Sindroma Tartari – Selmanllari në PD

0
75

Nga Mero Baze

Komiteti i Përbashkët i Integrimit, i cili u mblodh për dy ditë në Tiranë, verifikoi përfundimisht mungesën e vullnetit politik të qeverisë shqiptare për t’i dhënë fund krizës së tejzgjatur të transparencës së zgjedhjeve në Shqipëri, duke mos iu votuar amendimi i një pike të Kodit Elektoral ku ndërlidhet hapja e materialeve zgjedhore me djegien e kutive të votimit. Europarlamentarja Doris Pack, e cila ka shpenzuar vite të tëra me krizat politike në Shqipëri, me sa duket e mori me lehtë se sa duhej mungesën e sinqeritetit të Sali Berishës lidhur me këtë krizë, i cili ka deklaruar disa herë në Bruksel dhe në Tiranë se është i gatshëm të votojë çdo propozim në Kod Elektoral që vjen nga opozita. Duke e marrë seriozisht si të sinqerta deklaratat e Berishës, europarlamentarja, e cila është një mike dhe mbështetëse zyrtare e treshes Berisha- Meta- Pollo, mendoi për një moment t’ia bënte të lehtë punën miqve të saj duke propozuar që palët të ndryshojnë nenin 178, pika 6, që parashikon djegien e fletëve të votimit, në rast se shqyrtohen kutitë e materialeve të votimit.

Por befasia për europarlamentaren ndodhi pikërisht aty. Përfaqësuesit e shumicës në Komitet votuan kundër këtij propozimi, duke e bllokuar miratimin e tij.

Një javë më parë kryeministri Berisha në tryezën e përbashkët me Edi Ramën e kishte përsëritur premtimin e tij se ishte i gatshëm të shtynte djegien e kutive të votimit në funksion të transparencës. Ai po ashtu ka bërë disa deklarata të njëpasnjëshme këto dy javë mbi gatishmërinë e tij për të votuar çdo ndryshim të propozuar nga opozita. Të parin ndryshim që u propozua dhe që shërben për të tejkaluar ngërçin teknik që krijohet nga ligji për transparencën e kutive, Berisha e hodhi poshtë. Kjo tregon qartazi, jo vetëm mungesë të vullnetit politik për transparencën e zgjedhjeve, por dhe një qëndrim shumë të vetëdijshëm kundër çdo moderimi të legjislacionit që do të bëjë të mundur që çdo proces i ardhshëm zgjedhor të jetë transparent.

Komiteti mblidhet dy herë në vit, një herë në Bruksel dhe një herë në Tiranë dhe ky është rast i paprecedent që ka dështuar të dyja herët për të hartuar një deklaratë të përbashkët mbi hapat që duhet të ndjekë Shqipëria drejt BE-së. Herën e kaluar, në pranverë të këtij viti, ky Komitet dështoi të hartojë një rezolutë në Bruksel, sërish duke u votuar kundër nga shumica. Në historinë e vendeve që kanë aplikuar për BE ky është një rast i paprecedent, që rezoluta e Komitetit të dështojë për faj të palës aplikuese. Një rast jo i ngjashëm, por me rezultat të njëjtë ka ndodhur me Turqinë, por rezolutën e kanë bllokuar eurodeputetë grekë për shkak të problemit të Qipros, dhe jo palët turke në Komitet. Shqipëria është i vetmi vend aplikant për kandidat për BE, i cili ka dështuar dy herë radhazi rezolutën e këtij Komiteti për shkak të shumicës në pushtet, një sinjal ky i frikshëm për vullnetin real të qeverisë shqiptare për t’u integruar në Evropë. Përgjigja negative që populli shqiptar do të marrë më 9 nëntor, duke ju refuzuar aplikimi për vend kandidat për në Bashkimin Evropian, i ka argumentet pikërisht tek kjo mungesë e qartë e vullnetit politik të shumicës për t’iu nënshtruar standardeve të Perëndimit, për të cilën aplikon me fjalë dhe e saboton me vepra.

Dhe për ta mbyllur, si të mos mjaftonte vullneti politik kundër frymës së BE-së në këtë Komision, europarlamentarët kanë qenë dëshmitarë dhe të mungesës së personalitetit të deputetëve të shumicës në këtë Komitet. Ata kanë parë me sy të tyre se si deputetët e PD-së nuk përgjigjeshin dot direkt asnjëherë në asnjë pyetje pa bërë më parë një telefon dhe mbi të gjitha kanë demonstruar personalitet të dyfishtë duke folur ndryshe me ta në biseda të lira dhe ndryshe në deklarata zyrtare. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, dilnin pastaj nga mbledhja e Komitetit me europarlamentarët dhe imitonin çiftin Selmanllari-Tartari kur dilnin nga prokuroria, dhe thonin të tjera gjëra para prokurorit, dhe të tjera gjëra për publikun. Njësoj siç sillet dhe vetë Berisha në zyrat e Brukselit dhe jashtë tyre.