Love?! Duhet luftë

0
32

Analize nga ARBEN RROZHANI

Kolegia Alba Malltezi në “Periferi”-në e radhës, me titull “Love” thotë troç: “Hapini rrugën kriminelëve”. Shkon përtej mëshirës kristiane, duke u bërë “më katolike se Papa”, kur i fton të gjithë të mos reagojnë kur i vjedhin dhe plaçkitin,duke vënë theksin se nuk ka më të rëndësishme se jeta.. .Mëse e vërtetë. Po aq sa do të ishte e vërtetë e hidhur kapitullimi, nëse gjithseicili prej nesh të dorëzohej, të tërhiqej, të mos reagonte, kur duan të të marrin atë që ke ngritur me djersë dhe me mund.

Po aq sa ç’është e vërtetë se krimi, nga ai më ordineri deri te ai i sofistikuari, por bën kërdinë në vend, duke u rrëmbyer shqiptarëve nga varëset dhe vathët te pronat e tyre, ndërsa keqbërësit, nga adoleshentët deri te “jakat e bardha” po përpiqen t’i zhveshin nga gjithçka kanë vënë me sakrificat dhe përkushtimin e një jete punë.

Këtu është problemi: Qytetarët, nga qendra e Tiranës, deri në periferinë më të largët, kanë përballë hajdutë të veckël, që s’e kanë për gjë të të vrasin për një varëse, që janë bërë njësh me hajdutë të gjithpushtetshëm, të cilët vjedhin e vetëm vjedhin shqiptarët e Shqipërinë dhe ku të dyja palët nuk dënohen, sepse krimi i rrugës ka e blerë shtetin, ndërsa pushteti po blen gjithë Shqipërinë.

Ndaj unë e refuzoj këtë dashuri ndaj kriminelëve. Propozoj luftë, dhëmb për dhëmb, nga ai qurrashi i pashpresë që është rritur në mjerimin për të cilin nuk ka faj as familja e tij dhe as lagjia, por sistemi kriminal i hendekut te frikshëm social që po thellohet ditë pas dite, deri te zyrtari më i pafytyrë, që flet edhe nga plazhi për vlerat europiane apo rekordet e mrekullisë ekonomike të Shqipërisë.

Duhet të kthehemi mëse 15 vite prapa edhe pse nuk duket se është 97-a. Por si atëherë shteti ka rënë, institucionet janë shpërbërë nga korruptimi, policët e keqpaguar janë dekurajuar për të mbrojtur rendin dhe jetët e qytetarëve. T’i bëjmë barrikadë krimit të rrugës, duke i marrë me hu këta kriminelë të pashpresë, që vrasin gratë për një varëse, që shesin makinat e vjedhura për t’i peshuar si skrap, që bastisin shtëpitë e ngritura me mund dhe me djersë.

Pastaj të bëhemi bashkë dhe të protestojmë atje të ministria që fle, të qeveria që bën të paditurën dhe ngazëllehet me përrallat që as vetë nuk i beson. T’i vëmë përpara. Ndryshe, po i lamë sot që të marrin sendet për të shpëtuar jetën për nesër, do të na ndjekin pas dhe do të na e marrin edhe atë. Atëherë do të jetë shumë vonë për t’u penduar.

Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)