Nga Enton Palushi
“European Voice”, një botim i “The Economist”, që mbulon çështjet e Bashkimit Europian, në një shkrim të botuar dje, ka përsëritur se Shqipëria nuk do marrë opinion pozitiv nga Komisioni Europian. Sipas saj, Shqipëria as nuk duhej ta kishte dorëzuar fare aplikimin për në BE, për shkak se është shumë larg standardeve që kërkohen. Në shkrim thuhet se nuk është kriza aktuale politike që po pengon integrimin, por kultura e pjekuria politike në vend. Si për ironi, kjo media jep edhe një prononcim të një zyrtari shqiptar, që fajin për bllokimin e integrimit ia lë tërësisht opozitës, duke thënë më tej që do ishte një sinjal pozitiv nëse vendi do merrte statusin e kandidatit.
Pikërisht kjo puna e lëshimeve që duhet të na bëjë Brukseli shpjegon më së miri edhe konceptin që ka qeveria për integrimin, koncept që po përpiqet që ta injektojë edhe në opinionin publik. Integrimi shihet më shumë si një përfitim sesa si një arritje përmes reformash, shihet si një lëshim, e jo si rezultat i punës së bërë.
Nuk ka asnjë shpjegim tjetër se përse kjo qeveri është kaq entuziaste për vendimin për vizat dhe nuk flet asnjë fjalë për çështjen e aplikimit. Edhe pse të dyja janë vendime të pritshme, qeveria e bën fakt të kryer të parin, dhe hesht për të dytin. Në të vërtetë kjo i ngjan fabulës së atij fëmijës jetim, që mëson se nuk do jetë pjesë e një familje të pasur e me vlera, por gëzon pa fund se do ketë mundësi që të bëjë një xhiro me makinë në lagjen e pasur.
Tani pyetja e parë që të vjen ndërmend është se çfarë do bëjë kjo qeveri kur të mësojë se ka dështuar me objektivin e saj kryesor, integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Pyetja tjetër është se çfarë do ndodhë me këtë koalicion, që “u ngjiz” publikisht kur kryeministri Sali Berisha “zbuloi” se edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka si objektiv të sajin, integrimin e vendit.
Pas disa ditësh festimesh e udhëtimesh në lagjen e pasur, vendi do të mbetet në mëshirën e mekanizmave që po shpik Bashkimi Europian për t’i kujtuar Ballkanit Perëndimor se dikur mund të arrijë në këtë familje. Të bindur se rruga e Ballkanit drejt BE do jetë tepër e gjatë, ata duhet të gjejnë stimuj të tillë. Që tani ekspertët kanë rënë në hall se duan të gjejnë një zgjidhje për periudhën pas vizave, kur edhe ato pak shqiptarë të shijojnë Perëndimin e të kthehen në vend të ngarkuar me pesimizëm. Kushtëzimi me anë të vizave pati një lloj suksesi. Por për qeveritarët është e turpshme që të flasin për sukses kur u detyruan nga BE të bëjnë disa gjëra krejt normale, që çdo shtet në botë duhet t’i bëjë si p.sh: kontrolli i kufijve apo lëshimi i dokumenteve të sigurta.
Të gjithë ne do jemi me sytë nga Brukseli për të pritur se cila do jetë shpikja e re e politikës së “shkopit dhe karrotës”, që nënkupton shpërblimin, por edhe ndëshkimin. Kjo idiomë, e përdorur së pari nga “The Economist”, shpesh quhet e gabuar për shkak të fabulës prej nga ka ardhur. Ndoshta kjo fabulë është e përshtatshme për vendin tonë. Ajo flet për një gomar, të cilit i vihet përpara me anë të një shkopi të gjatë një karrotë. Ndërsa gomari synon të kapë karrotën, ai tërheq karrocën. Sa për karrotën, atë nuk e arrin ndonjëherë.