Eduard Zaloshnja, 22.11.2009
Sipas raportit të OSBE/ODHIR-it rreth zgjedhjeve të 28 Qershorit, dhe sipas qeverisë shqiptare, numërimi i votave u krye keq ose shumë keq në 1/3 e qendrave të numërimit, por nuk ka prova që kjo gjë ndikoi në shpërndarjen përfundimtare të mandateve kuvendore. Ndërsa, sipas Partisë Socialiste, ky numërim i keq ose shumë i keq i votave, me shumë gjasa, ka ndikuar në rezultatin përfundimtar në të paktën tre qarqe – Berat, Tiranë, Shkodër.
Se cila palë në këtë debat ka të drejtë, kuptohet që mund të mësohet vetëm në qoftë se hapen kutitë e votimit të këtyre qarqeve. Për tuajin sinqerisht, i cili ka jetuar gjatë në një vend ku edhe një individ çfarëdo apo një gazetë lokale ka të drejtë të shohë ç’fshihet në kutitë e votimit, pavarësisht se ç’mund të ketë vendosur Gjykata e Lartë për to, është më se normale që kutitë të hapen. Por, sidoqoftë, nuk është synim i këtyre rreshtave që të argumentojnë në se duhet të hapen apo jo kutitë. Synimi i këtyre rreshtave është që të ofrojë një hamendje sa më të edukuar se ç’do të rezultonte nga një hapje e mundshme e kutive.
Hapja e kutive të qarkut të Beratit do të tregonte pothuaj me siguri që PS-së i takonte një mandat më shumë se ç’iu dha nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas rezultatit përfundimtar të këtij komisioni, PS-së i duheshin vetëm 532 vota për të siguruar edhe një mandat tjetër në qarkun e Beratit. Ndërkohë, vetëm në qendrën e numërimit të Urës Vajgurore dolën mbi 1350 vota të pavlefshme, ose gjysma e gjithë votave të pavlefshme të qarkut. Kjo gjë tregon se diçka nuk është bërë siç duhet gjatë numërimit në atë qendër. Gjithashtu, është zhdukur disketa e filmimit të numërimit në qendrën e Uznovës, qendra e parë në Shqipëri ku numërimi u kontestua nga PS-ja. Të dyja këto episode janë një tregues i fuqishëm se hapja e kutive të Beratit, me shumë gjasa, e përmbys shpërndarjen zyrtare të mandateve në atë qark.
Në qarkun e Tiranës situata është disi më e komplikuar. PS-së i duheshin 4355 vota për të siguruar edhe një mandat tjetër në këtë qark. Qendrat e numërimit ku PS-ja pati më shumë kontestime ishin ato të Kamzës dhe Paskuqanit. Në Kamëz ishin tetë kuti votimi që ishin mbushur në shtëpi private dhe jo në ambiente publike, siç e kërkonte Kodi Elektoral. Dhe ato kuti rezultuan me avantazhe gjigante në favor të PD-së, krahasimisht me kutitë që vinin nga qendra votimi në ambiente publike. Ndërsa, në Paskuqan, rezultuan kuti me më shumë vota se sa figuronin në listat e njerëzve që kishin votuar. Sidoqoftë, ndryshe nga Berati, nuk është shumë e sigurt që deformimet që mund të gjenden në kutitë e Kamzës dhe Paskuqanit të jenë të mjaftueshme për të përmbysur shpërndarjen zyrtare të mandateve të Tiranës.
Ndërsa në qarkun e Shkodrës, situata është akoma më e komplikuar. Në këtë qark, PS-së i duheshin 7200 vota për të siguruar edhe një mandat tjetër. Dhe nga një investigim që emisioni Faktor Plus i bëri disketës së numërimit së një qendre numërimi rezultoi se PD-së i ishin shtuar padrejtësisht vota, por në një magnitudë më të vogël e njëjta gjë kishte ndodhur edhe me votat e PS-së. Partitë që e kishin pësuar më shumë atje ishin partitë e vogla të djathta. Në këto kushte, është e vështirë të parashikohet nëse rinumërimi mund të përmbysë rezultatin zyrtar.
Në llogari të fundit, hapja e kutive, pavarësisht se mund të përmbysë rezultatin në një apo dy qarqe, nuk mund të ndryshojë raportet e shpërndarjes së mandateve kuvendore. Kjo shpërndarje është vulosur ligjërisht me një vendim përfundimtar të KQZ-së, votuar me rezultatin 7-0 pas ankimimeve të pasuksesshme në Kolegjin Zgjedhor. Por edhe sikur PD-ja t’i dorëzojë vullnetarisht një apo dy mandate, kjo nuk do ta cenonte mazhorancën aktuale, e cila ka aktualisht 74-75 mandate.
Duke pasur parasysh të gjitha këto, natyrshëm të lind pyetja se përse Berisha mbron me stoicizëm mos’hapjen e kutive. Problemi është se ai nuk e ka garën me kundërshtarët aktualë politikë. Ai e ka garën me historinë – me Skënderbeun, Ismail Qemalin, Ahmet Zogun. Për të ka rëndësi që të hyjë në histori si udhëheqësi që, pavarësisht nga disa gabime të pranuara në fillimet e karrierës politike, e futi vendin në Evropën e Bashkuar, duke gëzuar mbështetje legjitime të popullit. Pikërisht për këtë arsye, ai më mirë pranon zgjedhje të parakohshme (po qe se s’i mbetet rrugë tjetër) se sa të hapë kutitë. Hapja e tyre do të cenonte imazhin e udhëheqësit me përkrahje popullore, që ai dëshiron t’i skalitet në faqet e historisë…
O Edo,
Po sikur te te them une qe ne Libofshe te Fierit ka 8 kuti votimi ne te cilat PS ka 2150 vota dhe PD 385 vota? Po sikur te te them se ne dy prej atyre kutive rezultati eshte respektivisht PS 352 PD 11 dhe PS 286 dhe PD 8 vota?
Po sikur te te bej me dije se deputeti i Partise Çame ne Fier humbi per vetem 182 vota dhe te me teket te te them pastaj se PD iu bind gjykates per kutite e pahapura te Libofshes, çfare do te me thoje ti, “profesor”?
Comments are closed.