Koncerti, Berisha largon Topallin për Bashën

0
39


Shekulli Online, 14.11.2010

Kryeministri ka vendosur ministrin e Brendshëm në podium, ndërsa kryeparlamentaren e ka lënë të festojë me turmën e militantëve

TIRANË – Koncerti festiv për liberalizimin e vizave ka treguar edhe një herë tensionin që ekziston brenda Partisë Demokratike mes Jozefina Topallit dhe Lulzim Bashës. E para është nënkryetarja e PD-së me aspirata të qarta për t’u bërë një ditë kryetare, ndërsa i dyti është “ylli i ri” që ka mbështetjen e kryetarit Berisha për t’u lançuar fillimisht si kandidat për bashkinë e Tiranës dhe më pas për të qenë pasardhësi i tij në parti. Mbështetja e Berishës për Ministrin e Brendshëm është vënë re edhe në koncertin e vizave ku Topalli është eklipsuar, ndërsa Basha është ngjitur në podium për të marrë meritën kryesore. Nga ana tjetër, Topalli është lënë në mes të turmës në shoqërinë e deputetëve të tjerë si Bumçi, Hoti, Bogdani etj.

Kryetarja e Kuvendit ka qenë një prej eksponentëve të mazhorancës, e cila ka lobuar më shumë për procesin e liberalizmit të vizave, duke udhëtuar në shumë vende të Bashkimit Europian. Ajo u ka kërkuar kolegëve të saj që të ndikojnë tek deputetët për përshpejtimin e proceseve integruese të vendit tonë. Për udhëtimet e shpeshta socialistët e akuzojnë kryeparlamentaren për abuzime me fondet publike, ndërkohë që vetë kryetarja e Kuvendit ka deklaruar se axhenda e Kuvendit është procesi i integrimit. Por, pavarësisht kësaj, atributet më të mëdha për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë po i vishen ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha.

Strategjia e të besuarit të kryeministrit Berisha ka qenë e ndryshme nga ajo e kryeparlamentares duke preferuar që në vend të takimeve me homologët e tij jashtë vendit, Basha të fillonte fushatën sensibilizuese në qytetin e Tiranës duke shkuar madje në pjesën më të madhe të gjimnazeve të kryeqytetit. Dalja e tij e shpeshtë, si në media ashtu edhe në aktivitete që kanë të bëjnë me sensibilizimin e qytetarëve të Tiranës, për respektimin e kritereve pas heqjes së vizave nuk është e rastësishme. Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, po nis fushatën elektorale për ta garuar përballë Ramës për bashkinë e kryeqytetit.

Ai ka mbështetjen e plotë të kreut të qeverisë, i cili e merr me vete pothuajse në të gjitha takimet e rëndësishme. Basha ka hyrë në PD, në vitin 2005, me rekomandimin e veçantë të Argita Berishës dhe shumë shpejt u kthye në një prej personave më të rëndësishëm si brenda strukturave partiake ashtu edhe në qeveri. Mbrojtja e kreut të qeverisë për ministrin e tij besnik është parë qartë edhe në ditët më të vështira të Bashës. Në atë kohë, ai akuzohej nga Prokuroria për skandalin e 1.3 milionë eurove të Durërs-Kukës, por kryeministri pohoi se vendimi ishte kolegjial nga të gjitha ministrat dhe Basha nuk kishte asnjë përgjegjësi.

Përplasja Basha-Topalli
Edhe kryeparlamentarja Topalli dhe ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, e mohojnë se midis tyre ka një “luftë”, ajo u bë e qartë një vit më parë më 20 nëntor kur gjatë seancës plenare, kryeparlametarja i ndërpreu fjalën ministrit. Incidenti ndodhi gjatë kohës së diskutimit për miratimin e pr/buxhetit 2010, kur ministri Basha po fliste kundër Edi Ramës. Në këtë seancë, kryeparlamentarja Topalli i hoqi mikrofonin Bashës, duke i lënë fjalën përgjysmë. Një tjetër rast që tregon klimën e acaruar është edhe raporti që kryeparlamentarja Topalli i paraqiti në 2007-ën Këshillit të Rregullores dhe të Mandateve për imunitetin e Ministrit Basha, ku ndonëse hidhte poshtë pretendimet e Prokurorisë, kërkonte heqjen e Imunitetit. Ndërkohë, disa ditë më parë, Topalli në një emision televiziv po rendiste arritjet e mazhorancës dhe midis tyre, ashtu si pa dashje tha: “Kemi arrestuar Lul Bashën”, – duke pretenduar më pas se gabimisht e kishte ngatërruar me Lul Berishën.

Diskutimi për projektbuxhetin 2010, datë 20 nëntor 2009

Replika

Basha: Nëpërmjet dezinformimit të tyre kanë pasur si qëllim kryesor politik pengimin ose vonimin e procesit të liberalizimit të vizave, ç’ka është interpretuar gjerësisht nga intelokutorët e mi, por dhe të kolegëve të mi në këtë kabinet, si një përpjekje e qartë për të vënë në funksion të agjendës së ngushtë të politikës së zotit Rama, një qëllim kaq madhor për çdo shqiptar, siç është ajo e liberalizimit të vizave.
Ndërhyn Topalli: Zoti ministër ka mbaruar koha.
Basha: Edhe një minutë zonja kryetare.
Topalli: Mbylleni se ka mbaruar koha.
Basha (vazhdon të flasë) Gjej rastin… (Bashës i mbyllet mikrofoni. Nuk dëgjohet më zëri i tij).

Më pas Bashës i ndizet sërish mikrofoni dhe pa mbaruar fjalinë, ndërhyn sërish Topalli: Ju lutem zoti ministër e kanë fjalën të tjerët. Faleminderit. Zoti Tritan Shehu keni fjalën.
Basha i kthehet Topallit, dhe i thotë diçka (nuk dëgjohet, pasi mikrofoni është i mbyllur), qëndron dhe për pak në podium dhe më pas u largua drejt karriges së tij.