Ndaloni politikën si një lojë negative

0
50

Karsten Ankjaer Jensen

Kjo javë ka qenë historike, madje tronditëse për perspektivën e Shqipërisë në BE, duke pasur më shumë në fokus liberalizimin e vizave dhe më pak, opinionin e Komisionit mbi aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit. Duhet të ndodhte e kundërta. 
1. Edhe pse e kuptoj simbolikën e thellë që ka për shqiptarët gëzimi dhe lumturia e tyre për lirimin nga vizat për vizita afatshkurtra, gjithashtu mendoj se rëndësia që po i jepet e ka kaluar masën. Është e vërtetë se lëvizjet tashmë do të bëhen shumë më të volitshme meqenëse do të rritet liria për të vendosur se kur do të udhëtohet. Por kjo nuk i jep të drejtë të pakufizuar çdo shqiptari për të hyrë në Europë, sepse ka rëndësi të kuptohet se ndërsa kontrollet janë lehtësuar, kërkesat thelbësore për të hyrë në zonën Shengen nuk kanë ndryshuar.

Liberalizimi i vizave nuk është një kalim i lirë në Europë sikurse mund të jeni prirur të besoni kur shihni të gjitha tabelat e reja të trafikut në Tiranë. Padyshim, shumë shqiptarë ka të ngjarë, të ndeshen me një surprizë jo të këndshme ndërsa do përpiqen të hyjnë në zonën Shengen. Nëse ata nuk do të tregojnë se kanë një biletë kthimi apo fonde të mjaftueshme etj., ata do të kthehen mbrapsht. Por shumë më tepër shqiptarë se tani, do të jenë në gjendje të udhëtojnë. Dhe kjo është një gjë e mirë, si dhe është një arsye e mirë për të festuar.

2. Ngjarja e dytë e kësaj jave, Opinioni i Komisionit mbi aplikimin e Shqipërisë, për statusin e vendit kandidat, lë shkas për çdo gjë tjetër përveçse jo për të festuar. Është me të vërtetë një dokument shumë trishtues rreth situatës në Shqipëri. Ju rekomandoj ta lexoni atë. Pjesa më e madhe e tij nuk duhet të përbëjë surprizë për asnjë. Shumë nga çfarë kritikohet është thënë për vite me radhë, në mos prej dekadash nga ndërkombëtarët. Dhe është injoruar gjerësisht për kohë kaq të gjatë nga klasa politike. Megjithatë, opinioni nuk është punë e zakonshme.

Është përgjigjja e provimit të parë real të Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Ndryshe nga raportet e progresit vjetor, të cilat ndjekin ndryshimet nga viti në vit, opinioni i komisionit është një përmbledhje e plotë që përmban atë çka është arritur deri më tani. Gjithashtu, është një vlerësim i asaj se çfarë ka të ngjarë të arrihet në një aftat të shkurtër apo të mesëm, nga mënyra se si ecin gjërat. Është një dokument i cili do të lexohet nga një auditor shumë më i gjerë sesa ai i raportit të progresit vjetor. Përfundimi i tij, gjithsesi do të arrijë shumë më tepër.

Dhe fatkeqësisht, Shqipëria mbeti në provim. Ajo çka është edhe më shqetësuese është se komisioni sheh pak perspektiva për Shqipërinë që të kalojë provimin e hyrjes në një afat të shkurtër apo të mesëm. Në disa fusha të caktuara, si mjedisi, termi afatgjatë duket se është e vetmja perspektivë realiste. Kështu që nuk ka bazë për të nisur negociatat apo për të dhënë statusin e kandidatit. Ndryshe nga Mali i Zi i cili mori një po të diskutueshme, Shqipëria mori një Jo të fortë.

Kjo është keq. Për disa arsye: Është keq, sepse shumë shqiptarë i kishin shpresat e tyre të ngritura për anëtarësim shumë më shpejt sesa ai tashmë ka të ngjarë të ndodhë. Është keq, sepse investitorët e huaj dhe qeveritë kishin besim se Shqipëria ishte në rrugën e duhur drejt BE-së. Me fjalë të tjera: Përgjigjja e provimit thyen pritshmëritë jorealiste dhe imazhin që Shqipëria është përpjekur t’ia paraqesë botës së jashtme.

3. Me ndërgjegje të plotë, përdor fjalën Shqipëri këtu. Nuk po them qeveria. Nuk po them opozita. Nuk po them Berisha, Meta, Topalli apo Rama. Sepse megjithëse opinioni mbi këtë apo atë çështje specifike, dënon sjelljen e qeverisë aktuale, pika themelore e raportit është se klasa politike shqiptare për shumë vite ka dështuar së ndjekuri sëmundjet e këtij vendi. Ka dështuar të ndërtojë institucionet dhe kulturën e pjekur politike që janë absolutisht thelbësore në një shoqëri moderne. Dhe të cilat janë sigurisht “sine qua non” për anëtarësimin në Europë. Ngërçi politik aktual nuk është shkaku. Është një simptomë e asaj çfarë po shkon keq me kulturën politike. Opinioni i komisionit është kuptuar si një sinjal zgjimi për elitën politike shqiptare.

Dhe, sigurisht, indirekt ndaj votuesve shqiptarë të cilët hedhin votën e tyre. Mesazhi i shtruar nga BE është më se i qartë: Nëse doni të bëheni anëtar, nëse doni begatinë në një të ardhme të afërt, atëherë politika shqiptare ka nevojë të ndryshojë në mënyrë rrënjësore dhe të shpejtë. Anëtarësimi në BE nuk është si anëtarësimi në NATO, OBT, OSBE etj. Është një ndërmarrje e madhe për BE-në dhe për anëtarin e ardhshëm. Dhe është një punë ekstremisht e kushtueshme për taksapaguesit europianë. Anëtarësimi, thjesht, nuk do të ndodhë nëse nuk përmbushen kërkesat. Çdo gjë përveç përputhjes së plotë do të ishte në realitetin e sotëm politik vetëvrasje në shumë, në mos më të shumtën, e vendeve të BE-së. Dhe kujtohuni: ju duhet vota e të 27 vendeve të BE-së.

Por, së pari: Mos i humbni shpresat. Disa nga vendet aktualisht anëtarë të BE-së gjithashtu mbetën në provimet e tyre kur aplikuan fillimisht.

Së dyti: Liberalizimi i vizave është një shembull i asaj se çfarë Shqipëria mundet të arrijë, nëse i kryen detyrat e shtëpisë.

Së treti: Shumë nga çka është e nevojshme për t’u bërë është punë e vështirë – bërja e detyrave të shtëpisë. Por, shumë nga sëmundjet e përmendura në raportin e komisionit do të kurohen thjesht nga ndryshimi i sjelljes duke i thënë “ndal” korrupsionit, “ndal” politizimit të institucioneve, “ndal” nepotizmit, si dhe duke respektuar rregullat e qarkullimit. Ndaloni, së pari, politikën si një lojë negative me shumë zero pra si një lojë ku shikoni kundërshtarin tuaj të humbë ndërsa ju fitoni.

Së katërti: Unë me të vërtetë besoj se Shqipëria dhe shqiptarët kanë atë çfarë ju duhet për t’u bërë anëtar. Ju keni motivimin, shtysën dhe energjinë për të ecur përpara. E shikoj çdo ditë këtë. Në shumë mënyra, por jo të gjithë, ju veproni dhe mendoni si europianë. Për mendimin tim, Shqipëria dhe populli shqiptar e ka kapacitetin. Ajo çka mungon është vullneti. Dhe, ndoshta për shumë të tjerë, njohuritë. Shpresoj që fakti se shumë më tepër shqiptarë do të munden të shohin dhe të frymëzohen nga bota jashtë, në vetvete do të provojë të jetë një forcë shtytëse për ndryshim.

Autori: Ambasador i Danimarkës. Fjalë e mbajtur në Konferencën e organizuar nga Lëvizja Europiane Shqiptare me temë:“Impakti i Integrimit Europian në Shoqërinë Shqiptare dhe e përcjellë për botim në “Shqip”: E ftuar nderi Znj. Britta Thomsen, anëtare e Parlamentit Europian”.