UDHËTIM “NËPËR KOHË”, ME POETIN E TALENTUAR BAJAZIT CAHANI…

0
57

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

Me shqetësim e dhimbje e lexova njoftimin për humbjen përgjithnjë të arsimtarit veteran e krijuesit letrar, poetit e publicistit, kolegut e mikut të paharruar, Bajazit Cahani.
Me këtë rast, u dergoj ngushëllimet e mia më të sinqerta të gjithë familjarëve, bashkepunëtorëve e bashkëkrahinasve!
Jam i bindur se emri dhe vepra e tij do të kujtohet gjatë, te të gjithe ata, që e njohën, jetuan e punuan me të.
I përjetshem qoftë kujtimi i Bajazit Cahanit dhe përulem me respekt para jetës së tij mjaft gjurmëlënëse!

Prof. Murat Gecaj, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës se Arsimtarëve te Shqipërisë

Tiranë, 31 tetor 2015

1.
Nuk ka shumë kohë ose, më mirë, nuk e mbaj mend saktë se qëkur njihem me arsimtarin veteran dhe poetin e talentuar, nga rrethi i Hasit, Bajazit Cahani. Megjithatë, nuk e di sepse më ngjan se kjo ka ndodhur shumë vite më parë. Me praktikën pothuaj të përditëshme timen, për të dalë në qendër të kryeqytetit Tiranë, është e lidhur edhe njohja me të. Së pari, ma ka paraqitur miku e kolegu tropojan, Ibrahim Hajdarmataj. Pastaj, e kam takuar në shoqërinë e disa kolegëve të mirë kuksianë, si Isa Halilaj, Xhavit Biçaku, Mahmud Bulica, Shefqet Hoxha etj. Me atë pamjen pak të hajshme, por gjithnjë buzagas e me shikim depërtues, me natyrën e qetë dhe dashamirëse, ai më bëri menjëherë për vete. Ndoshta, në rastin e parë, por dhe këtë të fundit, e kam gjetur me miq të tij, duke pirë kafe përpara Pallatit të Madh të Kulturës. Aty, me kolegët bashkëbisedues zhytet në biseda, më së shumti, rreth krijimtarisë letrare e publicistike dhe botimeve të ndryshme.

Nuk kam “zhbiruar” fort në të dhënat rreth jetës së tij, pasi tanimë më duhet shumë i njohur për mua. Por, prapë se prapë, i kam hedhur një sy Internetit dhe kam lexuar diçka në librat, me autorësinë e tij.
Bajaziti ka lindur në fshatin Kishaj të Hasit, më 17 korrik 1945. Aty mbaroi shkollën fillore dhe e nisi shtatëvjeçaren “Bajram Curri”, në qytetin e Kukësit dhe e mbaroi në Vorë të Tiranës. Pas shkollës së mesme, bëri dy vjet studime në Fakultëtin Juridik të Universitetit të Tiranës dhe, i përkushtuar pas letërsisë, e ndërpreu atë dhe i vazhdoi dy vjet të tjera në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, të cilin e përfundoi në vitin 1975.
Në vazhdim, Bajaziti shërbeu mësues në mjaft shkolla të vendlindjes dhe gazetar në disa organe shtypi. Në vitet 1993-2006 ishte gazetar dhe kryeredaktor në Radio-Kukësi. Gjatë asaj kohe, ai iu përkushtua jo vetëm leximeve, por dhe nisi të thurë poezi. Ishin natyra e bukur e vendlindjes, traditat e pasura atdhetare, kulturore e shpirtëroire të njerëzve të atyre anëve, që iu bënë burim i pashterrshëm frymëzimi.

2.
Ndoshta, ai muaj i të korrave, kur lindi Bajzat Cahani, është simbolik për të, sepse prodhimtarinë në letërsi e ka të bollshme dhe, kryesorja, me “të korra” të mira. Në ballinën e librit me poezi të zgjedhura, me mbi 300 faqe, “…Nëpër kohë…”(Tiranë, 2009), mësojmë se librin e parë poetik, “Në pritje”, ai e publikoi që në vitin 1972, pra kur ishte ende student. Pastaj, një ndërprerje disavjeçare dhe, më 1881, lexuesve ua paraqiti librin e dytë me poezi, “Rrjedh një lumë”. I dhënë pas vjershërimit, shpejt iu gëzua edhe librit tjetër, “…dhe mbeta flaka në udhëtim” (1998). Ndërsa njëmbëdhjetë vjet më vonë, doli në qarkullim libri i tij me poema, “Nada, Nada” (Tiranë, 2009).
Meqenëse është disi më përfaqësues, dëshiroj të shënoj pak radhë e të ndalem në librin voluminoz, me poezi të zgjdhura ose me “ajkën” e krijimtarisë së Bajazit Cahanit, që mban titullin “…Nëpër kohë…”. Një lexues i vëmendshëm, vëren se ky autor ka venë, jo në një rast, në titujt e librave të tij, tre pika. Nuk e kam pyetur atë, se përse e ka bërë këtë gjë, por me hamendje them se ka dashur të na thotë, se koha e ka zanafillën e saj shumë e shumë larg, në të shkuarën. Por, gjithashtu, ajo do të vazhdojë e nuk do të ndërpritet për shumë e shumë vite e shekuj. Kështu, në këtë mjedis kohor jashtëzakonisht të gjatë, ai i ka vendosur edhe temat e krijimeve të tij, në poezi.
Në faqet e fundit të këtij libri, janë publikuar mendimet e shprehura nga disa poetë, shkrimtarë e kritikë, si Prof. Adriatik Kallulli, Ylli Xhaferri, Besim Muhadri e Besim R.Cengu. Ndërsa unë nuk do të bëj këtu një “analizë” të këtyre poezive të arrira edhe sepse nuk e lejon vendi e as nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi. Pra, vështrimi do të jetë disi “i sipërfaqshëm”.

3.
Gjëja më e lehtë është ta nisësh një shkrim, duke folur për poezinë e parë të një libri. Por kësaj dukurie nuk do t’i “shpëtoj” as unë, këtë radhë. Pra, duke i ditur shpirtin e ndejshëm të Bajzait Cahanit dhe mendimet e tij, më ngjan se vargjet e poezisë së tij, “Fryjnë erërat e forta të jetës”, janë ndër më përfaqësueset. Kështu, në këto radhë të ngjeshura shfaqet optimizmi i autorit për një jetë të re, që ai e përjetoi aq vrullshëm, me dëshira “të përflakura” e realisht, vetëm shumë vite më vonë. Se ai ishte ndër të parët, që u përfshi në lëvizjen demokratike, e cila u përhap me shpejtësi edhe në Veri të Shqipërisë, pra aty ku Kryetrimi Bajram Curri e nisi udhëtimin e tij dhe udhëhoqi me guxim kryengritësit e Qershorit 1924. Kjo solli përmbysjen e diktaturës dhe vendosjen e demokracisë së brishtë e me pak vazhdimësi, që e kryesoi Fan Noli. (“Heroit të Dragobisë”, Bajaaziti i ka thurë edhe poezinë, “Guri i Bajram Currit”). Megjithëse poezia e mësipërme është shkruar në vitin 1972, poeti e ndjente se do të vijnë pranvera të tjera edhe më të bukura edhe pse “Në dhomën, dije e dritë të shpirtit,/ende kanë mbetur grimca bore të fundmarsit, pa shkrirë”. Ndërsa pastaj vjen prilli jetëdhënës e bora do të shkrijë edhe sepse, “Ish koha e vullkanit në zemër të dheut,/me thirrje tronditëse për hapësirë njerëzore!”.
Nuk është aspak e habitshme, se përse edhe ky poet i thuri vargje stinës së pranverës, pra ringjalljes së jetës dhe dëshiron që nga gjiri i tij poetik ajo të shpërthejë e vrullshme. Kështu, ishte viti 1973, kur ai shkruante e publikonte me guxim: “Thonë se ti, pranverë,/je një copë brengë,/e përlotur, me mushkëritë e djegura, deri në TBC!” Ndërsa titulli i një poezie tjetër është mjaft domethënës, “Pranverat krahëthyera…”. E kjo linjë dëshpërimi ndjehet dhe në poezinë, “Rashë përmbys, mes katër udhëve”, ku autori shkruan: “…I shqetësuar, mes katër udhëve, veten e pyes:-Na kujtojnë, vallë,/a thua, krejt na kanë harruar?!”. Pranvera është aq e bukur e bujare, sa u falë çdo gjë njerëzve të kësaj bote: “Për të tjerët, të gjitha i jep:/ dhe lulet,/dhe barin e njomë,/dhe gjethet,/dhe mbjelljet,/dhe lindjet…/ të bukurën e papërsëritshme:/gjerësinë e shpirtit tënd!”. Ndërsa në pragun e ndërrim-viteve, kur është stina e dimërit, autori e ndjen peshën e rëndë të njerëzve që vuajnë, prandaj kërkon për ta: strehë, bukë, buzëqeshje, puthje, rritje, liri… E, atëherë, ishte viti 1967.
Tematika e poezive të Bajazitit është e larmishme, gjuha e pasur dhe me figuracion joshës. Ai nuk i shkruan vetëm pranverës, por dhe çdo gjëje të bukur e të trishtuar, në natyrë e gjithësi: hënës, pëllumbit, ujëvarave, prillit, reve rrebele, kosëtareve në bjeshkë; dashmorit Alush Cahani dhe heronjëve, të rënëve për Atdheun, por dhe kurbetit, bunkerëve (që, tanimë, na kujtojnë një kohë të shkuar)…”Rrapsodi e përgjakshme” e ka titulluar një poezi, kushtuar betejave të popullit të Lumës, më 1912, kundër shovinistëve serbomëdhenj. E, në vazhdim, janë poezitë për Azem Bejten, Ganimete Tërbeshin, Manush Alimanin; Kadri Alpapën, Ali Podrimjen, Xhevahir Spahiun…Ndërsa më tej shkruan për “rrënjët” tona: “Dije, pra,/varrin tim pellazgjik,/ në majën e Pashtrikut e kam,/aty, në një rrafshnaltë,/ në një lëndinë…”. Por ai nuk harron të shkrujë as për Kosovën, fqinje e martire dhe “lule e egër”, duke e parë në “Një mbrëmje maji-1981”.
Por as ky poet nuk i “shpëton” dot temës së përjetshme, pra të dashurisë, kur shkruan: “Mal, o malet e mia,/ ç’u trembët ashtu nga dashuria?/Përkuleni kurrizin e vjetër dhe vështrojeni në sy,/ o ç’ det të kthjellët dashurie do të gjeni aty!”(Poezia “Diella”). E bukur është dhe poezia “Një vajzë, që njoha në stacion”. Si jehonë e vegjëlisë së poetit B.Cahani janë vargjet kushtuar krijimtarisë së rrallë popullore, me vjershën “Hoj, dada, hoj!”, duke iu rikthyer motivit të dashurisë në Malësi, me të veçantat e saj: “Dritën e hënës, do të vë ne vend të vellos,/po më dolë, dadë, djalë i besës…”. E janë telat e sharkisë e të çiftelisë ata, që dridhin zemrat rinore të djemëve e vajzave. Prandaj i thurë vargje të frymëzuar çikës malësore, të cilën e pyet me zemrën, që befas i dridhet: “Po ti, vogëlushe,/ç’më dole këtu papritur, në këtë dhomë miqësh, në kullë?/…Me sytë e bukur qielli,/me emrin e brishtë Lulë”. Poetit i bën përshtypje çdo gjë joshëse te vajza, pra edhe e qeshura e saj e ëmbël, sepse ajo “çelë në buzë,/ trandafil pafajësie”, por edhe kur është syri i saj “me pikla”.
Natyrshëm e plot ndjesi të holla, Bajazit Cahani e ka në qendër të poezive të tij edhe vendlindjen, për të cilën shkruan me dashuri e mall të pashuar. Shpesh i kujtohet edhe djepi, me të cilin e përkundi nëna: “Ja, djepi im,/prej druri të rritur në tokën e Hasit,/ndërtuar nga duart e bacës sim të vyer…”. Ndërsa te poezia “Era e sanës” (bari i thatë) shkruan: “Romantikë e fëminisë sime, me këmishë bezi,/murrizave lëvyrë…/ Era e sanës,/ erë shendeti”. Por ai thuri vargje edhe për “kasollen e tij të mirë”, lumin Drin, Qytetin e Ri, Liqenin e Kuq, bjeshkët; për babain Hamzë e vëllain Petrit…
Pjesë e bukur dhe e paharruar e jetës së autorit kanë qenë shkolla e nxënësit e saj. Prandaj kanë hyrë natyrshëm në poezinë e tij: “Unë me nxënësit e mi”. Por atë e mundojnë pandërprerje dhe hallet e bashkëkrahinasve të tij, kur thur vargjet e poezisë “Kullat e dhimbjes”, ku “…zgjatej myshku i jetës” dhe nuseve të reja “…burrat ua merrte kurbeti”. Ndërsa dhimbjen e “kurbetit të ri” na e jep në vargjet e poezisë “Këngë refugjate”, ku shkruan, me klithmë: “Lamë trokën, shtëpinë,/varret e atyre që na lindën,/…tokën, qiellin tonë prapa krahëve lamë!” Me këto ndjesi të trishta është e mbushur dhe poezia: “Shtëpia e btraktisur e unë mbeta flaka në udhëtim”. Për një jetë më të mirë u tretën në fundin e detit edhe ata shqiptarë, që sytë i kishin drejtuar nga Perëndimi: “Otranto, 1997”. Prandaj, autori sikur akuzon e shkruan: “Dhe ju, anije notoni në detin e lotëve shqiptarë!…”.
Poeti e ndjen se shumë dhimbje e brenga kanë njerëzit tanë. Prandaj dëshiron t’ua qetësojë shpirtërat e tyre të trazuar, kur në vjershën “Vazhdimësi” shkruan me frymë optimiste: “Zogjtë përsëri ndërtojnë çerdhe të reja,/në degët e lisit çelin zogj të rinj…/ Pyjet çelin gjeth,/bjeshkët, livadhet,/barin e ri”.

4.
Shpirtin e tij poetik, Bajazit Cahani e ka derdhur edhe në disa poema. Te libri “Nëpër kohë”, është “Rritu, bir, të vrapojmë me erën” (Tim biri, Luanit, që po rritet larg meje). Ndërsa në vëllimin “Nada, Nada…dhe poema të tjera” autori ka publikuar poemat: “U nisa…nën armë…”, “Buzëmbrëmje prilli”, “Rapsodi e përgjakur”, “Topi i Pistës”, “Brejtësit”, “Këngë refugjate” etj. Pothuajse, ato janë të ngjashëm me motivet e poezive, për të cilat folëm më lart.
Në mbyllje të këtij shkrimi, dëshiroj të theksoj se mesazhi i këtij autori për brezat është i qartë e domethnënës. Si një testament i bukur janë vargjet e poezisë “Nëpër kohë”: “Në mushkëritë e vargjeve të mia,/frymëmarrjen dhe ngjyrën e kohës sime do të gjeni;/ne bëmë ç’mundëm për të ardhur gjer tek ju,/ e ju, mbi ne, do të gjykoni vetë!…”.(Tiranë, 1 prill 2011)

* * *

Pasi e kishte lexuar këtë shkrim timin modest, Bajaziti më dërgoi këtë mesazh, i cili shprehte një botë të pasur shpirtërore të tij: “I dashur prof. Murat Gecaj! Të faleminderit shumë për shkrimin tuaj, të publikuar edhe në gazetën”Republika”,pas publikimit të parë në “Fjalën e Lirë” (Londër).Të jam shumë mirënjohës dhe më shtohen detyrimet miqësore ndaj jush.Të kam mik të vërtetë dhe të dua shumë.

Me respekt dhe mirenjohje të thellë.
– Nga: Bajazit Cahani”.

Tiranë, 31 tetor 2015