Llahtar Republikë

0
45

Nga Bledi ManePublic Enemy, 3 Shtator 2012

1./

Atë pasdite korriku po pija qumësht nga gjoksi i nënës time porsi një i pangopur. Ishte dita e dytë që kisha zbarkuar në këtë jetë dhe etja bashkë me urinë po më gërryenin fyt dhe stomak. Nga perdja e syve të mi mjegullshëm shikoja nënën time tek më këqyrte dhe buzëqeshte e drobitur. Pastaj me duart e saj më fshinte bulëzat e djersës mbi ballë e më fliste sikur të më njihte prej vitesh.

Ndërkohë u hap dera e dhomës ku ne qëndronim në maternitet dhe afshi i një djerse të konservuar u shpërnda bashkë me zërin e trashë të dikujt që foli rëndë:

-E ka zënë gjumi?

Ishte babi im të cilin po e nuhasja për herë të dytë gjatë dy ditëve të jetës time. Nëna i ktheu një përgjigje të thatë “Jo”, e i bëri shenjë të ulej edhe ai pranë nesh.

-Jam mirë më këmbë, shtoi babai dhe zgjati duart drejt meje.

-Lere të pijë dhe pak qumësht, tentoi të kundërshtonte nëna, por babi më rrëmbeu porsi një lodër dhe më ngriti lart paralel me fytyrën e tij.

Koka im u var pak majtas dhe ndjeva se buzët u jargavosën me pështymë dhe qumësht. Babai më kishte ngulur sytë e më kundronte krejt i habitur ndërsa mami tentoi të ngrihej nga krevati ku rrinte shtrirë.

-Çfarë ke që e shikon fëmijën ashtu, lere rehat se e hëngre me sy.

Rreth kraharorit tim e nën sqetulla ndjeja gërvishtjet e duarve të ashpra të babit të cilat ndryshe nga temperatura e muajit ishin të ftohta, shumë të ftohta, akull. Mundohesha të kristalizoja më tepër shikimin për të bërë dallimin mes fytyrave të prindërve, por perdja gri ngjitur pas kokërdhakëve të syve të mi më shfaqte vetëm silueta të vagullta.

Ashtu me mua ndër duar babai iu afrua më tepër hapësirës nga ku futej dritë dhe hopa….

Ue çfarë qejfi, ue çfarë kënaqësie. Mushkëritë po më vibronin nga adrenalina, një tis ajri më puthte përkëdhelshëm fytyrën, qumështi që kisha pirë dilte nga stomaku im i vogël dhe shfrynte nëpër gojë dhe vrimat e hundës, zemra godiste si e çmendur kockat e brishta të kraharorit tim, një flutur dhe një zog shtangën mbi ajër tek panë sesi unë fluturoja krah tyre…ue, ue çfarë qejfi.

As klithmt e mamit që tejshponte dhomën e maternitetit e as poterret e shumë grave që ishin varur nëpër dritare nuk ma tërhoqën vëmendjen. Unë po fluturoja, po çaja ajrin e nxehtë të atij korriku, po lumturohesha dyfish e po thithja oksigjenin e duhur që më kishte munguar 9 muaj rresht.

Ue, ue çfarë kënaqësie…o,o,oooo.

Kaq ishte?

Kush ma ndërpreu fluturimin?

Koka, oh koka.

Çfarë ishte kjo përplasje?

Oh më dhemb krahu, këmba, u mpiva.

Ku shkoi flutura dhe zogu, pse mu errën sytë, dua mamin, dua qumështin, dua babin të më fluturojë përsëri,dua…

***

Më kishin shtrirë mbi një krevat të madh. Nuk kisha më fuqi të lëvizja as edhe gishtat e duarve. Perdja e syrit të majtë ishte grisur dhe nuk dalloja më asnjë siluetë nga ai krah. Prej shputave të këmbëve ndjeja sikur po mi rripnin indet dhe damarët. Më dukej se tkurresha nga poshtë lart. Eshtrat e kafazit më çponin kraharorin, por dhimbjen që më torturonte nuk e rënkoja dot. Kisha fjalë e gulçima për të thënë në tru pa fund por nuk mundesha ti nxirrja, më treteshin në qiellzë pa dalë ende nga goja.

Dhoma ku qëndroja i shtrirë u mbush plot zëra që mallkonin:

– E hëngërt mortja!

– Baba kafshë!

– O zot ku je, hakmerru ndaj monstrave!

– U prish dynjaja!

– Drogaxhiu, pijaneci, maloku…

– Mos me këto sharje dhe mallkime moj gra!

Qetësinë e vendosi sa hap e mbyll sytë teta Rubena. E njoha nga zëri menjëherë. Zëri i saj kumbues më foli i pari ditën që erdha në këtë jetë.

Rrëshkiti dorën e saj mbi fytyrën time dhe e ndaloi mbi zemrën e cila më ishte mekur. U përkul mbi sytë e mi, më puthi fort dhe mes ngashërimit foli me zë të tjetërsuar:

– Çojeni në morg këtë engjëll!

***

Pesë orë po më duken shumë këtu. Dua mamin dhe babin, dua të iki përsëri te ajo dhoma me lodra dhe me dritë. Këtu po më zihet fryma. Dua të rri i qetë, këtu çdo sekondë ka vizitorë. Ja përsëri u hap dera, përsëri njerëz dhe zhurmë. Dua të iki te teta Rubena ku njerëzit qeshin dhe fëmijët e vegjël pinë qumështin e mamit.

Këtu vetëm klithin dhe qajnë. Edhe këta xhaxhat që punojnë këtu vetëm me vete flasin. Nuk qeshin dhe nuk të përkëdhelin me dorë.

Orët këtu janë si 9 muajt te barku i mamit. Dua të iki. Dua lodrat që më solli gjyshi, këto nuk janë lodra prej vërteti…

Kur mua më sollën këtu ishte bosh por shpejt u mbush me njerëz që nuk flasin.

Kjo koka e prerë këtu është e një xhaxhit nga Poliçani të cilën ia preu pa dashje një shok te puna, te kombinati.

Ajo vajza e bukur atje ka ardhur me babin e saj. Janë të dy nga Dukagjini. Vajza bëri gabim dhe babi e qortoi me kallashnikov dhe kur e pa që vajza u shtri mbi tokë babi i saj qortoi edhe veten po me kallashnikov.

Nga Dukagjini është edhe ajo vajza tjetër që ri e shtrirë me gjyshin. Po prashisnin arrën në fshat kur tre xhaxha i qëlluan pas shpine dhe ikën me vrap.

Këtë djalin këtu afër krevatit tim e vrau dhe e dogji në pyll shoku i tij. Është nga një fshat i Gjirokastrës dhe mami me babin e tij nuk kanë gjetur ende lekë për një makinë që ta çojnë në vendlindje.

Ato dy vajzat shtrirë pranë njëra-tjetrës janë motra, janë nga Elbasani. Kur po iknin me mamin në shtëpi i shtypi makina dhe po presin që të shërohet mami i tyre që ti marrë te shpia.

Për atë tetën aty më vjen shumë keq sepse nuk i pushon gjaku akoma. E gjuajti me thikë te barku një rrugaç në Tiranë se donte t’i merrte varësen nga qafa, ndërsa ky xhaxhi përballë bëri fjalë me një çun te dyqani i tij në Yzberisht dhe ai çuni e qëlloi, por jo me thikë, me pistoletë prej vërteti.

Dua të iki, dua të iki se u mërzita. Nuk bërtas dot se nuk më del zëri, as të qaj nuk mundem. Dua të iki te mami, dua të iki te babi. Dua qumësht, dua lodra, dua gjoksin e ëmbël të mamit, dua prekjen e ftohtë të babit, dua të fluturoj përsëri…

Ue po i marrin të gjithë njerëzit, po ikin të gjithë. Zhurmë, sirena, njerëz, makina, kuje, arkivole… Ikën, ikën të gjithë.

2./

– Po këtë fëmijën do e marrë njeri? – pyeti ai xhaxhi që qep lëkurën.

– Jo, jo. Ende jo! – vjen mbytur një zë nga fundi i morgut që palos trupin e njomë të një të ikuri.

– Ka probleme i shkreti. Nuk e varrosin njerëzit e babait. Duan t’i bëjnë analizat e ADN-së, dyshojnë te atësia…

Jooooo, mos më lerni këtu. Thuajini babit se i tij jam, thuajini babit se kam qejf të fluturoj përsëri.

*facebook.com/bledi.mane