Injektimi i dëshpërimit

0
18

Nga Mero Baze, 24 Shtator 2013

Debati i vetëm politik, që opozita po tenton të prodhojë me qeverinë, është debati për ata që do të largohen nga puna. Është fjala për një shpurë zyrtarësh politikë dhe figura të komprometuara, që janë bashkëpjesëmarrës në alergjinë popullore të një milion votave. Ky debat, më shumë se sa një humbje kohe, është një mungesë reale e ideve për të bërë opozitë.

Debati politik që provokon opozita, duhet të ketë një probabilitet shprese që të ngjallë së paku emocione politike. Debati që tenton të provokojë opozita, ngjall vetëm pesimizëm në opozitë, pasi flitet për një ngjarje të sigurt. Është e sigurt se zyrtarët e lartë në gjithë postet kyçe të pushtetit, do të ndërrohen. Nuk dua t’u hyj historive kriminale të ndryshimeve të drejtorëve dhe tre muajt e fundit, kur iku LSI, apo ndryshimeve dhe të pastruesve në Bashkinë e Tiranës nën komandën e Kunatit. Nuk ia vlen fare t’i hysh këtij debati pasi askush nuk ka shpresë të shpëtojë vendin e punës që e ka fituar politikisht, pasi më shumë ngjall dëshpërim ideja për të bërë opozitë me karrigen e tyre, se sa vetë fati i tyre. Duke qenë një energji e harxhuar për një debat të humbur, e gjithë kjo zhurmë vetëm sa e dëshpëron opozitën.

Vetë ata që do të largohen, më duket se janë më të qetë se PD për fatin e tyre dhe kjo është një dëshmi se ata e dinë se si kanë ardhur aty. Vetëm ekipi i ri i PD, i cili nuk di se si ka ardhur në pushtet, dhe më keq akoma, nuk ka qenë asnjëherë në opozitë, të vetmen ide që kanë për shtetin dhe pushtetin është lidhja me një vend pune.

Pra, thelbi i këtij debati më shumë se sa pasqyron ndonjë ankth të atyre që do lirojnë karriget, pasqyron ankthin e drejtuesve të rinj të opozitës, që nuk kanë qenë kurrë në opozitë. Kryetari i opozitës vazhdon të jetë në pushtet, bashkë me kunatin, vajzën e tezes, djalin e dajës, vëllain, vjehrrin dhe gjithë fisin si një udhëheqës tribal. Soji i tij në PD, të vetmen gjë që kanë bërë deri më sot, është se kanë njohur djalin apo vajzën e shefit të tyre dhe janë bërë deputetë dhe ministra.

Kjo lloj opozite, e cila ka nevojë së pari të shuajë makthet brenda vetes, pastaj të qetësojë mbështetësit e vet, rrezaton një shkretëtirë idesh dhe mungesë të frikshme të lidhjes së tyre me realitetin. Ata mendojnë se opozitën e bëjnë zyrat e reja në SHQUP, vendet e punës, lejet e Bashkisë, lidhjet me biznesmenët, etj. Në të vërtetë opozitën reale e bën beteja morale për të bërë diferencën me qeverisjen dhe qetësia e duhur për të ditur kur duhet bërë beteja. Në të kundërt, kryetari i ri i opozitës është një pirg konfliktesh interesi, një sekser biznesesh, lejesh ndërtimi, kompanish fluturimi, pallatesh të paligjshme në bregdet, dëshmitar vrasjesh politike, dëshmitar dhe pjesëtar në dëme financiare që kalojnë 200 milionë euro, dhe pikërisht për këtë shkak është emëruar dhe kryetar opozite.

Ai mendon se anëtarët e PD-së, apo militantët e vërtetë të saj, e kanë të lidhur jetën me një vend pune, siç e ka ai, dhe mendon se mund të fitojë zemrën e tyre duke u ankuar paraprakisht për heqjen e tyre nga puna. I mësuar të vijë nga klubet e natës në Prishtinë, përmes zyrës së vajzës së shefit drejt e në pushtet, ai është një rast i pashpresë opozitari, pasi politikën e ka mjet për të fituar dhe jo për të ndërtuar vlera morale dhe modele qeverisjeje.

Për këtë arsye ai, qyshkurse ka hyrë në atë zyrë, i vetmi debat që ka hapur është për heqje dhe vënie njerëzish në punë. Pasi bënë tre muaj opozitë paradhënie pa hyrë ende Rama në zyrë për mosmbajtje premtimesh, duke u bërë qesharakë, tani po vazhdojnë të dëshpërojnë mbështetësit e tyre duke u kujtuar se po largohen nga puna, kur vetë rrinë në zyrat e pushtetit.

Është pikërisht ajo që bën vetë me pushtetin e tij, që ka spastruar Bashkinë përmes njeriut të Familjes, dhe tani po e kthen në qendër strehimi për militantët të larguar nga puna. Ai mendon se njerëzit mbahen pas vetes ose me pare, ose me vend pune. Nuk i shkon mendja të bëhet lider e t’i mbajë njerëzit pas vete me shpresë. Është dhunti e liderëve që e blejnë pushtetin pasi nuk e fitojnë dot kurrë. Nuk kanë model tjetër dhe motiv tjetër për të luftuar.