TemA Online, 1 Shtator 2012
Gjatë fjalës së tij të mbajtur ditën e sotme në inagurimin e një rruge 5.1 kilometra të gjatë në periferitë e Durrësit, kryeministri Berisha është marrë gjatë me opozitën. Sipas tij, kjo e fundit ka qenë gjithmonë kundërshtuese jo vetëm për integrimin, por edhe për ndërtimin e rrugëve. Por, sipas Berishës, nëse vazhdin me këtë qendrim, opozita nuk vjen në pushtet edhe për 30 vjet.
“Vëllezër, le të kthehemi pak gjatë këtyre viteve, se çfarë qëndrimi mbajti opozita dhe se si votoi kundër rrugës së kombit. Çfarë qëndrimi mbajti opozita dhe se si e mbajti parlamentin deri në 5 të mëngjesit kundër ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan. Se çfarë qëndrimi mbajti opozita, tre muaj më parë për shtesat e domosdoshme që duheshin bërë për ndërtimin e rrugëve të Jugut, Levan- Vlorë, Levan Tepelenë.
Po rrugët janë interesi jetik i të gjitha shqiptarëve pavarësisht nga bindjet e tyre partiake, e të gjithë atyre që votojnë, e të gjithë atyre që nuk votojnë. Interesat e kujt mbrohen duke u përpjekur të pengosh ndërtimin e tyre? Shqipëria ka dalë në krye të investimeve të huaja për frymë, çka është një fat i madh sepse këto investime krijojnë me dhjetëra e mijëra vende pune. Të ngrihesh çdo ditë kundër tyre, të bësh letra të hapura të stilit të Enver Hoxhës kundër bizneseve të huaja, bën një Don Kishot të vërtetë me mullinjtë e erës. Por janë fatlumë ata dhe vendi që këto nuk varen nga tre të pestat, këto nuk mund të bllokohen. Dhe e vërteta është se sa më shumë ti sulmojnë këta shokë investimet e reja, aq më larg i largohen pushtetit edhe deri në 30 vite po vazhduan në këtë mënyrë”, ka thënë Berisha gjatë fjalës së tij.
Berisha është ndalur edhe tek “Shqipëria, superfuqi energjitike e rajonit”, duke thënë se janë ndërtuar hidrocentrale e HEC-e pa fund dhe në vende që nuk mund të ndotin ambientin.
“Le të ndalemi pak në platformën tonë të Shqipërisë, superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon. Çfarë po ndodh në të katër anët e vendit. Në të katër anët e vendit po ndërtohen hidrocentrale. Në 3-4 vitet e fundit janë ndërtuar mbi 70 HEC-e. Asnjëri prej tyre në Durrës, Tiranë, në Manzë apo në Sukth. Të gjitha janë ndërtuar në zona që ne nuk i shohim sepse janë larg sepse janë përtej maleve, përtej kodrave, por janë në zona ku jetojnë shqiptarë, ku marrin rrogat, ku mbajnë familjet, ku punësohen dhe ata.
Qeveria ka firmosur në sektorin privat për ndërtimin e 332 Hec-ve në të katër anët e vendit dhe kjo do të thotë krijimi i dhjetëra vendeve të punës edhe në zonat më të varfra në të katër anët e vendit”, tha Berisha.
Sipas Berishës, në gjithë vendet papunësia është shtuar, ndryshe nga Shqipëria, që sipas tij, ka njohur ulje të papunësisë. Kjo, sipas Berishës, ka ndodhur para së gjithash për shkak të rritjes së numrit të turistëve. Sipas tij, nga 300 mijë turistë që vinin në shqipëri në vitin 2004, tashmë vijnë plot 4 milionë turistë.
“Papunësia në Shqipëri nuk u rrit, por u ul në mënyrë progresive sepse ne bëmë realitet një ëndërr, bëmë realitet Shqipërinë turistike. 300 mijë turistë dhe vizitorë priste Shqipëria në vitin 2004 kur qeverisnin shokët socialistë, 4 milion e 10 mijë priti vitin e kaluar, ndërsa 300 mijë më shumë janë deri tani. Ky është një realitet i ri, një realitet i shkëlqyer, i cili ka bërë që sipas statistikave më serioze, ky sektor në Shqipëri punëson 190 mijë burra dhe gra të këtij vendi. Industria turistike është shndërruar në industri kryesore dhe ju garantoj ju se ne që sollëm këtu rrugën Hamallaj-Manzë-Tiranë, do të ndërtojmë dhe rrugën tjetër Hamallaj-Durrës.
Nuk ka kërkesë më të drejtë se sa kërkesa për rrugët. Ne ulëm papunësinë dhe do të ulim atë sepse ne po bëjmë gjithçka për Shqipërinë dixhitale. Vetëm ky sektor i ekonomisë, i cili është rritur me më shumë se 15 herë nga viti 2006 e deri më sot , ka punësuar me mijëra e mijëra qytetarë dhe qytetare shqiptarë.
Në një hark kohor të shkurtër, ne kemi trefishuar numrin e studentëve. Edhe kjo në funksion të punësimit, sepse është e faktuar si drita e diellit se shkollimi dhe universiteti japin shanse shumë më të mëdha për punësim të të rinjve, sesa tek të rinjtë e tjerë, pra e tërë politika jonë është e përqendruar tek punësimi, e tërë politika jonë është të mbrohemi nga kjo krize e thellë që ka pllakosur disa vende të rajonit dhe Evropën. Dhe e vërteta është se këto reforma kanë qenë një ombrellë e fuqishme e mbrojtjes ekonomike”, u shpreh Berisha.







