe është gati tre herë më pak se oferta e klasifikuar e para. A thua nga kjo të jetë mërzitur?
———————

REUTERS: Oferta për Albpetrolin sa 10 përqind e GDP-së së Shqipërisë
TemA, 7 Shtator 2012
Vetro Energy, një konsorcium me bazë në SHBA, ka ofruar 850 milion euro për Albpetrolin, më shumë se dyfishi i vlerës për asetet e kompanisë shtetërore shqiptare të naftës, thanë këshilltarët e shitjes.
Oferta e Vetro Energy, e barabartë me 10 përqind të prodhimit të brendshëm bruto (GDP), ishte një nga pesë ofertat e hapura të premten përpara një audience ku përfshiheshin edhe reporterë, përfaqësues të kompanive ofertuese dhe bordi shtetëror i rishikimit të procesit.
Duke bërë ofertën përmes konsorciumit Vetro Silk Road Equity Ltd jashtë Singaporit, Vetro Energy tejkaloi ofertën prej 790 milion eurosh të Amber Shine.
Blerësi do të fitojë të gjithë asetet mbi tokë të Albpetrol dhe të drejtën për të eksploruar dhe shfrytëzuar gazin e naftën në territorin shqiptar për 25 vjet.
Për të ëmbëlsuar më shumë marrëveshjen, qeveria i ka dhënë Albpetrol edhe të drejtën për të ndërtuar një rafineri dhe për të transportuar dhe shpërndarë gazin natyror.
Sokol Dervishaj, zëvendësministër i Ekonomisë dhe kreu i bordit të shitjes, tha se ofertat do të shqyrtohen. Ai nuk dha një datë për shpalljen e fituesit.
Bankers Petroleum e Kanadasë, që ka një marrëveshje për ndarjen e prodhimit me Albpetrol në Patos- Marinzë, ofroi 304 milion euro, kurse konsorciomi kinez Win Business ofroi 298 milion euro. JSC Gazprom Neft ofroi 52 milion euro.
Shtatë nga tetë fushat e naftës të Albpetrol drejtohen nga kompani të huaja sipas marrëveshjes së ndarjes së prodhimit. E teta, në Amonikë, operohet nga Albpetrol.
—————
Kush fshihet pas ofertës më të lartë për Albpetrol?
TemA, 7 Shtator 2012
Essad Puskar dhe Rezart Taçi
Pak orë pas hapjes së ofertave në tenderin e shitjes së ‘Albpetrol’ dhe ofertës surprizë, nisin e dalin në dritë edhe dyshimet dhe pikëpyetjet e para.
Konsorciumi i përbërë nga ‘Vetro’ dhe ‘Silk Road Equity’ që ofroi çmimin më të lartë prej 850 milionë euro, të paktën nga të dhënat që mund të merren publikisht nuk rezulton të ketë eksperiencë në fushën energjetike, një kriter detyrues për blerësin e ‘Albpetrol’.
‘Silk Road’ është një fond amerikan investimesh nga Çikago, ndërsa ‘Vetro’ një kompani nga Singapori për të cilën ekzistojnë shumë pak informacione publike.
Por dyshimet që lidhen me kriterin strategjik nuk janë të vetmet. Madje, janë të tjera fakte ato që hedhin dyshimet më të forta mbi këtë privatizim ende në tentativë.
Në tender ky konsorcium përfaqësohej zyrtarisht nga Essad Puskar, një boshnjako-amerikan shumë i njohur deri tani jashtë Shqipërisë, veçanërisht në Kosovë.
Puskar, një personazh kontrovers, ishte njeriu në qendër të skandalit që shoqëroi zgjedhjen e Behxhet Pacollit president në Kuvendin e Kosovës më 22 shkurt të vitit të kaluar.
Gjatë seancës për zgjedhjen e Pacollit ishte pikërisht ky individ që shërbente si ndërmjetës në komunikimet me mesazhe mes ish-ambasadorit amerikan në Prishtinë, Chris Dell dhe vetë zotit Pacolli.
Nga lëvizja Vetëvendosje ai është pagëzuar me emrin “Damir Fazlliçi i Kosovës”. Ky i fundit ndoshta jo fort rastësisht mbërriti në Tiranë mbrëmjen e vonë të së enjtes, i përfolur si lobues për një tjetër kompani në tender.
Me sa duket, betejën e ndërmjetësve kontronversë deri tani e ka fituar boshnjaku më i ri. Por në fakt, lidhjet e Puskar nuk janë të forta vetëm në Kosovë.
Nga një kërkim i thjeshtë në internet zbulohet se Puskar ka shërbyer edhe si këshilltar i parë i një biznesmeni të njohur dhe po kaq kontrovers në fushën energjitike në Shqipëri, Rezart Taçit.
Të dy i bashkon edhe një histori me Azerbaxhanin. E ndërsa Taçi së fundmi është përballur me probleme në gjykatë me Bankën Kombëtare Azere për një borxh prej 75 milionë eurosh për blerjen e ‘Armo’, Puskar ka qenë mjaft aktiv në Baku muajt e fundit, me takime të nivelit të lartë dhe premtime për hapësira të reja investimi në Europë.
Kjo lidhje po risjell në vëmendjen e publikut një skenar të ngjashëm pak vite më parë, kur qeveria shqiptare privatizoi pikërisht ‘Armo’. Edhe në atë kohë, fillimisht u tha se blerësi ishte një kompani amerikane nga Teksasi, por që më vonë rezultoi të ishte Rezart Taçi.
Amerikanët nuk u dukën asnjëherë në Shqipëri dhe emri i tyre nuk u lakua më pas përfundimit të tenderit. Përfshirja e Puskar në tenderin për ‘Albpetrol’ i shton edhe më shumë dyshimet se kush qëndron pas ofertës për blerjen e ‘Albpetrol’.
Nga vijnë paratë dhe kush është e mund të jetë vërtetë pronari i ri i ‘Albpetrol’, amerikanët e konsorciumit apo azerët e Sokar?/TCH







