TemA TV/ Barroso: Në parim Shqipëria e merr statusin në dhjetor

0
58

TemA, 17 Shtator 2013

Kryeministri Edi Rama takoi në Bruksel edhe presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, me të cilin doli në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Barroso tha se Shqipëria në parim e merr statusin e vendit kandidat në dhjetor të këtij viti, ndërsa vlerësoi zgjedhjet si të lira dhe të ndershme.

Barroso tha se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian.

“Jam i lumtur që dëgjova Ramën që më bëri të ditur se prioriteti i Shqipërisë është integrimi dhe se qytetarët shqiptarë e mbështesin fort këtë,” tha Barroso, duke shtuar se inkurajon qeverinë e re për dialog me opozitën dhe qytetarët.

“Nuk ka kohë për të humbur, reformat duhet të shpejtohen, jo për t’i bërë nder KE-së, por shqiptarëve,” tha Barroso, duke theksuar sidomos nevojën për reforma në fushën ekonomike.

“BE mendon se kjo është një mundësi historike e artë, që duhet kapur. Ju duhet të mbështeteni tek partnerët për integrimin,” tha Barroso.

Kurse kryeministri Rama tha se votimi i 23 qershorit i ka ngarkuar me përgjegjësi të mëdha.

“Kjo ka qenë një votë për të ndryshuar vendin për mirë,” tha Barroso, duke shtuar se opozita do të përfshihet në procesin e integrimit.

Rama tha se Shqipëria dëshiron marrjen e statusit kandidat, për të hapur më vonë negociatat me BE-në.

I pyetur nga gazetarët, sërish Barroso tha se duhet luftë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, por edhe konsolidim i institucioneve demokratike.

Barroso u kërkoi të gjithë shqiptarëve që të mobilizohen për të punuar për vendin e tyre.

Kurse Rama tha se marrja e statusit kandidat është një objektiv që mund të arrihet.

“Jam i bindur se me mbështetjen e BE-së dhe të opozitës në Shqipëri, do jemi gati për lajme të mira”./ep