Precedenti Topalli si test për orientimin perëndimor

0
50


Nga Mero Baze

Reagimi i qeverisë shqiptare pas dhënies së opinionit negativ të Bashkimit Evropian për humbjen e statusit të vendit kandidat për në BE, po formon orë pas ore idenë se qeveria shqiptare, jo vetëm nuk ka pranuar përfundimet e raportit dhe rekomandimet, por po përpiqet të udhëzojë Evropën se si duhet ta lexojë realitetin në Shqipëri. Qëndrimi është i njëjtë me qëndrimin që Berisha mbante ndaj administratës amerikane në vitin 1996-‘97, kur ata po përpiqeshin t’i tregonin devijimet e demokracisë dhe pasojat që mund të kishte vendi. Në vend të reflektimit, pushteti i atëhershëm u hodh në ofensivë për t’i shpjeguar administratës amerikane se e kishte gabim perceptimin e saj për gjendjen në Shqipëri.

Sot duket se jemi në situatë të ngjashme. Qeveria shqiptare ose duhet të pranojë raportin dhe ta zbatojë duke ikur nga pushteti, ose t’i shpallë luftë atij. Qeveria zgjodhi versionin e dytë. Tani do të kemi kohë të shikojmë se si do të degradojë dita – ditës debati publik me shpjegimet e qeverisë për gabimet e Perëndimit në Shqipëri. Kjo situatë mund të rrisë rrezikun e perceptimit të shoqërisë shqiptare si shoqëri anti-perëndimore, që nuk pranon standardet dhe ekspertizën e Bashkimit Evropian. Për këtë arsye opozita në këtë rast nuk duhet të mjaftohet me mbështetjen publike për raportin, por duhet ta ketë pjesë të veprimit të saj politik raportin. Ajo duhet të hartojë një plan për të ndërmarrë nisma që përputhen me rekomandimet e Bashkimit Evropian, jo për t’i realizuar doemos ato, pasi ajo nuk ka votat e nevojshme, por për ta vënë qeverinë shqiptare me shpatulla për muri, që të mos ngrejë dorën në Kuvend kundër rekomandimeve të Perëndimit.

Për shembull, Bashkimi Evropian në raportin e tij ka konstatuar se kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka shkelur Kushtetutën në mënyrën se si ka drejtuar parlamentin e Shqipërisë. Ai e përshkruan veprimtarinë e saj si një keqpërdorje të pozicionit të kryetares së Kuvendit, dhe e fajëson atë për një sërë shkelje procedurash në kundërshtim me Kushtetutën dhe humbje të pavarësisë së institucionit. Atëherë opozita duhet të bëjë një mocion për shkarkimin e saj, mbështetur vetëm në konstatimin e Bashkimit Evropian se ajo ka shkelur Kushtetutën. Për një shkelje të tillë në Kosovë u shkarkua Presidenti dhe thuajse doli nga politika dhe ne nuk mund të mbajmë në krye të Kuvendit një njeri që ka shkelur Kushtetutën.

Duke bërë një mocion për shkarkimin e saj, sipas rekomandimeve të BE, opozita në mos pastë shans të rrëzojë zonjën Topalli, ka shans të ndajë pjesën perëndimore të shoqërisë nga pjesa anti-perëndimore, pasi “qeveria e integrimit” do ngrejë kartonët e kuq kundër BE-së në parlamentin e Shqipërisë. Kjo është fotografia më shpjeguese për thelbin e kësaj qeverie, e cila lehtëson barrën e turpit, që kjo qeveri kërkon t’i hedhë mbi supe shoqërisë shqiptare. Duke ndërtuar një mocion ndaj zonjës Topalli vetëm mbi rekomandimet e BE-së, ne kemi mundësi të shmangim së dëgjuari komentet idiote të Topallit nëpër ekrane se kush është me Evropën dhe të shikojmë se kush voton kundër rekomandimeve të saj.

Nisma të ngjashme duhen ndërmarrë dhe për kandidaturat e propozuara nga presidenti Topi dhe të hedhura poshtë nga Kuvendi për t’u ripërsëritur, apo për të dënuar gjobat selektive ndaj medies që ka aplikuar qeveria.

Por kryetesti i ndarjes reale mes opozitës dhe pushtetit në raport me perëndimin është qëndrimi ndaj zonjës Topalli. Ajo është sot një nga arsyet e forta përse Shqipëria nuk ka fituar statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, ndaj dhe opozita duhet ta fokusojë qartë betejën në Kuvend për të dëshmuar se ajo nuk ka vepruar me kokë të vet kundër Perëndimit, por e mbështetur nga Kryeministri dhe shumica e tij e verbër. Fatet do të dëshmohen në sallë. Nëse zonja Topalli mbrohet me kartonët e shumicës kundër rekomandimeve të Perëndimit, kemi në dorë një fotografi të pjesës anti-perëndimore të Shqipërisë. Nëse rrëzohet, atëherë kemi një fitore të forcave perëndimore në Shqipëri.