Aung San Suu Kyi

0
39

Ilir Hashorva, 16.11.2010

Burgu i vetëm i vërtetë është frika, dhe e vetmja liri e vërtetë është liria nga frika Aung San Suu Kyi u burgos gati në kohën që Mandela u lirua nga burgu në Afrikën e Jugut. Lirimi i saj, njëzet vjet më pas, shkaktoi në Burma dhe në botë të njëjtin entuziazëm dhe vëmendje si edhe lirimi i Mandelës. Presidenti Obama e quajti Suu Kyi-në heroinën e tij dhe frymëzim për të gjithë ata që luftojnë për të drejtat e njeriut në Burma dhe kudo në botë.

Njëlloj si Gandi, si Martin Luter Kingu, si Nelson Mandela, Aung San Suu Kyi në Burma është bërë simbol ndërkombëtar i rezistencës paqësore heroike ndaj shtypjes, ndaj diktaturës.

Prej më se njëzetë vjetësh, në një vend fqinj të Indisë, një grua delikate, me zë të butë, me pamje e sjellje fisnike, një grua që buzëqesh, absolutisht trime, krejtësisht idealiste, plotësisht parimore po lufton, pa ngritur asnjë gisht për dhunë, kundër njërit prej regjimeve më të konsoliduara ushtarake të Azisë së sotme, regjimit të gjeneralëve të Burmës, apo të Mianmarit, siç quhet sot.

Aung San Suu Kyi është bija e gjeneralit burmes, Aung San, hero i pavarësisë së vendit të tij, i cili u vra në vitin 1947, gjashtë muaj para pavarësisë së Burmës. Në atë kohë, ajo ishte dy vjeçe.

Në vitin 1960, Aung San Suu Kyi shkoi në Indi me nënën e cila ishte caktuar aty ambasadore e Burmës. Ajo kaloi në Indi katër vjet, nga viti 1960 deri në vitin 1964, duke studiuar shkenca politike në Universitetin e Delhit. Aty ajo zbuloi filozofinë e qëndresës jo të dhunshme të Gandit. Gjatë kohës që studionte në universitet, udhëheqësi ushtarak i Burmës, Ne Win, rrëzoi qeverinë demokratike të vendit, përmes një grushti ushtarak shteti dhe vendosi diktaturën. Në këtë kohë filloi shkatërrimi i Burmës.

Pas Indisë, Suu Kyi shkoi në Londër, në Oksford, ku studioi për filozofi, politikë dhe ekonomi. Aty ajo u njoh edhe me burrin e saj të ardhshëm, me akademikun britanik, Michael Aris.

Në vitin 1988, kur kryeqyteti i vendit, Rangun, ziente nga protesta për demokraci të studentëve, punonjësve dhe murgjve, në to u përfshi edhe Suu Kyi. E frymëzuar nga Gandi dhe Martin Luter Kingu, ajo zgjodhi mënyrën e tyre të luftës dhe protestës, ajo organizoi protesta masive paqësore, udhëtoi në gjithë vendin dhe bëri thirrje për reforma demokratike dhe zgjedhje të lira.

Në vitin 1989, Suu Kyi u vu në arrest shtëpie për ‘rrezikim të shtetit’. Gjatë kësaj kohe ajo filloi një grevë urie në mbështetje të kolegëve të saj të burgosur. Tashti ajo kishte fituar emrin ‘Gandi i Burmës’. Lëvizja për demokraci vazhdonte dhe ajo u përhap nga kryeqyteti, Ranguni, në të gjithë vendin gjatë verës së atij viti. Lëvizja u quajt ‘Pranvera e Rangunit.’ Qeveria, e kryesuar nga udhëheqësi ushtarak, Sein Lwin, u kundërpërgjigj duke masakruar mijëra protestues. Edhe pse, si pasojë e asaj proteste Lwin-i dha dorëheqjen, regjimi ushtarak mbeti i paprekur.

Në këtë kohë, Suu Kyi i dërgoi një letër të hapur qeverisë me të cilën i kërkoi formimin e një Komiteti Konsultativ të Popullit për të përgatitur zgjedhje shumëpartiake. Më 26 gusht, ajo iu drejtua një mitingu prej 500000 pjesëmarrësish në kryeqytet në të cilin deklaroi: “Si vajza e babait tim, nuk mund të qëndroj indiferente në këto që po ndodhin… Kjo krizë kombëtare mund të quhet lufta e dytë për pavarësi”. Në zgjedhjet që u bënë në vitin 1990, ajo fitoi bindshëm edhe pse ishte nën arrest shtëpiak. Junta ushtarake nuk e dorëzoi pushtetin dhe e mban atë edhe sot.

Angazhimi i Aung San Suu Kyi në mosdhunë, si dhe trimëria dhe gatishmëria e saj për çdo sakrificë për çështjen për të cilën luftonte, u duk qartë kur, gjatë një turi nëpër vend, ajo u konfrontua me policinë e regjimit. Kur policia e kërcënoi se do të qëllonte mbi të, Suu Kyi u kërkoi shoqëruesve të saj të hapeshin, doli në ballë dhe u vu para armëve që ishin drejtuar kundër saj.

Në vitin 1991, Suu Kyi-së iu dha çmimi “Nobel për Paqe”. Kryetari i Komitetit për çmimet “Nobel”, Francis Sejested, në paraqitjen që i bëri, tha: ”Është një shembull i dalluar i fuqisë së të pafuqishmëve”. Nga ana e saj, Suu Kyi tha: “Ju lutem përdorni lirinë tuaj për të ndihmuar lirinë tonë”.

Në vitin 1999, burri i Suu Kyi vdiq në Angli. Autoritetet e vendit e lejuan atë të shkonte për të varrosur burrin, por ajo nuk shkoi, mbasi kishte frikë se nuk do ta lejonin të kthehej.

Në vitin 2000, Suu Kyi përsëri u vu në arrest shtëpie, sepse u përpoq të udhëtonte për në një qytet në të cilin ishte e ndaluar. U lirua në vitin 2002. Pas një viti u burgos përsëri për shkak të ndeshjes së përkrahësve të saj me një turmë që përkrahej nga regjimi. Ajo tha se izolimi ia kishte shtuar vendosmërinë për t’ia dedikuar jetën qytetarit të thjeshtë burmez.

Më pas, regjimi ushtarak u detyrua të hiqte përkohësisht të gjitha kufizimet mbi veprimtarinë politike të saj. Në konferencën e parë për shtyp pas lirimit të përkohshëm, Suu Kyi tha: “Lirimi im nuk është ndonjë triumf për demokracinë. Unë do të bëj ç’është e mundur që të shoh se demokracia po vjen në Burma dhe po vjen në rrugën e drejtë”. Lufta e ‘Gandit të Burmës’ nuk ka mbaruar ende.

Gjatë kohës që ndodhej në arrest, një gazetare amerikane u lejua ta intervistonte. Ajo e pyeti Aung Suu Kyi-në për sakrificën që po bënte për demokracinë në vendin e saj. Aung Suu Kyi iu përgjigj se nuk po bënte ndonjë sakrificë, se veprimet e saj ishin zgjedhur prej saj dhe se kur njeriu e zgjedh vetë rrugën e veprimit, sado e vështirë që të duket ajo, nuk mund të quhet sakrificë.

Në vitin 2003 Aung San Suu u mbyll përsëri në burg, duke qenë e vetmja laureate e çmimit “Nobel për Paqe” e burgosur. Për të, Madelein Albright, ish-ministre e Jashtme e Amerikës, ka thënë: “Kur qeveria e Burmës përpiqet të fajësojë viktimat me krime, dhe të thotë se Aung San Suu Kyi dhe partia e saj janë përgjegjëse për represionin e tyre, unë mund t’i përgjigjem se të njëjtat fjalë janë thënë dikur edhe për Gandin dhe për Martin Luter Kingun dhe për Nelson Mandelën dhe për Vaclav Havelin. Bota kupton”. Ndërsa, kryepeshkopi jugafrikan, laureat i çmimit “Nobel për paqe”, Desmond Tutu, ka thënë: “Në staturën fizike ajo është e imët dhe elegante, por në atë morale, është gjigante”.

Më 7 nëntor të këtij viti, për herë të parë pas 20 vjetësh, në Burma u zhvilluan zgjedhje. Në zgjedhje morën pjesë parti pro qeveritare. Partia e Aung San Suu Kyi, Liga Kombëtare për Demokraci, nuk mori pjesë. Përnjëherë pas zgjedhjeve u dhanë shenja se Aung Suu Kyi do të lirohej dhe vërtet, ajo u lirua pas gjashtë ditësh, më 13 nëntor. Lirimi i saj përkoi edhe me mbarimin e kohës së dënimit. Aung San Suu Kyi u burgos gati në kohën që Mandela u lirua nga burgu në Afrikën e Jugut. Lirimi i saj, njëzet vjet më pas, shkaktoi në Burma dhe në botë të njëjtin entuziazëm dhe vëmendje si edhe lirimi i Mandelës. Presidenti Obama e quajti Suu Kyi-në heroinën e tij dhe frymëzim për të gjithë ata që luftojnë për të drejtat e njeriut në Burma dhe kudo në botë.

Qëndrimi i saj para turmave entuziaste që përshëndesnin lirimin e saj, duke kënduar dhe brohoritur, ishte tepër dinjitoz. Ajo u tha atyre se demokracia e vërtetë vjen vetëm atëherë kur populli të jetë në gjendje ta mbajë nën kontroll qeverinë, se duhet të ngrihemi për atë që mendojmë është e drejtë, se nuk duheshin humbur shpresat.

Burgimi i fundit i saj zgjati 7 vjet. Lirimi i saj tashti, në moshën 65-vjeçare, nuk dihet nëse do të jetë përfundimtar apo jo, nuk dihet nëse ajo do të jetë në gjendje të marrë pjesë aktive dhe me peshë në skenën politike të Burmës së sotme. Partia e saj, pa aktivitet për rreth 20 vjet, nuk dihet nëse do ta marrë apo jo veten.