Analizë nga MASSIMILIANO PARENTE
Një herë shkrova se derisa sa vriten mes tyre të krishterë e myslimanë s’ka asgjë të keqe, besojnë në jetën e përtejme, çfarë problemi ka? U shemb bota. Një tjetër herë shkrova se nuk jam i krishterë, përkundrazi praktikisht jam antikrishter, dhe hapu qiell. Jo qielli i planetit tonë, i sistemit tonë diellor, i galaksisë sonë, i humbur mes qindra miliardë miliardësh planetë, në një univers dukshëm i tmerrshëm prej qindra miliardë galaksishë, por qielli i tyre i krishterë, përrallor, mesjetar, i populluar nga engjëllushë dhe ku shkohet kur vdes, atje lart.
E kuptoj pse nevrikosen kaq shumë: nëse të krishterët do të ndiqnin Biblën nuk do të mbeste as edhe një, sepse nuk njoh asnjë që të ofrojë faqen tjetër, që të dojë tjetrin siç do veten, që të dëshirojë të jetë i fundit dhe jo i pari, që ta konsiderojë paranë një të keqe aq sa të meritojë mallkimin e përjetshëm. Pra: si mund të mund mendoni, si të krishterë, për pensionin kur ka njerëz që nuk arrijnë deri nesër? Si mund të mjaftoheni me lekët që i jepni të pastrehut poshtë shtëpisë në vend që ta merrni krishtërisht në shtëpinë tuaj?
Mua, e shkruaj troç fare, nuk më bëhet vonë fare për Afrikën sepse nuk bëj asgjë për Afrikën, nuk mendoj as edhe një minutë në ditë për Afrikën: mendoj për romanin e ri që po shkruaj, të luaj në X-Box, të blej një tjetër palë syze fosforeshente, jam një egoist. Mobilizohem për betejat liberale sepse janë individualiste, kjo po, të djathta apo të majta qofshin, shpesh as të djathta as të majta në një vend që nuk ka as një të djathtë as një të majtë.
Ende, për 90% të italianëve, katolikë të deklaruar, Afrika duhet të jetë një prioritet, duhet të mendojnë gjithmonë për botët e treta të shpërndara nëpër botë dhe këtej pranë dhe të mos bëjnë as shumë dallime mes fëmijëve të tyre dhe një jevgushi morracak, përkundrazi. Më ekstrem se Marx është Jezu Krishti, me dallimin se i pari historikisht ka ekzistuar, i dyti është një personazh fantasy i mitologjisë fetare që rilind e shton peshqit dhe vdes duke u kryqëzuar. Madje edhe Papa më bën të qesh, beson në këtë personazh imagjinar që qeveris botën dhe dy mijë vjet më parë ka dërguar të birin që u kryqëzua duke u sakrifikuar për njerëzimin, por lëviz me papamobile, i blinduar, nga frika e një plumbi. Sidoqoftë secili beson në atë që do të besojë.
Por prioriteti i të krishterëve, përveç Veltronit në libra dhe fjalë, nuk është shpëtimi i Afrikës por të ndalojnë një çift homoseksual që të dashurohet, kur vetë katolikët kërkuan për veten martesën civile dhe divorcin, të papranuara nga vetë Kisha e tyre. Ose u impenjuan për të ndaluar kërkimin shkencor mbi qelizat embrionale sepse edhe një embrion është një person, një zotëri embrion, ndonëse e abortojnë më pas, kur embrioni është një fetus (dhe unë shpresoj që kur nga [qelizat] staminale do të mbërrijë kurimi për një sëmundje të tmerrshme për ne të vdekshmit, do të arrijmë t’ua ndalojë [përdorimin] katolikëve italianë). Ose, tjetër prioritet i bukur kristian, të ndalojnë eutanazinë, lirinë për të vdekur siç dëshiron. Sepse jeta nuk është e jotja, është e Zotit, të përgjigjen: në thelb, Zoti i tyre i thërret, dhe ata zhvillojnë rezistencë duke u ngjitur pas tubave të frymëmarrjes artificiale. Një kontradiktë e çuditshme, por kështu kanë vendosur.
Unë sikur të isha i krishterë si ju që e quani veten të krishterë, dhe më shkruani për jo krishtërimin tim, nuk do të më mjaftonte të qëndroja në shtëpinë time, ngrohtë, me familjen time të lumtur, ndoshta duke parë “Quello che non ho” (Ajo që nuk kam) për t’u ndjerë më i mirë. Maksimumi do të mendoja për atë që nuk kam bërë kurrë për të qenë vërtetë i krishterë, dhe më shumë se sa të shqetësohesha për emigracionin e pakontrolluar do të isha i lumtur, sepse për t’u dhënë për të pirë të eturve dhe për të ngrënë të uriturve nuk do të isha i detyruar të bëja rrugë të gjatë, do të mjaftonte të hapja biblikisht derën dhe t’i mirëprisja.
Gjithsesi, kur unë deklarohem antikrishter pasi më pëlqen kapitalizmi dhe do të doja të fitoja më shumë për të blerë gjëra të bukura dhe sepse për tjetrin (përveç njerëzve që dua) nuk më bëhet vonë fare, shumë lexues të krishterë nevrikosen dhe pak krishtërisht më ofendojnë. Por më pas protestojnë për të paguar më pak taksa, dhe janë të fiksuar me paratë, dhe duan të jenë të parët, ndërsa duhet t’i japin Çezarit atë që është e Çezarit dhe të drejtojnë faqen tjetër dhe kusurin t’ja japin atij që ka më pak dhe të dëshirojnë të jenë të fundit për të qenë të parët, përndryshe janë probleme të përtejme. Të mendosh se po të ekzistonin gjithë këta të krishterë edhe kriza ekonomike do të ishte e bekuar: të gjithë të varfër? Më mirë, të gjithë drejtë e në Parajsë, duke kaluar nga vrima e gjilpërës.
Përkthyer nga glialtrionline.it ku u botua më 10 gusht 2012