
Nga Mero Baze
Një vit më parë, në zyrën time trokitën dy qytetarë të Orikumit, zonja Meçaj dhe zoti Xhuveli. Ishin përleshur me policinë dy ditë më parë, pasi kishin tentuar të ndalonin një kompani ndërtimi që do ngrinte një bllok pallatesh mbi një tokë, të cilën ata e konsideronin ende tokë të ish- NB Bujqësore, por që sipas të dhënave që kishin marrë nga Bashkia, i ishte kthyer një familjeje nga Dukati. Pretendimet e tyre ishin shumë njerëzore. Ata donin që pushteti të ishte i qartë me ta, nëse do respektonte ligjin 7501, apo do e anulonte atë dhe do t’u jepte tokën ish pronarëve.
Konflikti kishte lindur pasi sipas tyre, kjo familje që ishte bërë papritur pronare, kishte vendosur në pozita diskriminuese familjet e tjera ish- pronare nga një anë, të cilat s’kishin marrë pronat e tyre, dhe familjet që ishin kompensuar me ligjin 7501, që po ashtu ishin të pasigurta pas këtij veprimi. Shpjegimi i tyre ishte i sinqertë, kur më tregonin se të gjithë këtë histori e ka bërë një njeri i fuqishëm në Tiranë që “punonte” sipas tyre në Agjencinë e Kthimit të Pronave.
I pyeta për emrin e tij.
– Ja, e kemi këtu, thanë dhe më treguan letrën që kishin marrë në Bashkinë e Orikumit, ku pjesëtarë me familjen Sinanaliaj ishte bërë dhe Rrahman Selmanllari.
I sigurova se ky njeri nuk punon në Agjencinë e Kthimit të Pronave, por duket se kjo gjë ishte aq e besueshme në Orikum, sa ishte e kotë të lodheshe.
Ky njeri pra, Rrahman Selmanllari, ishte bërë “mit urban” në atë zonë, si një njeri që komandon Agjencinë e Kthimit të Pronave në Tiranë dhe po ta bëje atë pjesëtar duke filluar nga 20 për qind si rasti në fjalë, e deri në 50 për qind në disa raste të tjera, së bashku me një grup ortakësh të tij, mund të merrje lehtë pronën që të takonte ose s’të takonte. Gazeta botoi një ditë më pas dhe kontratën e mirëbesimit mes Selmanllarit dhe familjes së njohur si “pronare”, e cila i kushtëzonte shitjen formale me 10 euro metri/katror, në dy faza, dhjetë për qind për njohjen dhe dhjetë për qind për kthimin. Më tej akoma Selmanllari pranoi se nuk u ka dhënë lekë, por një apartament në Tiranë, pasi kështu mbulohet dhe pagesa e taksës për pasuri të paluajtshme duke e kthyer në shkëmbim mall me mall. Kjo natyrisht që rriti zemërimin e njerëzve në atë zonë.
Unë jam parimisht në anën e pronarëve. Fillimisht jam në anën e atyre fatkeqëve që nuk kanë mundur të marrin asnjë metër tokë nga toka e tyre. Pastaj në anën e tyre gjysmë fatkeqëve që paguajnë nga 20 për qind tek sekserët e Familjes Berisha për të marrë pronën e tyre dhe ndjej dhimbje dhe zemërim për ata ish- pronarë të gjunjëzuar, që po detyrohen të japin dhe 50 për qind të pronës së tyre po këtij grupi sekserësh, që nga derdhja e Semanit deri në Sarandë.
Forca speciale të policisë janë angazhuar dje sërish kundër banorëve të Dukatit dhe Orikumit, në vazhdim të kësaj beteje që ka nisur qysh vitin e kaluar. Kësaj radhe banorët janë më të përgatitur dhe më të qartë për problemin e tyre. Kuvendi i Dukatit realisht ka bashkuar njerëzit rreth problemit të përbashkët që kanë, dhe jo rreth problemeve të veçanta apo partive që kanë ata. Njerëzit janë bashkuar rreth problemit që pushteti i Familjes Berisha po krijon me pronën dhe arbitraritetin që po vërehet si ndaj ish- pronarëve dhe ndaj atyre që u është dhënë toka me ligjin 7501.
I njëjti grup që shfaqet në Seman, në Nartë, në Orikum apo diku tjetër, është shfaqur në qytetin e Sarandës dhe në mënyrë të paprecedent, qeveria ka anuluar titujt e pronësisë për rreth 800 subjekte, ku bëjnë pjesë dhe ish- pronarë të Sarandës të kompensuar, apo qytetarë të atij qyteti që kanë marrë tokën sipas ligjeve të shtetit për t’i kthyer pronën një pronari në vitin 2010, duke anuluar gjithë titujt e mëparshëm të pronësisë. Ky skandal, i cili ka tronditur Sarandën dhe ka rritur ndjeshëm tensionin në qytet, po përpiqet të mbahet i ngrirë nga Familja e kryeministrit deri sa të kalojnë zgjedhjet lokale, pa i dhënë asnjë zgjidhje.
Ky në të vërtetë është mekanizmi që familja ka ngritur për të grabitur tokat në Bregdet dhe për të poshtëruar bashkë me qytetarët e thjeshtë dhe pronarët legjitimë, të cilëve u bëhet ortake përmes sekserëve të saj. Shkoni bëni një udhëtim nga Vlora në Sarandë me njerëz që banojnë në ato zona dhe të tregojnë pa të keq kush e ka marr Nartën, kush e ka marrë Orikumin, kush e ka marrë Gjipenë, kush e ka marrë kalanë e Borshit, kush e ka marrë Kakomenë, kush e ka marrë Sarandën dhe kush po e merr Ksamilin.
Mister 20 përqindëshi i familjes Berisha, së bashku me grupin e ortakëve të tij, shfaqet gjithandej dhe tashmë ka futur në luftë qytetarët me pushtetin. Në këtë luftë, shteti është në anën e njerëzve të inkriminuar, në anën e zaptuesve të tokave në bregdet në emër të Familjes Berisha. Përballë tyre janë qytetarët e revoltuar nga pamundësia që po u krijohet për të marrë të drejtën e tyre mbi pronën.
Ajo që ndodhi dje në Dukat, është në të vërtetë fundi logjik i përplasjes së një pushteti që është marrë peng nga një grup mafioz i familjes në pushtet dhe qytetarëve. Lulëzim Basha, i cili vuan nga sindromi i Konti Çianos në atë Familje, le të shkojë të përballet me ata qytetarë të vjedhur, me ata pronarë të poshtëruar dhe me ato familje që nuk mbajnë dot veten në këmbë nga varfëria në të cilin i ka katandisur, dhe pastaj të na vijë të raportojë në parlament për sukseset e tij si shtet i NATO. Është koha e duhur të provojë se është gati “të lërë dhe kokën” për Familjen.







