Një jetim në politikën shqiptare

0
115


Bledar H. Prifti, 16.11.2010

Javën e kaluar në emisionin “Opinion”, gazetari Blendi Fevziu kishte ftuar Fatos Nanon, këtë javë kishte ftuar Salin Berishën, dhe ma merr mendja se javën tjetër do të ketë Ilir Metën. Por çfarë e shtyu Berishën të pasonte Nanon dhe çfarë do ta shtyjë Metën të pasojë Berishën në këtë rreshtore alla “kapter Fevziu”?

Në shkrimin e kaluar “Mesazheri i Dialoguar apo Viktima e Kardiologut?” u analizua ambicia e Fatos Nanos për t’u bërë zëvendësuesi i Presidentit Bamir Topi dhe lëvizjet e tij për t’ia arritur këtij qëllimi. Është më se e kuptueshme nga të gjithë Shqiptarët se kandidaturën e Nanos për president po e sponsorizojnë fuqishëm Sali Berisha dhe mediat pranë tij. Ky sponsorizim është një shpërblim që i është premtuar Nanos në këmbim të iniciativave dhe prapaskenave të tij për të përçarë të majtën socialiste dhe për të mbajtur rrjedhimisht Sali Berishën në pushtet.

Ky pazar ka ardhur si rezultat i dinakërisë së Berishës për të shfrytëzuar dashurinë perverse të Fatos Nanos për t’u bërë president dhe mentalitetin dhe urrejtjen primitive të Nanos përkundrejt lidershipit aktual të Partisë Socialiste. Nëse nga njëra anë Sali Berisha jeton me “këmbë në tokë”, pasi po gëzon realisht pushtetin e shitur tek ai nga Nano dhe Meta, nga ana tjetër, Nano po shikon ëndrra me sy hapur sikur Sali Berisha do ta bëjë president në vend të Bamir Topit.
Pavarësisht këtij fakti, Fatos Nano rrezikon të shndërrohet në një patate të nxehtë në duart e Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Patatja Nano është shumë e nxehtë për Berishën dhe ajo duhet mbajtur dhe trajtuar me shumë kujdes dhe dinakëri. Berisha e kupton se flirtimi me Fatos Nanon rrezikon të ulë kuotat politike dhe kredibilitetin e tij brenda elektoratit të djathtë. Perceptimi nga elektorati i djathtë se Berisha po sponsorizon Nanon president për hir të pushtetit individual të kryeministrit do të kishte impakt negativ mbi Berishën dhe mbështetjen e tij politike.

Përse do të duheshin të mbështesnin demokratët e thjeshtë Berishën, nëse Berisha, për hir të pushtetit personal, do të sillte në pushtet në postet kyçe (si presidenca) figura të së majtës si Fatos Nano? Të irrituar edhe me 20% -in e pushtetit të dhënë Ilir Metës, elektorati i djathtë nuk do të pranonte kurrsesi që Berisha të largonte Topin nga presidenca dhe ta zëvendësonte atë me Fatos Nanon. Për më shumë, sponsorizimi dhe bërja e Nanos president do të bënte që Bamir Topi të kthehej në PD gjithë mllef dhe “urrejtje”, duke lëkundur seriozisht kuotat politike të Berishës në radhët e demokratëve të moderuar dhe të pavarurve.

Duke qenë i vetëdijshëm për situatën dhe “keqkuptimet” që u ngritën nga intervista e Nanos javën e kaluar, Berisha nuk nguroi të shkonte një javë më pas tek “Opinion” i Fevziut për të siguruar elektoratin e djathtë se Fatos Nano nuk është në listën e tij për president, bile Nano nuk është as në listën e Ilir Metës. Duket sikur loja e Berishës me Metën krijoi këtë Nano që duket sikur i ka ngelur (apo që duan t’ia lënë) në derë PS-së. Të gjendur përballë këtyre deklaratave, shumëkush mund të pyesë se çfarë do të bëhet me Nanon?

Mbase këtë përgjigje mund ta japë Ilir Meta. Tashmë, do t’i duhet edhe Metës të dalë njëherë nga “Opinioni” i Fevziut për të sqaruar pozicionimin e tij në lidhje me kandidaturën e Nanos për president. Meta nuk mund t’ia lejojë vetes një prishje me Nanon. Me Nanon, Meta bëri jo vetëm pazarin paszgjedhor, por edhe pazaret e tjera në kurriz të opozitës, pazare që shumë pak mund t’i kenë dëgjuar. Ndaj, pritet që Meta do të dalë dhe do të deklarojë se është akoma shumë herët për të menduar për presidentin dhe se LSI nuk ka vendosur akoma për një kandidaturë konsensuale.

Kjo gjë mund ta qetësojë ndopak Nanon, por, kurrsesi, nuk mund t’ia heqë atij shqetësimin që ai ka për faktin se po i duket vetja jetim në sytë e elektoratit. Nano është i vetëdijshëm se PS mund ta votojë kandidaturën e tij për president, por, kurrsesi, nuk mund ta propozojë atë si kandidat për president. Nano nuk i ka lënë asnjë shteg vetes për t’u propozuar nga PS, apo për ta bërë këtë të fundit të ndjehet borxhli përkundrejt “babës”. Me të njëjtën logjikë, edhe Berisha do të deklarojë, mbase jo publikisht, se është i gatshëm ta votojë Nanon president, por nuk mund ta propozojë atë si kandidat të së djathtës, dhe kjo është më se e kuptueshme.

Tashmë, kuptohet fare qartë se barra për të propozuar Nanon president i ka ngelur Ilir Metës. Por, a do ta bëjë Meta këtë gjë? Sa vlerë do të kishte edhe nëse Meta do ta bënte një gjë të tillë? Në këto kushte, Meta mund ta propozojë Nanon, pasi ka shumë arsye dhe prapaskena që nuk e lejojnë Metën të bëjnë të kundërtën. Por edhe nëse kjo ndodh, jam shumë i bindur se demokratët dhe disa të majtë do ta rrëzojnë kandidaturën e Nanos. Nano ka pasur dhe ka bërë aq shumë armiq politik sa kandidatura e tij për president nuk ka shans që të miratohet në parlament, ngado dhe me këdo që ta dredhi Nano.

Nano nuk mund të jetë aq naiv dhe i paditur sa të mos e kuptojë të gjithë panoramën e politikës shqiptare dhe se sa shanse ka ai në realitet për t’u zgjedhur president. I gjendur përballë këtij realiteti, Nano do të fillojë të ndryshojë dalëngadalë kursin e tij politik. Nano do të kuptojë se ai nuk ka as më të voglin shans për t’u zgjedhur president nga ky parlament. Gjithashtu, ai do të kuptojë një parlament tjetër i dalë nga zgjedhjet e parakohshme MUND t’i ofrojë atij shumë më shumë mundësi sesa i ofron ky parlament ekzistues. Për më shumë, Nano do të kuptojë se në politikë më mirë është të jesh ushtar i një force politike sesa një jetim fatkeq dhe i nëpërkëmbur.