Ilir Meta lakuriq!

0
46

nga Dionis Xhafa

Ekziston një përrallë mjaft e bukur, ku luhet me faktin se politikanët e bëjnë “budalla” elektoratin e vet dhe se mes politikanit dhe elektoratit ekziston një symbyllje, derisa të dy palët përfitojnë nga pushteti.
Kjo është përralla me mbretin lakuriq, i cili e mbante veten për të zgjuar. Rrobaqepësit që do ti qepnin atij “kostumin më të bukur në botë” krijuan rengun se vetëm budallai nuk e shihte kostumin e mbretit.
Mbreti duke u shtirur se po e shihte kostumin, por se në fakt ishte lakuriq, vetëm që të mos thirrej budalla, e miratoi kërkesën e rrobaqepësve që të dalë me “kostumin më të bukur në botë” në paradë përpara popullit të tij.
Sipas rrobaqepësve, ai që nuk e shihte këtë kostum ishte budalla. Në fakt, ai kostum nuk shihej nga askush dhe të gjithë për të mos dalë budallenj, bënin sikur nuk e shihnin mbretin e tyre teksa ecte lakuriq. Derisa u shfaq një djalosh i vogël, i cili në naivitetin e vet tha se mbreti ishte lakuriq.
Kështu duket se ngjan edhe me Ilir Metën. Ai bën sikur është i thjeshtë, ka mashtruar edhe njerëzit që e votojnë, për shkak se ata duan pushtet dhe kjo vijon si lojë dhe si normalitet.
Ilir Metës nuk kishte guxim asnjë gazetar shqiptar që ti thoshte se ka një pasuri marramendëse, shumë më të majme dhe që bie në kontrast me jetesën e shumicës së popullsisë.
Derisa një gazetare e Zërit të Amerikës bëri ndryshimin. Ajo “ia nxiu faqen” Metës, duke i thënë atij të vërtetën në sy. Meta prandaj u shpërqëndrua.
Gazetarja ngjan si fëmija në rastin e mbretit lakuriq, që e tha të vërtetën ashtu sic e kishte dëgjuar.
E vërteta mbi pasurinë e Ilir Metës dihet nga i gjithë populli dhe flitet vërdallë, por sa duket Meta hiqet sikur nuk e di.
Dyshimet janë se Meta i ka bërë këta para me politikë dhe se Monika Kryemadhi thoshte edhe me krenari se “në shtëpinë e pushimit të saj cdo mace ka një dhomë të vecantë”.
Tmerr e kaluar tmerrit pangopshmëria dhe intuita për ta grabitur dhe për ta ngrënë këtë popull deri në palcë. Cudi si rron ky popull me këta politikanë, aq fort sa e kanë rrjepur.
Gazetarja e Zërit të Amerikës mbrëmë i corri një maskë Ilir Metës, por se duket se Meta perandorinë e vet e ka ngritur në sistem dhe vështirë se bie ky sistem.
Meta e kishte dëshmuar pasurinë e tij në ditëlindjen e vet, ku si pa të keq, me “qetësi dhe dashuri” kishte shfaqur përpara shqiptarëve pasurinë dhe miqësinë me politikanë të djathtë e të majtë, të dyshuar si te korruptuar nga të dyja anët.
Ilir Meta mbetet shtylla e një sistemi, që e ka mbajtur peng këtë popull për vite me rradhë, në një varfëri, që ngjan me kohët migjeniane të viteve 30-ta.