Shkelma në Kuvend, deputeti Flamur Noka i PD godet Erion Braçen

1
37


Shekulli Online, 16.11.2010

TIRANË – Mbledhja e djeshme e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë ka degjeneruar në sharje dhe përdorim të dhunës fizike. Deputetët Erjon Braçe dhe Flamur Noka kanë shkëmbyer ofendime midis njeri-tjetrit, duke degjeneruar edhe në goditje, ç’ka ka detyruar kryetarin Spaho të ndërpresë mbledhjen disa herë për qetësimin e situatës. Sherri ka arritur kulmin kur deputeti Noka ka goditur me shkelm kolegun e tij Braçe në korridorin në dalje të sallës ku zhvillohej komisioni.

Më parë, kryetari i komisionit parlamentar, kishte kërkuar pesë minuta pushim për të ndërprerë edhe një debat tjetër, midis deputetëve Malaj e Ahmetaj dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, në lidhje me treguesit fiskal të buxhetit 2011. Ndërprerja tre herë e mbledhjes, mund të cilësohet një rekord i ri për Kuvendin e Shqipërisë.

Fillimisht debati midis Braçes dhe Nokës ka nisur për shkak të diskutimeve për buxhetin, ku deputeti socialist, i ka kërkuar këtij të fundit të mos ndërhyjë gjatë kohës, në të cilën ai po diskutonte. Kjo ka nxehur edhe më tej gjakrat duke kaluar në fyerje personale. Spaho ka ndërprerë për disa minuta mbledhje duke kërkuar nga deputetët të qetësohen. Debati më pas, është transferuar jashtë sallës, ku deputetët kanë vijuar të shkëmbejnë fyerje të rënda duke tentuar të konfrontohen, por ndërhyrja e kolegëve të tjerë ka shmangur një kontakt fizik midis tyre.

Ndërprerja e seancës nuk kanë mjaftuar për qetësimin e situatës, edhe pasi ka rifilluar ajo, deputetët kanë vijuar të shahen duke detyruar përsëri Spahon të ndërpresë mbledhjen. Deputetët kanë dalë përsëri jashtë, por ndryshe nga hera e parë, ndërhyrja e kolegëve nuk ka ndaluar kontaktin fizik. Noka godet Braçen me shkelm. Kjo ka mjaftuar për ndërprerjen përfundimtare të mbledhjes, ndërsa deputetët kanë vijuar me fjalorin e rëndë ndaj njeri-tjetrit.

Sherri Braçe-Noka nuk ka filluar dje, por i ka rrënjët në shumë debate të tjera të bëra në komisionet parlamentare, por edhe në sallën e Parlamentit. Deputetët kanë shkëmbyer fyerje me njeri-tjetrin në mënyrë të vazhdueshme që kur Noka është emëruar anëtar i Komisionit të Ekonomisë. Pak muaj më parë, në një debat të ngjashëm në këtë Komision, Noka i drejtohet Braçes, duke i thënë: të kap prej veshësh dhe të nxjerr përjashta. Kjo solli edhe reagimin e Braçes. “Deri më sot nuk me ka prekur njeri me dorë, kush guxon të më prekë duhet të bëjë hesap kokën“, – do të shprehej ai në nerva e sipër atëherë.

Edhe ditën e shtunë kur Komisioni i Ekonomisë zhvilloi mbledhjen e tij jashtë radhe, dy deputetët janë konfliktuar me njëri-tjetrin, por nuk kanë arritur deri në goditje. Deputeti Flamur Noka kërkoi prej deputetit Braçe sqarime, për disa, ofendimi që ky i fundit i kishte bërë atij, duke e quajtur “skuth”. Me gjithë tonet e ashpra të dy deputetëve, Braçe dhe Noka, të shtunën, situata nuk arriti deri në përplasje fizike.

Çfarë parashikon rregullorja e Kuvendit

Neni 65
Masat disiplinore më të rënda

1. Kur deputeti përdor fjalë fyese ose cenon personalitetin e drejtuesit të seancës apo vazhdon të kryejë shkeljen, pasi më parë në të njëjtën seancë janë zbatuar masat disiplinore, sipas nenit 64 të kësaj Rregulloreje, me urdhër të drejtuesit të seancës, përjashtohet nga seanca plenare për atë ditë. Në rast se deputeti s’pranon të dalë nga salla, drejtuesi i seancës e ndërpret atë dhe i jep porositë e nevojshme Shërbimit të Sigurisë në Kuvend për zbatimin e urdhrit të dhënë.
Masa disiplinore e përjashtimit nga seanca plenare shoqërohet me sanksion financiar të barabartë me një ditë nga paga e deputetit.

2. Kur deputeti bën thirrje për përdorim dhune, provokon rrëmujë në seancë që pengon zhvillimin e saj të rregullt, fyen ose kërcënon deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave ose përdor fjalë fyese për Presidentin e Republikës apo institucione të tjera shtetërore ndalohet të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione nga 2 deri në 15 ditë.
Ndalimi i pjesëmarrjes vendoset nga Byroja e Kuvendit me propozimin e drejtuesit të seancës ose propozimit me shkrim të jo më pak se 7 deputetëve.
Masa disiplinore e ndalimit të pjesëmarrjes në seancë plenare dhe në komisione shoqërohet me sanksion financiar të mbajtjes së pagës së deputetit për aq ditë sa është marrë masa disiplinore.
Në rast se deputeti përpiqet të hyjë në sallën e seancës plenare ose të komisioneve përpara mbarimit të kësaj mase ndëshkimore, afati i masës dyfishohet.

3. Për ngjarje tepër të rënda që ndodhin jashtë sallës ku zhvillohen punimet e Kuvendit, por brenda mjediseve të tij, Kryetari i Kuvendit merr masën disiplinore të parashikuar në pikën 2 të këtij neni.

Neni 66
Pezullimi dhe mbyllja e seancës plenare

Në rast se në sallë bëhet rrëmujë dhe nuk merren parasysh kërkesat e drejtuesit të seancës për mbajtjen e rregullit, drejtuesi i seancës lë vendin e tij dhe seanca plenare quhet e ndërprerë. Në rast se përsëri rrëmuja vazhdon, drejtuesi i seancës e pezullon seancën për një periudhë kohe të caktuar ose e mbyll atë. Në rast të mbylljes së seancës, Kuvendi mblidhet me të njëjtin rend dite të nesërmen, nëse nuk është ditë pushimi.

1 COMMENT

  1. Kur njeriu nuk ka skrupuj (veshtiresi e vogel, pa qetesi, qe te shqeteson si nje guralec ne kepuce. Eshte nje dyshim qe te mban dhe vjen nga delikatesa e ndergjegjes qe pengohet nga guralecet dhe e ndjen veten keq per momentin.) keto gjera jane normale.
    Cdo gje ka te beje me koshiencen, por ne kete rast ka te beje me qendren intelektive te zgjuarsise (qe ndodhet ne tru), prandaj ka dale ajo shprehja: Me ka ikur truri.
    Ka te drejt shkrimtari nobelist islandez Laxness kur thote: “Lufta ka qene gjithmon argetimi kryesor i njerezimit. Argetimet e tjera jane surrogato e luftes.”
    Keshtu qe deputetet tane jane duke u argetuar, prandaj lerini te qete dhe mos i shqetesoni.

Comments are closed.