Provokatori Edi Rama

0
28

Arben Rrozhani, 22.09.2013

Sali Berisha ka të drejtë të rebelohet dhe të shkumëzojë përballë faqes së profilit në Facebook. T’ia numërojë një për një horrlliqet që pasuesi i tij mavi bëri në vetëm një javë pas hipjes në fuqi. Sepse horrlliqe të tilla, duhen demaskuar, ai duhet ndëshkuar, populli duhet të rrijë syçelët, media duhet ta çartallossë dhe bota mbarë ta marrë vesh se kush e mori pushtetin në Shqipëri. Edi Rama nuk ka ndryshuar. Provokator ka qenë, provokator mbetet. Ka ndryshuar vetëm vendi.

Kur ishte pedagog, provokonte komunistët te Instituti i Arteve; kur lindi PD-ja provokoi te Qyteti Studenti, duke mos pranuar të ishte në partinë e rrëmbyer nga ish-komunistët, kur shkoi në Francë ngrinte edhe bunkerë prej leckash të përdorura për të treguar mjerimin e vendit nën drejtimin e presidentit Berisha, kur lulëzonin piramidat financiare; kur u bë ministër Kulture leu korridoret me të kuqe vrastare dhe vuri rendin në Ministrinë e Kulturës dhe Sporteve; kur erdhi në bashki puna e parë që bëri ishte shtimi i aneksit gjysëmrrethor në godinë, vuri sportele për qytetarë, bëri rrugë, mbolli pemë, fshiu barakopolin në lanë e mbi lulishte; mori edhe një sopatë të gjatë dhe shkoi tu binte shtyllave të drunjta që KESh-i i qeverisë së Fatos Nanos kishte lënë në mes të rrugës së zgjeruar prej bashkisë së tij për t’ia prerë rrënjët sistemit jofunksional qeveri qendrore-pushtet vendor; mori partinë e bërë kashtë e koqe, pas humbjes së bixhozxhiut politik Fatos Nano për ta bërë një parti moderne të të majtës, me ambicien për rikthim në pushtet, vuri rregull dhe i bëri edhe fasadë të xhamtë selisë; ia vodhën një palë zgjedhje në 2009, ia vodhën edhe karriken në bashki në 2011, e detyruan të fuste edhe partinë në grevë urie, pastaj t’ia vrisnin simpatizantët përpara selisë së qeverisë; ua mori hakun shumëfish duke i nxjerrë hajdutët në opozitë në 23 qershor 2013.

Për dy muaj, ndërsa Berisha bënte harxhet e fundit kryeministrore, shiste ato që kishin mbetur e pushton-te ato ishin të lira, provokatori Edi Rama, studionte, mendonte dhe planifikonte se çfarë duhet të bënte ditën e natën e parë në Kuvend, ditën e natën e parë të mbledhjes në qeveri, si do sillej, si do vishej, çfarë do të thoshte dhe kulmi: çfarë do të vendoste. Vendosi që të hiqte një president të zgjedhur në minutën e fundit, në mënyrë të njëanshme nga partia e tij dhe pa konsensusin e opozitës së majtë. Vuri në vend të tij një burrë-shtetas, Ismail Beun, baba të pavarësisë. U hoqi nga duart tribale kryeministrave dhe kryeparlamentares së djeshme, që tallnin menderen me kreun e shtetit, që hodhën në kosh fotot e Moisiut, Topit e Nishanit, veç pse nuk ua donin as kopjen në letër në zyrat e tyre.

Në tavolinën ovale të qeverisë, vuri mes mes atë hartëgrua, Europën e lashtë me rrënjë kristiane, atje ku Shqipëria ka qenë dhe do të jetë, jetë e mot edhe pse Berisha e anëtërësoi në Konferencën Islamike në 1992, edhe pse talebanizmi politik qeverisës, deshi të instalonte një rregjim alla-arab, si ai që ende po përgjak shumë vende të lindjes së Mesme. Flaku plehrat që Shqipëria të mos jetë më oborri i prapmë e plehrave të Italisë, as ricikluese e plehrave toksike të Greqisë, Serbisë, Maqedonisë apo Ukrainës. S’do ketë as konteinerë me plehrat që helmojnë shqiptarët, ujëra, lumenjtë, tokat dhe jetët tona. Inceneratorët nuk do ngrihen e nuk do vjellin helm për të helmuar Shqipërinë. Bëri dhe Kod Etike për qeverinë e re. Bunker do jetë. Kulmi!

Nuk do të jetë Damir Fazlliçi në krah të ministrave, atje në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ky sekser që ka bërë namin në gjysmën e ish-Jugosllavisë, shok me atentatorët e Zoran Gjingjiçit, mik dhe familjar me serbët e nëntokës që kontrollojnë punët e pista të Boegradit, Sarajevës, off-shoret në parajsat fiskale, që blen toka nga fshatarët dhe pastaj i rishet për të fituar plot 50 milionë euro sa hap e mbyll sytë. Ky provokator ka zbritur dhe na nxorri bojën me foto në Facebook, nga ashensori me pllaka të thyera që qeveria bujare e bleu për 100 milionë lekë për ngjitur një kat deri te fustanet dhe recipetat e femrave, varur në kremasataret e kohës së Enverit, kolltukët veshjeshqyer të kohës së Adil Çarçanit; gjithë ato rropullira që nuk vlenin për tua marrë pas bastisjes së zyrave të shtetit prej qeveritarëve që morën 1 milion vota.

Kulmi i kulmeve ishte heqja e atij gardhi të hekurt, që nuk po e çon as për skrap ku shkoi Shqipërinë nën drejtimin e PD-së, por për të mbrojtur Butrintin turistik. Do që të kthejë projektin e Italisë, vitet ’40, kur jemi në vitin 2013, kur pushteti ishte vetëm i sigurtë pas atyre hekurave të zinj, atyre viktimave të bulevardit, që bëheshin shembull për ta mos ia kapërcyer kurrë më, dhe nëpër ato “zonë e ndaluar” të shëtisin pleq e fëmijë.

Tani po lan edhe borxhet që u bënë mal nga qeveria e kaluar, mendon të hapë vende pune për njerëz me shkollim jashtë vendit, të flakë në rrugë magazinierët dhe karrocierët e shndërruar në drejtorë me një teserë partie. Thotë që do zhbëjë Berishën për të ribërë Shqipërinë, si dikur kur hiqte grinë dhe bënte larushinë te fasadat e pallateve. Dhe më tepër se kaq. Sepse është kryeministër. Ky është provokimi më i madh i Edi Ramës. Kulmi!