TemA TV/ Saimir Tahiri shkrin Gardën e Republikës (VIDEO)

0
72

TemA Online, 27 Shtator 2013

Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, ka vendosur shkrirjen e Gardës së Republikës.

Lajmi u bë i ditur gjatë një takimi me drejtuesit e Gardës.

Ndërkohë, Tahiri ka theksuar se ngjarja e 21 janarit nuk mund të arkivohet dhe se drejtësia për vrasjen e 4 protestuesve do të vihet në vend.

Këtë gjë Tahiri e ka thënë në një takim me drejtuesit e Gardës së Republikës, që ironikisht është përgjegjëse për vrasjet. Tahiri ka theksuar se te shumica e punonjësve të këtij institucioni është ndjerë padrejtësisht një barrë e rëndë për atë që ndodhi në 21 janar, por veprimet e disa punonjësve të saj nuk mund të bien mbi të gjithë.

Nuk besoj ekziston ndokushqë e fsheh dot peshën e përgjegjësisë që rri mbi Gardën e Republikës që prej ngjarjeve tragjike të 21 Janarit, dhe procesit që pasoi.

DEKLARATA

“Shumica dërrmuese e efektivit të Gardës së Republikës, është ndjerë padrejtësisht e ngarkuar me një barrë përgjegjësie publike jo të vogël. Them padrejtësisht, sepse veprimet kriminale të disave, hodhën baltë të pamerituar mbi vetë institucionin e Gardës së Republikës. Por mbi të gjitha, mbi efektivët e ndershëm të Gardës së Republikës, të cilët sot dua t’i falenderoj e t’i siguroj se garanci për karrierë është besimi te përmbushja e detyrës sipas ligjit.

Ka dhe një pjesë tjetër, ndonëse e vogël, që edhe pse drejtësia nuk është vënë në vend për vrasjet e 21 Janarit, nuk i shmangen dot peshës së fajit, drejtësisë dhe përgjegjësisë përpara ligjit. Kjo vlen për atë pakicë që 21 janarin e ktheu në masakër, por dhe për atë pakicë që procesin gjyqësor e ktheu në tifozllëk.

Është në vullnetin e qeverisë dhe të Kryeministrit Rama, por edhe në insistimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, për të bërë drejtësi për vrasjet në 21 janar. Sepse 21 Janari nuk është ngjarje që mund të arkivohet. Ndaj jam më shumë se i vendosur të bëj gjithçka është në kapacitetin tim ligjor, për të ndihmuar drejtësinë në një proces që duhet të përfundojë me nxjerrjen e përgjegjësie konkrete për të gjithë ata që vranë, ata që urdhëruan, ata që ndihmuan, ata që fshehën provat dhe ata që penguan drejtësinë të bënte drejtësi. Dhe kam besim që çekiçi i drejtësisë nuk do vonojë, dhe pse sot rri pezull mbi kokat e atyre që vranë bashkëqytetarë të pafajshëm.

Ky institucion është deformuar gjatë këtyre viteve. Jo vetëm në funksion, por edhe në përmbushje të detyrës, në efektivitetet e mbi të gjitha në politizim dhe faturë financiare për buxhetin e shtetit.

Ndaj reforma në Gardën e Republikës është e domosdoshme. Së pari për ta kthyer në një institucion efiçent në përmbushjen e misionit dhe detyrave. Për të shmangur faturën buxhetore të paarsyeshme, por mbi të gjitha, për të larguar përfundimisht drejtimin politik nga Garda e Republikës dhe për ta shndërruar në një institucion modern, profesional, efektiv dhe eficent.

Sot fillon procesi i reformës më themelore në këtë institucion, ndoshta më i rëndësishmi në 85 vjetët e ekzistencës së këtij institucioni. Garda e Republikës nuk do të ekzistojë më si e tillë. Brenda 100 ditëve, do ketë përfunduar procesi i reformimit dhe modernizimit, për ti dhënë jetë Drejtorisë së Ruajtjes së Personaliteteve dhe Objekteve të Rëndësisë së Veçantë, e cila nuk do të varet më nga Ministri i Brendshëm siç ishte deri më sot Garda e Republikës, por do të jetë në zinxhirin e kompetencës dhe përgjegjësisë së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Njëkohësisht duke synuar që efektivët e Gardës së Republikës të jenë profesionist të vërtetë, të dedikuar dhe të varur vetëm nga forca e vullneti i ligjit. Jo militantë, jo amatorë, jo instrument politik. Kjo reformë, do rrisë ndjeshëm efektivitetin e forcës dhe përmbushjen e detyrës. Do kursejë fonde buxhetore dhe hallka burokratike të tepërta, e mbi të gjitha, do garantojë standardet më të larta të sigurisë në përmbushje të detyrave funksionale të këtij institucioni. Por mbi të gjitha, do garantojë depolitizimin e këtij institucioni, duke mbyllur përfundimisht kapitullin e deritanishëm.

Në përfundim të reformës, do kemi një institucion modern, eficent dhe profesional, që pa asnjë dyshim, do rikthejë krenarinë dhe dinjitetin e kësaj force. Procesin e reformimit dhe modernizimit do e udhëheqë z. Gramoz Sako, të cilin e kam komanduar me përgjegjësinë për të përballur sfidat e reformimit të institucionit, së bashku me ju. Siç jam shumë i bindur se kontributi i secilit prej jush është më shumë se i vyer për suksesin e reformës”.