Nga Mero Baze, 30 Gusht 2012
Shpërthimi i Sali Berishës kundër Fatos Lubonjës, nuk ishte as i egër dhe as aq me humor. Ishte diçka që duket se e kishte menduar ta bënte, jo aq për çfarë Lubonja e ka kritikuar, por për padobinë e “modelit Lubonja” që Berisha ka në kokë.
Në gjithë logjikën e tij politike dhe në gjithë qëndrimin ndaj medies dhe partnerëve politikë, Berisha ka një parim nga i cili nuk ka lëvizur kurrë. Ai nuk duron dot askënd që tenton të jetë edhe me të, edhe me kundërshtarin, ose edhe kundër tij, edhe kundër kundërshtarit.
Fatos Lubonja është një publicist i punësuar në grupin mediatik Klan, me kontrata bashkëpunimi si kontributor i jashtëm. Grupi Klan është më i afërti dhe më i ndoturi në profesionin e vet pro Berishës. Pronari i tij është kthyer në legjendë të përdorimit të medies për trafik pushteti dhe biznesi në Shqipëri, dhe një nga modelet e shëmtuara që ka infektuar gjithë medien shqiptare, që lind, rritet dhe vdes me ëndrrën “t’ia arrijë ditës së Sandrit”.
I kompleksuar nga nja histori miqësie dhe armiqësie të madhe personale me Edi Ramën, Fatos Lubonja ka qenë realist në shumë qëndrime ndaj qeverisjes së Berishës, por në sistemin e tij të dhënies së opinioneve ekziston gjithmonë paralelizmi me opozitën, duke i barazuar të këqijat e saj me pushtetin. Kjo është një temë e gjatë dhe e lodhshme në shoqërinë shqiptare, për të cilin Lubonja ka bërë debate me thuajse gjithë ne të tjerët, dhe që e mbron me arsyetimin se këtu modeli është i njëjtë, ndryshojnë vetëm njerëzit.
Për këtë shkak, Lubonja është thuajse pa asnjë tezë për ndryshimin. Është ndoshta opinionisti i vetëm që nuk ka më asnjë shpjegim se si duhet të ndryshojë Shqipëria.
Sa herë që turfullon kundër Berishës, aq sa mund të turfullosh tek Klani apo Panorama, ai nxiton të turfullojë kundër opozitës, e cila pret radhën për pushtet. Interesi i Tv Klanit për Lubonjën, është pikërisht tek ky qëndrim, tek fakti që atyre u duhet një zë kritik kundër qeverisë, por që nuk është dakord me opozitën dhe idenë e ndryshimit.
Shpërthimi i Sali Berishës kundër tij, lidhet pikërisht me padobinë e “modelit Lubonja” për modelin Berisha. Nëse Lubonja mendon se merr hak kundër Edi Ramës duke kritikuar dhe atë, dhe Berishën, Berisha është i shqetësuar pikërisht nga ky qëndrim. Duke e konsideruar TV Klanin dhe enturazhin e tij një qendër zëri të vetin, ai nuk pranon dot paqartësi tek mbështetesit e vet nga zëra që dalin prej oborrit të tij.
Për Berishën, Lubonja nuk është i rrezikshëm nëse bëhet me Edi Ramen dhe as shumë i vlefshëm nëse bëhet me të. Për Berishën, Lubonja dhe kushdo tjetër, thjesht duhet të marri pozicion. Armiku më i madh për Berishën këto 20 vite pluralizëm kanë qenë njerëzit në mes, njerëzit jashtë llogores, ose të paqartë në pozicionin e tyre.
Armiqësia e tij e madhe me gjithë ish-presidentët e këtij vendi, sidomos dy të fundit, ka qenë pikërisht se ata tentuan të jenë mbi palët. Armiqësia e tij me kryeprokuroren është se ajo tentoi të jetë mbi palët. Armiqësia e tij me gazetarët kritik përfundon gjithnjë me akuza ekstreme, si këshilltarë të Ramës apo të Partisë Socialiste, pasi nuk do që kritikët e tij të jenë njerëz të lirë dhe pa parti. Kjo i ka ndodhur dhe me Fatos Lubonjën. Po bezdiset gjatë me sa duket nga superpushteti që ka siguruar grupi mediatik Klan dhe influenca e tij në pushtet, dhe i është shtuar paranoja se po përdor pikërisht tipa të tillë të balancuar si Lubonja, për të bërë alibinë e qëndrimeve kritike dhe ndaj qeverisë.
Është kjo arsyeja që Berisha me qetësi dhe me fraza të menduara më parë foli për katër shtëpi të Lubonjës në Tiranë dhe për lidhjet e tij me krerët e Partisë Socialiste.
Lubonja nuk ka as katër shtëpi dhe as katër miq në PS. Ai është një publicist i frustruar nga ideja se punën e tij mund ta përdorë qeveria apo opozita dhe para se të mbarojë çdo artikull, u thotë të gjithëve se nuk bën as qeveria dhe as opozita.
Sali Berisha e kishte menduar mirë atë sulm. Përveçse nëpër tavolina apo biseda me miq, flet për “informacione të sigurta” që ka se Lubonja po hedh ura kontakti me opozitën, e sulmoi publikisht për t’ia zhvlerësuar pozicionin e tij, i cili është i papranueshëm për modelin politik të Berishës. Me siguri ka qeshur dhe është zbavitur shumë me drejtuesit e Klanit pas deklaratës dhe me siguri që pret që Lubonja ta sulmojë ashpër, që të vërtetojë atë që tha se ai tashmë i përket opozitës. Dhe, zbavitet me veten kur mendon se Lubonja do ta sqarojë përsëri që nuk është me opozitën!







