Arjan Th. Kallço
Ky vit do të mbahet mend si viti i përvjetorëve të mëdhenj në letërsi dhe jo vetëm shqiptarë. Ndërsa patëm rast që të njihnim më nga afër jetën e Migjenit në këtë përvjetor, kujtoj intervistën tepër interesante me prof. Benvenuton apo veprimtari të tjera, në Greqi një tjetër përvjetor i madh i letrave, tregimtarisë që sot përkujtohet kudo në të gjithë botën, ai i veristit grek Papadiamantis.
Bashkëkohës i një veristi tjetër, por këtë radhë Italian, Vergës që edhe ky është konsideruar eksponenti më i madh i Verizmit, rrymë që u frymëzua prej Natyralizmit në Francë, sipas së cilës letërsia duhet të fotografojë objektivisht realitetin shoqëror dhe njerëzor, duke pasqyruar me rigorozitet klasat, edhe më të të varfërat, në çdo aspekt edhe të pakëndshëm. Shkrimtarët duhet të ishin shkencëtarë dhe të analizonin aspektet konkrete të jetës, pra jetën siç ishte, në të gjitha pamjet e skajshme të saj në zonat që ishin larg vëmendjes së qytetërimit dhe të harruara në “shenjtërinë e vet”.
Dy autorë veristë që u dhanë letërsive respektive dhe botërore imazhet e paharruara të një realiteti dhe jete me të gjitha dramat e veta, të një realiteti të njerëzve që jetojnë të lidhur fort me detin : Skiathosi dhe Siçilia si dy ishuj që tashmë i kishin gjetur fotografët e vet “ të paanshëm”. Njerëzit e detit është një nga hitet më të bukura të muzikës italiane ku flitet pikërisht për këta njerëz që edhe sikur të lrgohen përkohësisht nga deti, kthehen përsëri tek ai, pasi nuk mund të shkëputet një lidhje që është tepër e thellë që vetëm shpirti e ruan të paprekshme përgjithmonë.
Të them të drejtën nuk e njihja Papadiamantisin, nuk kisha lexuar asgjë për të, as edhe ndonjë vepër të tij më parë dhe më vjen keq që shkrimtarët e famshëm grek në nivele botërore të mbeten ende të panjohur për publikun e gjerë artdashës. Fati e deshi që të merrja një mesazh nga një mike greke që më bënte të ditur se në ishulllindjen e tij, përkujtohej me një konferencë ndërkombëtare, 100 vjetori i vdekjes së tij. Kur klikon në internet se autori i kapërcen kufijtë e atdheut të tij, mbetesh disi i befasuar nga dy gjëra: e para sesi mund t’i shpëtojë vëmendjes së shtëpive botuese ky fakt dhe e dyta sesi shumë studiues apo përkthyes shqiptarë që e njohin greqishten të mos na i kenë sjellë më parë.
Në vend që të mendojmë të sjellim në shqip këto pena të panjohura, fillojmë e debatojmë, a mundet që mendja e vogël të shkojë deri në këtë pikë, për rishikimin e përkthimeve të klasikëve dhe ripërkthimin e tyre. Nuk besoj se donjë prej ne përkthyesve do të kishte dëshirën që të risillte të gjithë autorët klasikë në versione të reja; do t’i duheshin të paktën nja 100 jetë që ta realizonte këtë imagjinate të shfrenuar në këtë kohë. Unë mendoj se ato përkthime e kryen misionin e vet dhe shkëlqyeshëm, dikush që nuk është i kënaqur edhe mund ta provojë të na i ripropozojë, sot është i lirë të përkhtejë kushdo, dhe më pas të shohim sesa vlera do të kenë përkthimet në një vështrim kritik të përkthimeve krahasuese.
Le t’i kthehemi autorit grek në këto rreshta të cilat u bënë të mundura edhe në sajë të ndihmës së një studenteje në Janinë, Marinelës, që pavarësisht kohës së kufizuar, përgatiti disa materiale për jetën dhe veprat e tij.
Lindi në Skiathos më 4 mars 1851 dhe vdiq po në qytetin e lindjes më 3 janar 1911. U rrit në një familje të varfër, i ati ishte prift, mes 9 fëmijëve dhe që i vogël u familjarizua me ritet kishtare, atmosferën kishtare dhe jetën e qetë në ishull. Gërmat e para i mësoi në Skiathos, studioi me shumë shkëputje për shkak të vështirësive ekonomike në disa gjimnaze dhe vitin e fundit në Athinë. Filloi që kur ishte nxënës që të punonte për të fituar bukën e gojës, duke çuar dërgesa dhe më vonë mësoi si mësues privat. Për 8 muaj qëndroi si prift rishtar, por nuk e konsideronte veten të denjë për të sjellë formën engjëllore.
U kthye në Athinë dhe u regjistrua në Universitet në degën e Filozofisë, të cilën me gjithë përpjekjet e bëra nuk arriti që ta përfundonte, sepse ishin shumë faktorë që e penguan si skamja apo shëndeti i paqëndrueshmë. Pas një periudhe të shkurtër qëndrimi në Skiathos u kthye në Athinë, ku u regjistrua sërisht në universitet dhe filloi të publikonte përkthime të ndryshme nga frëngjishtja dhe anglishtja. Të ardhurat e tij ishin të pakta, kështu që detyrohej të jetonte në dhoma të varfëra dhe duke bërë një jetë të thjeshtë. Bashkëpunimi me revistën Akropoli i siguronte një të ardhur mujore 200-250 dhrahmi në muaj, por fitonte mjaftueshëm nga bashkëpunime me revista dhe gazeta të tjera, ndërsa gjendja e tij ekonomike mbeti gjithmonë më e dobët.
Rroga e marrë shkonte për pagesën e qirasë, borxhet e mara, dërgonte lek tek prindërit në Skiathos, i ndante me të varfërit, i prishte pa u menduar për ditën e nesërme. “Gjatë ditës së parë të muajit qëllonte të isha i pasur”, kishte shkruar diku autori. Kur filloi bashkëpunimin me gazetën Asti, i ofruan 100 dhrahmi dhe përgjigja nuk vonoi, duke deklaruar se ato ishin shumë. Puna e madhe, alkoli, pagjumësia, cigarja, lodhja i shkatërruan shëndetin që ia morrën jetën shumë shpejt. Në mars të vitit 1908 u kthye në Skiathos me qëllim që të mos kthehej më në qytetin e çifqinjve dhe të plutokratëve, siç e quante ai. Në ishull vazhdoi që të bënte përkthime që ia dërgonin miqtë që të kishte motive për të jetuar, por më vonë iu enjtën duart dhe ishte tepër e vështirë që të shkruante. Gjatë vitit të fundit të jetës së tij mblidhte të dhëna historike të ishullit dhe i përmblidhte në tregime tashmë më të pjekura, më të plota.
Veprat
Sipas Kavafit, Papadiamantisi ishte maja e majave, ishte shkrimtar i rëndësishëm i lerësisë greke, i njohur ndryshe dhe si shenjt i shkronjave greke. Ai është shkrimtari më i madh i shekullit të 19-të në Greqi. Shkroi kryesisht tregime dhe romane, ka shkruar rreth 100 tregime të cilat u botuan në gazeta e revista të ndryshme, të cilat e përshkuan thellësisht letërsinë greke, siç e dëshmojnë eloxhet e shumta nga shkrimtarët Kavafis, Elitis dhe Kundera. Ai konsiderohet si themeluesi i letrave moderne greke dhe veprat e tij zënë një vend të shkëlqyer në letërsinë greke, por njëkohësisht ishte edhe njohës shumë i mirë i gjuhës frënge dhe angleze, lexues i madh i klasikëve dhe admirues i Shekspirit.
Tema merrej kryesisht prej ishullit të tij, në pjesën më të madhe citohen përroskat, kanonet, bregoret me gjelbërim të ndryshëm. Jeta bregdetare me porte shumë të vegjël të panumërueshëm, shpellat, ishujt e vegjël, gjiret, ranishtet, detin etj. Mjedisi i jashtëm përshkruhet me një adhurim të vërtetë kundrejt natyrës. Ekziston një përshkrim psikologjik i brendshëm dhe një parandjenjë e saktë për ç’ka u ndodh heronjve të tij, duke bërë një analizë të thellë psikologjike, gjë që bën shumë përshtypje në kohën e tij, e krahasuar shumë kjo me Dostojevskin.
Duke qënë në fillim shkrimtar skeçesh me kalimin e kohës përhapi përshkrimin e zakoneve të popullit, duke e merituar emrin si njeriu i parë që përuroi tregimtarinë në Greqi. Gjuha e pastër që përdor, bëhet rrallë herë e pakutpueshme, sepse merret nga vetë jeta e përditshme, por që dalngadalë e thjeshton atë, duke futur gjithmonë e më shumë elementë popullorë. Tregimtaria e tij vlerësohet për stilin cilësor, fantazinë pjellore dhe përkushtimin fetar. Disa miq të tij si Gavrilidhi, Koronila, Zervoja dhe të tjerë folën pa rezerva dhe e përkrahën punën e tij. Të tjerë mendojnë se puna e tij i takonte vetëm kohës dhe nuk e pëlqenin gjuhën e përdorur.
Garilidhi shkruan : “Nuk është vetëm tregimtar dhe punëtor shpirtëror dhe i denjë, por edhe luftëtar i progresit, i drejtësisë. Kritikë të tjerë mendojnë se nuk ishte një shkrimtar i thjeshtë, por poet. Pas vdekjes së tij e ngritën në piedestal, duke e krahasuar me Salomonin. Athanatosi shkroi se pas Solomonit vetëm Papadiamantisi ishte serioz në lidhje me gërmat e reja greke. Edhe Politi e krahason me Solomonin, duke thënë se të dy na kanë dhënë punë me një konceptim të plotë të jetës së asaj kohe.