Duke dhuruar detin me nje buzeqeshje
Nga Myslim Pasha, 4 Shtator 2012
Një ish-diplomat, i thirrur para disa ditësh në ABC News, i çuditi të gjithë me argumentet që i solli me zemër në dorë lidhur më Paktin Detar, të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Ai i zbutur, plot ndjenjë, përkujdesje e maturie, ia tha publikut “se nuk bëhej mirë që ai pakt të quhej e të krahasohej me “Shën Naumin” dhe etiketime të tjera”. Pra, ai dha një shenjë dore si fshesë që të fshiheshin e të mos dukeshin të tilla mendime sepse “ajo që ka ndodhur s’ka të krahasuar me historitë tragjikë të së shkuarës.”
Ish-diplomati është një nga këta, që duke e quajtur “nul” marrëveshjen e parë, e shuan me një fjalë gojë të gjithë atë çka ndodhur.
Ajo që u krye si vepër nuk ishte diçka spontane, nuk ishte një krijim apo vepër e huaj, por ish një krijim dhe vepër diplomatike e qeverisë me një mirëkuptim që u shpërfaq edhe përpara opinionit shqiptar, edhe po kështu në vijim u mbrojt me të gjithë mjetet e me të gjithë format, deri në fund të frymës, por ama frymë nuk i dha dot veprimit të Gjykatës Kushtetuese. Aty Kryeministri i Republikës së Kapur e kuptoi se i kish mbetur edhe një segment pa u kapur, që ishte ajo vetë që u trand dhe erdhi në qendër mbasi pa se ishte cenuar dhe shpërfillur interesi kombëtar.
Sali Berisha e ruajti strehën dhe kasollen e krimit të madh antikombëtar, i futi ndër sqetull negociatorët e Paktit dhe iu dha forcë e energji që të mos e ulnin kokën.
Nuk mund të ndodhë askund kështu, e ky mund të jetë një rast unik në të gjithë botën. Përpara opinionit shqiptar nuk u bë asnjë transparencë, nuk u dha asnjë argument, veçse si zakonisht edhe kësaj radhe filloi fshehja e dhëmbëve të çakallit, për të krijuar dhëmbë të rinj, me çakej të rinj, e për të çuar në start sërish marrëveshje që të mos i rrëfehet asgjë kombit shqiptar.
Asnjë zë institucioni nuk u ndje, asnjë studim apo diskutim nuk u projektua dhe realizua për një temë, e cila ka shkaktuar një debat aq të madh. Mbyllja e gojës dhe e veshëve është tipike në një Republikë të Kapur, ashtu siç është bërë edhe me “Vitin e mbrapshtë- 97”, “Gërdecin” dhe “21 janarin”.
Nuk mund të fshihet ajo që ndodhi me “nul” –in, që e thonë disa analistë të qeverisë, nuk mund të heshtë historia që të thotë të vërtetat që dolën sheshit në një nga rastet më të ndjeshëm të dorëzimit të territorit tek një shtet tjetër, i cili sot e kësaj dite nuk ka hequr as ligjin e luftës dhe ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve përdor mbylljen, izolimin dhe fshirjen e çështje çame.
Sa shumë është shkruar e thënë në mediumet shqiptare, sa “ahe” dhe “ohe” kanë gjëmuar nga bashkësia patriotike në shtetin amë dhe në diasporë, kurse nga pala e qeverisë në një pozicionim të turpshëm nuk quhet ndonjë gjë e madhe, mbasi siç mund të kuptohet “qeveria nuk e ka bërë me qëllim” po sipas tyre “e kanë fajin nacionalistët dhe ekstremistët” kësilloj ia thonë gojës dhe veshit të tyre në po të njëjtën gjuhë që e artikulon edhe pala e Greqisë fqinje, që në një farë mënyrë i ka ata partnerë të heshtur duke mos lëshuar asnjë gjysëm fjalë, ndaj vijnë rrotull vetvetes për të dalë nga çarku, por prej tij nuk mund të dilet dot.
Është kaq e çuditshme, por një realitet i hidhur, i përsëritur që votuesit shqiptarë as që kanë dalë nga transheja e veprës antikombëtare, por e kanë votuar nja tre herë mazhorancën e sotme, duke mos shikuar cenimin e interesave kombëtare, por me gravitet tek interesat e klaneve të interesave të oligarkisë së re që Sali Berisha dhe Ilir Meta tashmë kanë realizuar, si një skafandër tragjike të Shqipërisë së sotme.
Diskutimet kanë vijuar dhe s’kanë munguar ndonëse me vonesë edhe zëra të intelektualëve dhe studiesve të shquar të së Drejtës Ndërkombëtare si prof. dr. Ksenofon Krisafi, të cilët me kurajë së fundi e thonë me plot gojën ndryshe se “duhen risjellë në kujtesë dy raste fatkeqe, që lidhen me Esat Pashë Toptanin, i cili në vitin 1913 u dorëzoi malazezëve Shkodrën, por fatmirësisht pa sukses; dhe me Zogun, që në vitin 1924-1925 u dha jugosllavëve Shën Naumin dhe një pjesë të Vermoshit.”
Pra, krahasimi duhet të bëhet dhe sado Sali Berisha të fshihet në daljet, fjalimet, sharjet dhe paranojën e tij të njohur, historia do të thotë fjalën e saj. Historia nuk do të harrojë atë ditë kur pas nënshkrimit të paktit u bë konferenca e parë për shtyp, kur një orë para konferencës iu njoftua përfaqësuesve të medias se “nuk duhet të bëjnë asnjë pyetje” dhe si asnjë herë tjetër në zyrën e konferencave për shtyp, aty ku më parë zhvilloheshin mbledhjet e qeverisë ishin hequr gjysma e karrigeve, ku rrinin përfaqësues të medias…
Ishte alarmi parë i “çarkut që kish rënë”, ndërkaq zbulesa e një harte të huaj me toponime, të shkruar ne gjuhen e shtetit fqinje, dilte vija ndarëse që kish gllabëruar detin e shqiptarëve.
Më tej tradhtia kërkoi të fshihte këmbët e gjarprit dhe ia doli mbanë. Ajo mbajti mbi shpinë barrën e rëndë të krimit duke u mbrojtur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë krimi ishte bërë. S’ka rëndësi nëse u rrëzua nga Gjykata vepra e kryer. Kush e organizoi, kush qëndron në llagëmet e krimit dhe si u hartua ajo, kush qenë të dërguarit e parë, kush qenë hartuesit, kush qenë në fund të fundit dhe pazaret që u bënë mbi Shqipërinë?
Sa pyetje që bëhen! Po përgjigje nuk po merret asgjëkundi.
Sali Berisha në çdo vepër antikombëtare ka kurajën që të dalë e të gjejë argumente e tij diabolike që nuk sosen. Ai noton në Dhërmi kur drama është në kulmin e saj, ai flet në një sfond rruge prej 3 km kur në shpinë digjet Dajti, ai nuk soset të bëjë apologjinë e radhës duke kujtuar se do t’ia dalë sërish nëpër mjegullat e tij antikombëtare.
Aleanca Kuq e Zi do hetojë dhe përgatisë dosjen për krimin e kryer, me referenca ligjore do t’i tregohen shqiptarëve se këto dosje do të dërgohen në prokurori nga juristët e saj.
Marrëveshja e delimitimit të zonave detare është dokument historik, ku i është dorëzuar Greqisë hapësira detare në Kanalin e Korfuzit përballë Ksamilit në kepin e Mërtesës, hapësirë detare që përbën cenim të mëvetësisë territoriale të shtetit shqiptar, që ka të bëjë me pikën nistore të shkëmbit Barketa, ashtu sikundër është vijuar edhe për Gjirin e Ftelias si dhe për Otranton ku janë hapësirat detare të zonës ekonomike ekskluzive.