Zyra private e Berishës

0
20

Nga Mero Baze22 Shtator 2013

Sali Berisha po bën një përpjekje të sforcuar për t’u sjellë si ish- kryeministër, duke marrë një zyrë private, në ndërtesën e një biznesmeni i cili ka qenë klienti kryesor i pushtetit të tij dhe familjes Berisha. Edhe pse duket si lajm episodik, në të vërtetë “streha” e fundit e Sali Berishës zbulon mënyrën si e ka përdorur pushtetin.

Biznesmeni në fjalë, Bashkim Ulaj, ka qenë një biznesmen si gjithë të tjerët deri në vitin 2005, biles me lidhje nga të dy krahët politike. Por, një vit para se Berisha të vinte në pushtet, ai dhe familja e tij morën disa apartamente luksoze në pallatin e tij ngjitur me Kryeministrinë. Apartamentet iu shpërndanë në emër të Berishës fëmijëve dhe të afërmve të tyre, në një zonë ku çmimi shkon 2 mijë euro metri katror.

Pasi Berisha erdhi në pushtet, ky biznesmen nuk u trajtua njësoj si të tjerët. Ai u bë përfituesi kryesor i koncesioneve të mëdha të pushtetit. Mori dy licensa për fabrika çimento, hidrocentrale, parkinge nëntokësore që po i përdor si mbitokësore, dhe prej vitit 2007 kompania e tij filloi të futej në ndërtimin e rrugëve, edhe pse nuk kishte një biografi të nevojshme për këtë biznes. Në partneritet me kompani të afërta të qeverisë, ajo u shndërrua në diktuesen kryesore të tendermarrësve të rrugëve, ndonjëherë duke nxjerrë me dhunë nga tregu dhe ndërtues të mëdhenj rrugësh, siç ishte rasti i kompanisë Geci.

Sikur të mos mjaftonin këto, privilegjet u shtrinë dhe më tej. Në kundërshtim me çdo legjislacion të Shqipërisë, ky biznesmen ka marrë leje të paligjshme, mbështetur tek një marrëveshje me ish- ministrin Olldashi, për të çarë gjithë rrugët e Shqipërisë, të reja dhe të vjetra, përfshi dhe Rrugën e Kombit, për të shtrirë një linjë private të fibrave optike nga Tirana në drejtim të çdo pike kufitare të Shqipërisë. Sipas një rregulloreje formale të Drejtorisë së Rruëgve, bizneset që ndërhyjnë në akset rrugore duhet të sigurojnë dhjetë për qind të vlerës së rrugës si garanci. Ky biznesmen ka prishur gjithë rrugët e Shqipërisë, disa në mënyrë të rrezikshme, pa asnjë sanksion dhe ja ka arritur të formalizojë një biznes të tij, duke përdorur pushtetin për të instaluar një biznes kombëtar.

Edhe një tender tjetër që Ministria e Teknologjisë së Pollos tentoi të bënte lidhur me rrjetet dixhitale në vend, u detyruan në fund t’ia japin po këtij.

Sikur të mos mjaftonin privilegjet e pushtetit për biznes, ai po mban të bllokuar prej më shumë se një viti “Sheshin Italia” në Tiranë, për të cilin ka marrë koncesion nga Berisha dhe Basha të bëjë parking nëntokësor dhe në fakt ka punësuar disa tropojanë dhe e kanë kthyer në parking të shëmtuar mbitokësor në mes të Tiranës. Shpresoj që në kuadrin e masave estetike, qeveriae re ta çlirojë sheshin derisa ky biznesmen nuk ka ndërmend të ndërtojë parkingun.

Pra, gjithë këto biznese, koncesione dhe favorizime të nëjanshme kanë lidhje me pushtetin e Sali Berishës. Tashmë Sali Berisha iku nga pushteti pikërisht për shkak të vendosjes së një regjimi familjar në Shqipëri, dhe rikthehet në Kullën e Familjes, për të kaluar pleqërinë si ish- kryeministër.

Për aq sa e njoh Sali Berishën, ai nuk ka nevojë për një zyrë për qetësi, apo për të shkruajtur kujtime. Ai nuk e përdor kompjuterin për të shkruar, nuk ka një sistem administrativ pune personale dhe nuk shkon dot në një zyrë ku ai nuk është i pari i vendit. Ai shkon në një zyrë për të qenë kryetar ose i pari, por kurrë nuk mund të shkojë në një zyrë sië mund të shkoj unë apo dikush tjetër, për të punuar i vetëm.

Në këtë pike, shkuarja e tij në një zyrë private, përveç zyrës që ka në PD, ka kuptim psikologjik për të vetë, se ai ndjehet aty si pronar dhe e konsideron atë ndërtesë pronë të tij. Ai nuk hyn tek njerëzit që do një zyrë për qetësi apo punë personale. Zyra e tij reale është në PD. Atje ai ndjehet i pari kur hyn në zyrë, kur i hap roja derën e makinës, kur e pret sekretarja dhe kur e vizitojnë vartësit. Tek Kulla e Ulajt, atë nuk ka kush ta presë, përveç instiktit të tij se atij i takon diçka nga ajo pasuri. Dhe këtu nuk dua të përdor kriteret që ai përdor për t’u thënë shqiptarëve se shtëpia e xhaxhait të Linda Bashës, është e Ramës, vetëm se është bërë në kohën që Rama jepte leje nga Bashkia. Me atë kriter gjithë bizneset e Ulajt janë të Berishës, pasi janë bërë me privilegjet dhe jo vetëm lejet që ka ofruar ai. Por, nuk dua të imitojmë Berishën në këtë pikë, por vetëm të theksojmë faktin se ajo zyrë private mbart gjithë konfliktin e interesit të një rregjimi që iku dhe rrezaton faktin se kush ndjehet borxhli ndaj pushtetit të tij.

Dhe, për këtë nuk duhet heshtur. Sidomos ndaj një njeriu, i cili duhet hetuar deri tek qindarka e fundit, për mënyrën se si ka qeverisur këto tetë vite, në emër të pushtetit të Familjes.