Nga Mero Baze
Unë mund t’i kuptoj fare mirë gardistët e rinj, që u bie fati të shoqërojnë djemtë e qeveritarëve tanë, dhe nga një fshat i Dibrës gdhihen milionerë në Tiranë duke marrë përsipër pasuritë e të tjerëve. E kuptoj fare qartë dhe fudullëkun e zengjinit të ri, arrogancën mafiozo-ushtarake që ia imponon pushteti i ëndërruar i tij. Deri këtu jemi në nivelin e veseve të njeriut që është fabrikuar për të qenë mbulesë për dikë në pushtet. Por ajo që po ndodh me këtë krim, është shumë më e rëndë. Ky krim, i cili mund të mbetej një ngjarje e zakonshme e kronikës së zezë, ka testuar një tumor të rrezikshëm në trupin e shoqërisë shqiptare: frikën për të folur kundër agresorit. Kjo nuk është më vepër e agresorit. Kjo është vepër e pushtetit.
Nëse deri më dje isha i shqetësuar për heshtjen e shtypit për viktimën, sot kur zërat në shtyp po shtohen, ne po zbulojmë një pasojë të pariparueshme që ka prodhuar kapja e shtetit prej krimit në këtë vend. I riu 21 vjeçar, që po lufton me vdekjen në Spital Ushtarak, e ka marrë qartazi mesazhin nga agresori dhe tani ka gjetur si alternativë mbijetese faktin “që nuk e mban mend se kush e qëlloi nga grupi” ku ishte dhe gardisti. Për të gjithë ata që njohin sadopak tiparin themelor të një shoqërie mafioze, kudo që janë krijuar ato, “frika për të folur” ka qenë identiteti i tyre. Çdo përpjekje për të mposhtur mafien ka nisur nga përpjekja për të mposhtur frikën prej saj dhe sidomos frikën për ta denoncuar. Ka mijëra filma e qindra mijëra libra të shkruar për këtë histori të vjetër të betejës për të vrarë frikën para se të vrasin mafiet. Shoqëritë që ia kanë dalë ta bëjnë këtë, kanë mundur dhe mafien. Ato që kanë heshtur, janë ende sot në sundimin e tyre.
Shqipëria duket se po hyn 20 vjet pas rënies së komunizmit përsëri në Kodin e Heshtjes që dikton mafia.
Nëse ka një tipar të spikatur ky pushtet, është marrja në mbrojtje e personave të inkriminuar kur ata janë në shërbim të pushtetit. Nuk dua të kujtoj këtu gjithë zyrtarët e lartë të shtetit shqiptarë që duhet të ishin para drejtësisë, por dhe raste ordinere kur mafia ka prekur njerëz kritikë të qeverisë. Nëse ka një gjë të frikshme në gjithë agresionin fizik të Rezart Taçit ndaj meje dhe dy kolegëve vitin e shkuar, nuk ishte përmbajtja e incidentit, por angazhimi i pushtetit për të qenë në krah të Rezat Taçit menjëherë pas incidentit. Njerëzit e Sali Berishës në polici të shtetit e mbajtën atë të lirë dhe të pa marrë në pyetje derisa Gjykata u detyrua të priste fletë- arresti për të. Duke dalë menjëherë në anën e agresorit, pushteti do të japë mesazh frike, që askush mos të guxojë të ngrejë kokë kundër tij. Ky është rasti tipik kur pushteti po kërkon t’i jap mesazh gjykatave, prokurorisë dhe opinionit publik se kemi të bëjmë me një njeri të paprekshëm.
E përsëris se jam i prirur ta kuptoj dhe ta zbus në mendjen time gjestin e rëndë që ka bërë gardisti, duke kuptuar mentalitetin e tij si zengjin i ri i pushtetit, por përfshirja e pushtetit pa asnjë hezitim në anën e tij për t’i mbyllur gojën medies, për t’i mbyllur gojën viktimës, për t’i lidhur duart gjykatës dhe për ta bërë shembull për këdo që tenton të ketë qoftë dhe incident me njerëzit e Familjes, është akuza më e rëndë që kemi tani për këtë pushtet. Edhe sikur ta falim sot këtë gardist, që ende nuk është liruar nga detyra, nuk ndryshon gjë pasi shoqëria jonë ka shkuar më tutje. Ajo ka filluar të stepet për të folur dhe këto janë metastazat e para të çdo regjimi Al Kaponesh, që tani po eksperimentohet tek ne.