Ndarjet e “Popullit të Zotit”!

0
37

Rexhep Kasumaj, Berlin, dimër 2015

(Një portret ftyrëposhtërish)

“I dashur, mos bjer në mejtime,
Nesër një tjetër fytyrë ata do i shfaqin kësaj bote,
O krijonjësi i tyre! Ja cila është raca jote!”
Ah, kjo Fjalurta e Emersonit, është, vallë, prorë e kudo goditëse?
Në një cep të rrokullisë, Kosovë me emër, ka një soj të veçantë grabitqarësh të Fuqisë, që vijëzojnë krejt të kundërten e tabllosë së tij zhdërvjelltësore…

Si askush tjetër, ata pohojnë zellshëm dialektikën natyrale dhe, brenda saj, përjashtimin e artë nga rregulli përgjithësor. Ndaj, edhe kur rastis ta ndërrojnë si e do moti, fytyra e tyre, megjithë lyrën vizlluese, po ajo mbetet: gjithmonë e poshtër!..

Mirëpo, shëmtia e njëmendtë vete përtej lëkurës së lëmuar. Është thellë e betonuar në mjerimin e etikës a shpirtit skamnor. Pa dije e intuitë, e, njëkohësisht, pa dedikim e përvujtni, kastë e ndjekës shpërbetarë bashkë, janë mbytur qyshkur në knetën e ligësisë dhe fajit epokal. Eko flet diku (“Emri i trëndafilit”), për një “kushtetutë të pendestarisë”, që sanksionon shpërlarjen e mëkateve ngadalë e ndër vite. Veçse për këta, si të askundparë që janë, nuk vlejnë shkresurinat e tilla të reflektimit a të ndëshkueshmërisë. Qëndrojnë dhunësisht sipër çdo shkronje e mbi çdo arsye: të qiellit e tokës…Janë jurisdiksioni vetë! Me ligjin dhe instrumentin e tij t’kapërthyer që duhet ti bëj rojë pushtetit të gënjeshtrës. Sepse ata i frikësohen shumë të vërtetës, e meqë ajo është fillesë e lirisë – aherë do të urrejnë dhe atë, dritën që i mneron…

E, të poshtëshkelurit e tyre, të truar e bërë dhé, kanë humbur, ashtu, të drejtën më të vjetër e të fisme njerëzore: të drejtën e vegimit. Të drejtën për të parë një shkëndijim të largët, por që terri nuk e jep kurrësesi..!

Populli i Zotit (sipas Ekos, sërish) paskësh kryehershëm një ndarje klasike llojesh: në barinjë, në qen e në dele. Dhe, ndërsa të parët janë të gjithëfartë e të pëzjerë, grupimet e të mëpasmëve, për fatkeqësinë e të fundmëve, janë, ndërkaq, lehtë të diktueshme. Që këndej pra, zagarë e kope – ja, edhe kjo Hyj, është raca e jote…
R. K.