Për Gardën e 21 Janarit!

0
62

Nga Mero Baze, 28 Shtator 2013

Ka disa gjëra për të cilat Sali Berisha duhet dëgjuar. Një prej tyre është lidhja që ai bën mes shkrirjes së Gardës, një emërtesë alla iraniane në strukturat e shtetit shqiptar, dhe 21 Janarit. Ai thotë se “Garda” po shkrihet si hakmarrje për atë çfarë ka bërë më 21 janar.

Saimir Tahiri, në fakt nuk ka qenë kaq i qartë sa Berisha në këtë pikë. As socialistët e tjerë nuk kanë shumë zell ta lidhin këtë çështje me 21 janarin. Por, unë mendoj se në këtë rast duhet dëgjuar Berisha. PO! Garda do t’ia vlente të shkrihej qoftë dhe për 21 Janarin, për “rregulloren e Gardhit”, rregulloren e “Bulevardit”, rregulloren e “godinës” dhe broçkulla të tjera që u shpikën për të mbrojtur vrasjet.

Përse është e rëndësishme të lidhet, siç thotë Berisha, me 21 Janarin?

Së pari, për t’i treguar Berishës se pushtetit të ri, Garda nuk i duhet për të vrarë qytetarë të pafajshëm. Nëse Berisha ka ndërmend të bëj demonstrata, mund t’i bëjë pa merak. Mund të rrijë atje ku vrau Aleksin, Ziverin, Faikun apo Hekuranin dhe askush nuk do ta vrasë. Pikërisht pse kjo Gardë pushtetit të ri nuk i duhet për të njëjtat qëllime si Berishës, dhe mbi të gjitha, nuk i duhet për të vrarë opozitën, ajo duhet shkrirë. 21 Janari është një arsye e madhe në këtë mes, pasi ajo është dita kur Berisha vrau përmes gardës së tij personale, katër qytetarë të pafajshëm, të paarmatosur, të pafuqishëm dhe të parrezikshëm për të përmbysur pushtetin me dhunë, dhe në vend që të çonte vrasësit në gjykatë, u bë kryegardisti i tyre për t’i shpëtuar nga drejtësia. Për faktin e vetëm se kjo shumicë e re, nuk ka ndërmend të vrasë ndonjë qytetar, qoftë ky dhe demonstruesi i vetmuar Sali Berisha, asaj nuk ka çfarë i duhet Garda e Berishës.

Së dyti, Garda është e panevojshme për t’u vënë në dispozicion të kryeministrit të ri në atë mënyrë si ka mbrojtur Berishën. Ne i kemi të freskëta pamjet, biles kemi dhe fotografitë, ku Berisha në një miting kishte 50 gardistë dhe 20 qytetarë, plus antiplumbin e shtrenjtë me vete. Ai kishte probleme personale dhe psiqike me makthin për jetën. Armiqësitë që ka prodhuar, përdormi i pushtetit për qërim hesapesh personale, vrasjet politike, dhe linçime fisnore që ka bërë po në emër të pushtetit, i kishin krijuar atij paranojën se dikush do ta vriste. Ishte kjo arsyeja që ai nuk e ndau kurrë antiplumbin dhe 50 gardistët pas vetes. Nëse Edi Rama fillon e katandiset që ta ruaj garda nga armiqtë, të jap një orë e më parë dorëheqjen dhe t’i kthehet lirisë së tij personale, pa qenë nevoja të mbyll jetën nën një gardh tropojanësh, që bëjnë sikur të ruajnë.

Kryeministrin nuk e mbrojnë badigardët dhe antiplumbi, por politika e tij. Nëse ai qeveris në të mirë të vendit, nëse nuk është epiqendër pushteti personal dhe ndarës të mirash materiale si shpërblime fisnore, nëse nuk është një njeri që kap shtetin përmes pushtetit dhe sillet si Sulltan, nëse nuk prek të drejtat e njeriut dhe liritë e tjera në vend, ai nuk ka asnjë rrezik. Nëse të gjitha ato që thashë i shkel, ai duhet të iki një orë e më parë si kryeministër dhe t’i hap rrugën dikujt që e meriton jo vetëm karrigen e kryeministrit, por dhe lirinë për të qenë i pafrikësuar.

Së fundmi, siç thotë Berisha, Garda duhet shkrirë edhe për atë që ka bërë më 21 Janar. Komandanti i saj, Ndrea Prendi, ka vrarë një qytetar dhe është i dyshuar për të dytin. Agim LLupo po ashtu. Një strukturë e tërë shtetërore ka pranuar të përdoret politikisht, në një version paranojak të “grushtit të shtetit” nga një i sëmurë psikik, i rënduar pas vrasjeve dhe gjakut. Greqia, vendi ynë fqinjë, po nxjerr jashtë ligjit dhe po fut në burg, një parti të tërë politike vetëm se ajo ka demonstruar kolektivisht shenja dhune dhe vrasje mbi qytetarë në emër të paranojave të saj. Tek ne më keq akoma, nëse pranojmë versionin e Berishës, Garda paska shtypur një “puç shteti”. Meqenëse kjo paranojë që mori katër jetë qytetarësh nuk u provua kurrë, meqë “Komisioni Halimi- Strazimiri” prodhoi vetëm dy personazhe qesharakë në vend të dosjeve të puçistëve, meqë Berisha nuk ka argument tjetër veç paranojës së tij se këta na kanë shpëtuar nga “puçi”, meqë nuk ka “Puç”, është mirë të mos ketë as Gardë.

Një shtet normal demokratik ka policinë e rendit, që ka statusin e saj se si duhet të sillet me tubimet politike dhe vendosjen e rendit. Polica jonë ka qenë model më 21 Janar. Ajo jo vetëm që ka zbatuar ligjin, por dhe ka denoncuar stuktura shtesë që degraduan situatën, siç është Garda. Shqipëria si një vend që po shkon drejt Evropës, duhet të mbështetet tek struktura të kontrolluara nga ligji dhe Kushtetuta dhe jo nga struktura që komandohen nga Shkëlzeni.