Anna Manna [Itali, 1949]- Cikël poezish (Përkthyer nga A. Kallço)

0
40

Anna Manna [Itali, 1949]- Cikël poezish (Përkthyer nga A. Kallço)


DASHNORË TË PAPREKUR

Nuk guxoj të të flas
Të të vë një emër
Që të zgjasë në përjetësi
Kjo bisedë
Me mua mbi jastëk
Kur e shtrëngoj
Duke menduar për fytyrën tënde.

Kurrë s’do ta njohësh trupin tim
As unë tëndin
Do të mbetetmi në pritje
Si para një perde
E përkëdhelur gjatë
Prej diellit të vakët të majit
Por që nuk tundet, pa erën
E drojtur që të zbulojë
Sekrete intime
Dhe do të mbetetmi të lidhur me zinxhirrë
Në maj
Të ngrohur
Prej vaktësisë së vjollcave
Të burgosura prej shikimeve dhe fjalëve
Pëshpërimave dhe frymëmarrjeve që vallëzojnë
Në erë

Nuk do të plakemi kurrë
Në amplekse të përsëritura
Intimitete të flashkura nga ngjarjet
Buzëqeshja do të jetë e freskët
Dhe i ëmbël çdo mëngjes
Dielli i sapolindur.

Në mbrëmjet e magjishme të majit
Do të mjaftojë t’i mbyllim sytë
Nën të njëjtin qiell
Të trullosur nga aromat
E luleve të reja
Dhe do të jemi pranë mes yjeve.

MËNGJES PASHKE

Në dritën
e marsit
dhimbja
shfaqet
në ngjyrat e gjalla
të ankthit pa cipë
apo mashtrime.
Ajo zbehtësi
e tërbuar
brenda
trungjeve të thatë
Reklamon
dëshirën tonë
në ndonjë qelizë
ende rreh një hipotezë lulëzimi.
Këtë mëngjes
mezi dallova
një fole
mbi degët e njomura
me mahnitje të re bleruar.

NE TË DY

Prej mijëravjeçarësh shihemi së largu
Vështrohemi në heshtje dinjitoze
Buzëqeshje të saposkicuara, qetësi distance luftarake
Dhe furi zemëruese shkatërrimtare
Në mbrojtje të kufijve me armë
Ngjarjet vibrojnë në ajër si gjethe
Copa historie me majë si armë
Çelin në kurora me lule të vogla mbi kërcej të gjatë
Gota me ankthe të etur për kulturë
Dritaret mbi botën hapen
E filtrojnë pritjen që vetë ajo u bë dashuri
Belbëzime qirinjsh që tashmë janë tretur
Në stinën më të nxehtë të hemisferës
Profecitë ecin mes dëshpërimit të kësaj tokës sonë
Të zemëruar
Të rinjtë heshtin
Bërtasin
E shprishin moshën
Nga ankthi në lumturi
Nuk ka më hapësirë që të ndërtohet e ardhmja
Kequshqimi dhe demblelizmi ia zënë rrugën
E mirëkuptimit
Kuptimi?
Cili kuptim duke qënë çalamanë së largu
Pa na thënë sa kemi nevojë për njëri-tjetrin
Dhe ky dobësim që ende troket tek porta jonë
Pas mijëvjeçarësh të një mohimi të tillë të kotë
Ta mirëpresim
Këngën e lehtësimit që do na bëjë të vallzojmë
të bashkuar
në erë deri tek retë
dhe tutje si gabianë të përhumbur së bashku në rrugën e përhershme
në kërkim të një aventure të re që ta vizatojmë të dy.

NE TË DY PERËNDIMI DHE LINDJA

Analiza racionale e frikës sime
Dhe ndërthurrja e aftë e joshjeve të tua
Çfarë të themi më akoma?
Tash që gjithçka u tha
Mbetet vetëm hapësira
Për një vend të magjishëm
Për një shesh kulture
Për një liqen mjellmash që i mbijetuan gjithçkaje
Dhe mbi të gjitha …në një fazë që jehon përsëri
Gjithmonë në botë:
Duhet të mësojmë të duhemi.

PLUGU

Figurë prindërore
Me puthje të hutuara.
I ushqyer në gjoksin e ofruar
Nga e bija e Miriamit
Pa memorie.
Kërkon bukë duke rrëmuar tokën.
Vadit brazdat perlëruar
Me një vajtim të largët.
Jehona thërret retë e reja
Që i lajnë trupat e përulur nga puna e lodhshme.
Dhimbja e rinon
Tokën e rrumbullakët, pjellore.
Plugu u hap rrugën
Korrjeve të reja.

Anna Manna
Organizatore e takimeve poetike, në vitin 1995 mundëson Poetet për në Pekin, i vetmi tekst letrar i paraqitur në Kongresin Botëror të Grave në Pekin. Në vitin 1996 themelon Shoqatën kulturore Manna dhe ishte presidente e saj deri në vitin 2007. Çmimi Lulja e shkëmbit që e futi në listën e çmimeve letrare, është një ballafaqim i guximshëm mes disiplinave të ndryshme. Organizon shumë evente që meritojnë mirënjohje: Medalja e artë e Komisionit të Shanseve të Barabarta, Çmimin Zire’ e artë pranë Universitetit të Akuilës për Vullnetarizmin kulturor, Çmimin Simpatia e Presidentit, Çmimin e kulturës të Kryeministrit
Është fituese e Çmimit Teramo dhe e atij Special Cadeo për tregimin. Ka botuar shumë libra me poezi dhe prozë dhe libri Larg pluhurit është prezantuar si libri i parë i një gruaje në Parlamentin Europian në Romë.

Përgatiti për botim
Arjan Th. Kallço