Kauza, koha e se cilës ka ardhur!

0
48

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 22.11.2009

Nuk ka gjë më të fuqishme se sa një kauzë, koha e së cilës ka ardhur! Kjo sentencë e shprehur kështu nga një penë e ngjyer shpesh në kallamarin e lëvizjeve popullore, siç është ajo e shkrimtarit francez, Viktor Hygo, sjell me forcën e vëzhgimit dhe arsyetimit një të vërtetë të gjithëkohëshme, që provohet pothuajse me saktësi sa herë që shoqëria gjendet përpara një synimi madhor apo një stadi lirie, drejt të cilit pengohet.

Për të ardhur te zhvillimet e këtyre muajve të fundit në Shqipëri dhe te kryeprotesta e pardjeshme e opozitës në Tiranë, do të thoshim se tema e zgjedhjeve po bëhet kauzë popullore dhe se koha e saj ka trokitur me fuqishëm se kurrë ndonjëherë më parë. Numri i madh i njerëzve në këtë protestë, sikurse edhe një ndjenjë shumë e përhapur vibruese në mbarë vendin, janë një provë e padiskutueshme. Protestat politike gjithmonë dhe gjithkund organizohen. Por, asnjë mjet dhe asnjë truk i jashtëm nuk mund të mbledhë kaq shumë njerëz në sheshe, po qe se nuk ekziston kushtrimi i një arsyeje të thellë që ngre në këmbë individë dhe masa.

A mos është e vonuar Shqipëria të shtrojë sot në formën e lartë të kauzës një çështje kaq primordiale për demokracinë, siç janë zgjedhjet e standardeve demokratike evropiane? Kjo është një pyetje së cilës, varësisht nga formimi dhe njohja, mund t’i përgjigjesh si të të vijë. Po ç’rëndësi ka kjo përkundrejt realitetit të protestave! Fakti është se Shqipëria, edhe pse ka vendosur prej dy dekadash dhomën e fshehtë, nuk e ka krijuar standardin e zgjedhjeve demokratike, nuk e ka kaluar testin themelor që mat kulturën demokratike të elitës dhe popullit. Më keq akoma, në vitin 1996 dhe në vitin 2001 qeveritë e Shqipërisë kanë dhënë shfaqjen e dhunimit të organizuar dhe ekstrem të zgjedhjeve, duke prodhuar në tokën e Evropës një të ashtuquajtur “standard shqiptar”, që ka pasur kuptimin e maskaradës apo farsës elektorale.

Zgjedhjet e tjera kanë qenë gjithnjë nën tundimin e fabrikimit të rezultateve nëpërmjet manovrave dhe marifeteve gjithnjë e me të rafinuara, por që në produktin e tyre kanë lënë pas gjurmën e kafshimit të vullnetit të zgjedhësve me gjithë pasojat përkatëse. Komuniteti ndërkombëtar është përpjekur për shumë vite ta “zbusë” me paketa rekomandimesh tërbimin e pushtetarëve shqiptarë në lidhje me votën. Disa përparime janë shënuar, por në tërësi edhe ndërkombëtarët kanë rënë në kurthin e vegut të Penelopës, domethënë arritjet në një palë zgjedhje janë shthurur në zgjedhjet e tjera e kështu pambarim.

Strategjia e përmirësimeve nga zgjedhjet në zgjedhje, si një rrugë jo fare e papërshtatshme për një vend të prapambetur dhe me tradita modeste demokratike, ka hyrë kështu në një rreth vicioz. Dalëngadalë, në kërkim të gurit filozofal në lidhje me rregullimin e zgjedhjeve, arsyeja ka kthyer sytë nga një prej shkaqeve themelore të prishjes së tyre, që si çdo shkak i madh nuk mund të ishte dhe nuk mund të jetë veçse i thjeshtë: kutitë e mbyllura.

“Kutitë e mbyllura” do të thotë të fshehësh krimin e kryer dhe të lejosh krimin e ardhshëm. “Kutitë e mbyllura” do të thotë t’i japësh krimit zgjedhor statusin e sekretit. Të sekretit që do të zhduket pa gjurmë. Manipulatorët profesionistë nuk mund të kenë garanci më të madhe në punën e tyre të zezë.

Me këtë vetëdije, Kuvendi i legjislaturës së kaluar hapi dy dyer apo dy hyrje në botën e mbyllur të kutive: nenet 136 dhe 138 të Kodit Zgjedhor. Këto nene lejojnë, e bardhë në të zezë, hapjen pa kushte të kutive, kur këtë e kërkojnë dy anëtarë të KQZ-së. Vepër e një besimi ardhmërie dhe një konsensusi shumë të gjerë parlamentar, këto nene të votuar me tre të pestat e përfaqësuesve të popullit, u shemben nga shtatë a tetë zyrtarë dhe gjyqtarë në verbërinë e diktuar nga interesi politik i përfituesve. Shqipëria e sotme politike, me gjithë këtë trazim që po përjeton, fillon te grisja e atyre neneve në sfidë të marrëveshjeve dhe ligjvënies.

Atëherë u artikulua në formë kërkese qëndrimi i opozitës socialiste për hetimin e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive, si një kusht për hyrjen e saj në Kuvend. Në pamje të parë dukej sikur kjo opozitë po shkonte të vriste veten në shkretëtirën e indiferencës së vjetër të shqiptarëve për çështje që lidhen me votën. Dukej sikur Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij po e vinin në një sprovë të parakohshme civilizimi, pra, po e fyenin opinionin shqiptar.

Por, zhvillimet tregojnë qartë se ajo që u shtrua si kërkesë tre katër muaj më parë ka evoluar “pa leje” dhe “pa shtytje” në lartësinë e një kauze që po bën për vete çdo ditë mijëra njerëz. Mitingu i 20 Nëntorit, madhësia e të cilit befasoi edhe pritshmërinë e organizatorëve, tregon sërish atë të vërtetë të njohur, që shënuam në krye të këtij shkrimi: kauzat popullore lindin nga një thirrje e brendshme e veçantë dhe shkojnë pa dilema drejt finalizimit. Ato janë lëvizje që “nuk përdoren, por i përdorin njerëzit”, siç do të thoshte politologu i famshëm, Edmond Burke.

Hapja e kutive është bërë kauzë popullore në radhë të parë sepse është e drejtë. Ajo është fokusuar dhe mbështetet, më në fund, te problemi i problemeve që janë zgjedhjet e lira. Vetëdija qytetare ka shkuar e shkon natyrshëm drejt konceptimit të drejtë se korrupsioni dhe manipulimi i zgjedhjeve janë anë të së njëjtës medalje, janë shkaku kryesor i prapambetjes, vonesave dhe bizantinizmit tonë politik, se nuk mjafton vota, por duhet edhe mbrojtja e saj për të dalë nga kjo spirale vdekjeprurëse.

Opozita ka shtruar problemin dhe kush mund ta shtronte tjetër! Por kauza e kutive të hapura shkon përtej saj, duke apeluar për solidaritet dhe zgjidhje të gjithë aktorët dhe faktorët e shoqërisë shqiptare. Edhe nëse do të niseshin nga konsiderata dyshuese se opozita ka thjesht hallin e vet, sërish do të thoshim të njëjtën gjë, sa kohë që po luftohet për një standard që do të pengojë edhe opozitën të vjedhë vota kur të vijë në pushtet.
Zbatimi neneve 136 dhe 138 nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor për hapjen e disa kutive në Berat, Tiranë dhe Shkodër mund t’i kishte kursyer vendit ngjarjet që po përjetojmë.

Leximi i verdiktit zyrtar të zgjedhjeve të 28 Qershorit si një barazim i pastër mes zgjedhësve që votuan qeverinë dhe zgjedhësve që votuan opozitën mund të kishte bërë të njëjtën gjë. Por ndoshta një arsye që qëndron përtej rrugëzgjidhjeve që na dalin me lehtësi para syve ka dashur që nga kutitë “e vogla” të ngrihet një kauzë e madhe, e cila, duke pasur në qendër temën e zgjedhjeve, ushqehet me gjithë problematikën e demokracisë shqiptare të kësaj kohe. Në histori gjejmë përvojën e sovranitetit që krijojnë këto kauza në zhvillimin e tyre. Është gabim i madh të konsiderohen sikur i përkasin vetëm palës që i ka ushtruar, sikurse është gjithashtu pa vlerë, për të mos thënë provokuese të injorohen me batuta dhe manovra strucësh.

Ato meritojnë respekt. Ato kërkojnë zgjidhje. Kryeministri Berisha ka përvojën e tij në këtë aspekt. Protesta e 20 nëntorit është një thirrje që ai të lëvizë nga pozicionet e ngurta të kësaj periudhe, kur është investuar vetëm me ftesa drejtuar deputetëve të PS-së për t’u kthyer në Kuvend.