Nga Kimete Berisha, 13 Shtator 2013
Qysh qëlloi ‘e premte i 13-ti’ sot kur Edi Rama e viziton Prishtinën!
Qysh nuk qëllova në Prishtinë që t’ia jap Edi Ramës ‘sy më sy’ një ide të thjeshtë se si t’ia marrë Sali Berishës (pas pushtetit politik), edhe ‘pushtetin e dashurisë’ që e ka në Kosovë.
Kush është ai tradhtar që ia organizoi Kryeministrit të Ri vizitën zyrtare në këtë datë!
Pse s’po bazohen në Amerikën? I frikësuar nga ‘e premtja, 13′, Presidenti Franklin D.Roosevelt asnjëherë nuk ka pranuar të udhëtojë në këtë datë dhe asnjëherë nuk i ka ftuar 13 veta në darkë.
Vetëm Fidel Kastro u lind ‘të premten, më 13′ prandaj ende është gjallë!
Nuk dihet prejardhja e bestytnisë së datës ‘e premte, 13′ por besohet se ka dalë nga ‘Darka e fshehtë’ e Biblës, i 13-ti që tradhtoi Krishtin. E meqenëse njerëzit e besojnë Biblën, besojnë se Juda i 13-ti, ishte tradhtari që e çoi në vdekje të mundimshme Krishtin.
Shpirti nuk përparon. Për shkak të frikës. E meqenëse Perëndimi e ruan mitin e kësaj frike dhe e bën film e roman, çka ka Edi Rama që paraqitet më trim se Napoleoni, i cili kishte frikë abnormale nga ‘e premtja e 13-të’ dhe nga macet e zeza, prandaj frika ia siguroi të gjitha fitoret atij frikacaku.
Shumë spitale në vendet e Perëndimit nuk kanë dhomë me nr.13 , ndërsa ndërtesat e larta e mënjanojnë këtë kat, nga 12-ti automatikisht kalon në katin e 14-të.
Këshilltarët e Ramës së paku le të kujdesen që në ‘darkën publike’, Rexhep Qosja të mos jetë mysafiri i 13-të!
Se kur njëherë e ftuan shkrimtarin Mark Twain në një darkë ku ishin 12 veta, shoku i ngushtë i tij e luti që të mos shkonte. Kur u kthye nga darka, Twain i tha shokut të tij se ‘ishte fatkeqësi’ e madhe pse ishte mysafiri i 13-të në atë darkë, sepse ata kishin pasur ushqim vetëm për 12 veta.
E restorantet e Prizrenit nuk janë si ato të Parisit, që e kanë të punësuar nga një profesionist, ekskluzivisht për ta angazhuar që të ulet në tavolinat (e të pafat’ve) me nga 13-të mysafirë, për t’ia marrë anën ‘fatit të keq’ që sjell ky numër.
Tani, nga larg, po i tregoj Edi Ramës se si ta marrë ‘pushtetin e dashurisë’ të Sali Berishës në Kosovë.
Shko në Mitrovicë. Lype në njërën xhami thesin me eshtrat e Isa Boletinit, që s’del bir nëne që e varros heroin qe 100 vjet. Nëse të thonë se thesin e çuan për t’ia bërë ADN-në në Shkup (për të vërtetuar se a janë ata eshtra të Isa Boletinit), pyet pse kanë kaluar kaq vite dhe Kosova nuk e merr një përgjigje për eshtrat e ‘palexuar’ të heroit.
Pastaj, për hatër të Ismail Qemailit (që e harroi shokun e tij), të Luigj Gurakuqit, për hir të Ibrahim Rugovës (që i nxori tinëz nëpër natë eshtrat e heroit nga luna-parku i fëmijëve që malazezët në Podgoricë kishin ndërtuar mbi eshtrat e tij), merri ata eshtra dhe varrosi.
Hashim Thaçin e konsiderojnë agjent francez, ndaj mund të të ndihmoj në këtë aspekt duke zbuluar fakte nga shërbimi sekret i Francës, meqenëse francezët e dorëzuan Isa Boletinin në duar të malazezëve.
Kështu fillon Rilindja kombëtare, duke nxjerr eshtrat e heroit nga thesi, e jo duke këqyrë filma dokumentar nëpër kafenetë e Prizrenit.
Edi Rama e ka një shans të futet në histori. Ta nxjerrë heroin prej thesi
Z.Mero, kam nje sugjerim dhe besoj se eshte edhe ne nderin e gazetes Tema. Perderisa boton artikuj te Z. Kimete , eshte e qarte qe e vleresoni por ashtu si Ju , Z. Mero, z.Kimete ka shume miq,por jo pak armiq. Edhe kjo vajze shqiptare ka armiq se nuk e sheh boten me syte e presidenteve, te kryeministrave dhe as me syte e te dashurit te saj apo ndonje idhulli para te cilit a te ciles mund te pergjerohet. Ka edhe dicka tjeter qe i mungon deri diku gazetarise shqiptare: E sheh boten me syte e nje femre; me ato sy qe na mugojne mua dhe Ju. Tek shoh sharjet e shpifjet qe i behen ne komentet, sec mu kujtua Shote Galica: Erdhi ne Shqiperi per streh e ngrohtesi- gjeti vetmine; erdhi per te kuruar plaget e luftes-i shtuan nje plage me te madhe : gojliget e qujten te perdalur dhe mbarsen opinjonin me te gjithe ndyresite qe pjellte mendja perverse e tyre. Ndaj, mos lejo qe ta plagosin Kimeten.
Comments are closed.