“Kot harxhon lekë me atë…” (?!!)

0
33

Shekulli, 22.08.2012

Luela Myftari/ Entela Resuli/ Emanuela Sako

Sajmir Fiolla është ish-i fejuari për 6 muaj i 18-vjeçares Visha nga Vilza e Zall-Bastarit, fshati i fundit mes maleve që ndan Tiranën nga Burreli. Sajmiri nuk jeton në Shqipëri dhe në një rrëfim për ngjarjen nga emigracioni ai është shprehur se gjatë muajve të fejesës me vajzën, ka marë SMS dhe kërcënime nga viktima Fiqiriu.

Kur pyetet për çfarë bëhet fjalë ai jep një dëshmi që nuk është thjesht dëshmi, por hedh dritë mbi një mentalitet të tërë: “…Fiqiriu nisi të më merrte vetë në telefon dhe më kërcënonte që ta lija (Nazimen). Ai njeri ishte i çmendur. Ndërroja numrat dhe mi gjente. Derisa hoqa dorë fare nga celulari. U bezdisa shumë dhe ndava njëherë e mirë muhabetin me Nazimen, kur më erdhi një SMS nga Fiqiriu. Më shkruante: “Nazimja ka më shumë se 3 vjet që është gruaja ime.

Kot harxhon lekë me atë, hiq dorë njëherë e mirë…”. “Kot harxhon lekë me atë…” është një shprehje shokuese që dëshmon një mentalitet primitiv, një raport të sëmurë që nuk është veçori vetëm e këtij rasti. Kjo fjali meriton pak më shumë analizë se diarreja e fjalëve dhe dëshmive që janë botuar e stërbotuar për këtë rast. “…Në këtë kulturë tranzicioni njerëzit janë bërë më materialistë, duke humbur vlerat kulturore dhe romantike. Në këtë kuptim shoqëria po stimulon një treg të marrëdhënieve shoqërore, ku prioritet kanë ofertat materiale për meshkujt dhe seksuale për femrat.

Ndërkohë kërkesat e tregut gjithnjë e më shumë pakësohen në lidhje me kompensimet shpirtërore, romantike, idilike…” – thotë në një bisedë me “Shekullin” mbi ngjarjen në fjalë, sociologu i njohur Edmond Dragoti. Edhe kolegia e tij, Entela Binjaku, është e të njëjtit mendim: “Aktualiteti ynë, me ngjarjet e kohëve të fundit, po tregon se raporti ekonomik po merr kaq shumë rëndësi sa po zbeh çdo ndjesi tjetër, që duhet të lidhë anëtarët e një shoqërie apo një familjeje”.

Një revoltë ndaj shoqërisë, ndaj kulturës së traditës, mjedisit ku është rritur dhe ku dhuna nuk mungon. Në përpjekje për të shpëtuar prej saj, ajo veproi po njësoj: duke vrarë, – mendon prof. Edmond Dragoti për rastin e së resë Nazime Visha.

Profesor, si e shihni ju rastin e vajzës 18-vjeçare, çfarë po ndodh sipas jush?

Është një rast ku përzihen të gjitha kulturat. Kultura periferike dhe kultura e urbanizuar që po ndryshon kohët e fundit. Në rastin konkret, vajza donte të dilte nga kultura e traditës, por duke qenë në moshë të vogël dhe duke u abuzuar, ajo reagoi në të njëjtën mënyrë. Duke vrarë, në këtë rast. Për mua, veprimi minimal i saj është një revoltë ndaj shoqërisë dhe një nevojë për t’u shkëputur prej mjedisit të saj.

Rast i izoluar apo më shumë se kaq?

Nuk është rast i veçuar se janë mijëra të rinj dhe të reja që kthehen në dilemë shoqërore. Aq më tepër kur u mungojnë zgjidhjet me alternatika paqësore. Mosfunksionimi i institucioneve shtetërore ose funksionimi i sistemit korruptiv nuk ofron një zgjidhje për të rinjtë tanë.

“Jemi shoqëri e shurdhët, krimi na e ka paralajmëruar ardhjen e tij”

“Vërtet shoqëria e gjerë mëson për krimin vetëm pasi ai ka ndodhur, por krimi në fakt e ka paralajmëruar ardhjen e tij. (shih tabelën). Po të krahasojmë e analizojmë, ajo që del është që vitet e fundit janë raportuar shifra në rritje të krimit, por edhe të denoncimit”, – analizon sociologia Entela Binjaku.

Znj. Binjaku, si e shihni rastin e fundit të vajzës 18-vjeçare që vrau të dashurin, pse ndodhi?

Edhe pse kishte një lloj njohjeje, siç po dëshmojnë të gjithë ata që kanë qenë në dijeni të raportit midis vajzës së re dhe viktimës, sërish askush nuk mundi ta parandalonte ngjarjen fatale. Kjo sepse shoqëria jonë nuk ka mekanizma bashkëpunues në parapritë të saj. Shoqëria civile ka ardhur duke u mpakur ndërsa shteti është dorëzuar tërësisht.

Dhuna dhe krimi me rrethana si në rastin që po flasim janë vështirë për t’u gjurmuar sepse edhe për hir të traditës sonë, ajo çfarë ndodh brenda shtëpisë, nuk duhet të dalë jashtë…?

Ashtu është, por po të shohim tabelën me të dhënat statistikore të numrit të denoncimeve në strukturat e policisë, për vitet e fundit, konstatojmë se vërtet shoqëria e gjerë mëson për krimin vetëm pasi ai ka ndodhur, por krimi në fakt e ka paralajmëruar ardhjen e tij. (shih tabelën). Po të krahasojmë e analizojmë, ajo që del është që vitet e fundit janë raportuar shifra në rritje të krimit, por edhe të denoncimit.

Mendoni që mund të parandalohen këto krime të përditshme?

Po. Por vetëm në rast se shoqëria do të kontribuonte me mekanizmat e saj të shoqërisë civile, me organizimet në mbrojtje të dinjitetit të njeriut, të së drejtës për jetën, të edukimit për një jetës civile dhe në paqe, me kontribute në ngritje të kapaciteteve kulturore të shoqërisë, si dhe në rast se shteti do të tregohej i ashpër ndaj dhunuesve, ndaj atyre që kryejnë krime duke ju dhënë ndëshkimin ligjor për veprën e kryer, atëherë edhe vetë shoqëria jonë do të ishte më në harmoni. Nga ana tjetër edhe familja, shkolla, organizimet vullnetare në dobi të jetesës civile nëse funksionojnë realisht do të ndihmonin shumë në parandalimin e këtyre ngjarjeve.

Maja e ajsbergut dhe pyetja “ndjehet e dhunuar” apo “është e dhunuar”?

Sociologu Florian Kulla mendon se raste abuzimi që 14 vjeç si rasti i Nazime Vishës, janë të shumta në këto zona dhe mjedise, por studimet serioze mungojnë.

Z. Kulla, rasti i Nazimes është rast i izoluar dhune, apo zonat e thella janë të mbushura me të tilla raste?

Studimet janë jo vetëm të pakta, por edhe të dizenjuara dhe shkruar keq, duke lënë mënjanë thelbin e realitetit të fëmijëve në këto zona. Si pasojë, ato na vijnë pak në ndihmë. Pjesa më e mirë e informacionit na vjen nga ato studime përgjithësuese që janë kryer kryesisht nga organizata ndërkombëtare që punojnë për fëmijët dhe të rinjtë në çështje të tilla studimore si: dhuna në shkolla dhe në familje, martesat në moshën e adoleshencës, praktikat e prindërimit etj, që janë kryer edhe në zona të tilla rurale dhe prekin tërthorazi edhe këto fenomene e realitete. Këto pak studime na tregojnë se në të tilla realitete ky nuk është një rast i izoluar, por maja e një ajsbergu të thellë. Rrënjët dhe zgjidhjet e tij duhen kërkuar në disa dimensione.

Pse, ajo që bie pre e abuzimit nuk e denoncon këtë rast që në hapat e para kur ndihet e dhunuar?

Ajo (a të tjerë si ajo) nuk “ndjehet e dhunuar”, por “është e dhunuar”. Kjo çështje duhet parë pak më thellë e më gjerë:

1. Një fëmijë është i aftë të denoncoje dhunimin kur ai edukohet që herët nga familja dhe shkolla mbi të drejtat e tij. Përpara se të denoncojë, një fëmijë (dhunimi ka vite që ka nisur, që kur ajo ishte fëmijë) duhet të jetë i aftë të njohë dhe të kuptojë se kur dhunohet. Fëmijët, sidomos në këto zona, dhunohen dhe abuzohen sistematikisht (fizikisht, emocionalisht) nga vetë familja dhe mësuesit. Të denoncosh dhunën mësohet shumë më herët se ç’mendojmë ne në përgjithësi.

2. Studimet tregojnë se fëmijët e dhunuar (veçanërisht seksualisht dhe nga njerëz të familjes) tentojnë të ruajnë sekretin, sepse pjesë e viktimizimit ndaj dhunës (sidomos seksuale) është edhe ruajtja e ‘sekretit’, izolimi, ndjenja e fajit dhe e turpit për atë që ka ndodhur, pamundësia për ta verbalizuar etj.

3. Në përgjithësi, viktimat e abuzimit, për shkaqe nga me të ndryshmet, e kanë shumë të vështirë të reagojnë ndaj dhunës. Sa më shumë kohë të kalojë, dhe sa më i vetëm të ndjehet fëmija i dhunuar, dhe sa me pak të drejtë t’i jepet në të drejtën e tij, aq më pasiv dhe mosreagues bëhet ai. Në rastin kur dhunuesi është brenda familjes, apo i besuari i saj (dhe dihet që në këto zona, miku i shtëpisë ka më shumë rëndësi dhe peshë sesa fëmija i familjes) denoncimi (apo qoftë dhe hapja e gojës) bëhet edhe më e vështirë.

4. Është detyrë e prindërve dhe e të rriturve pranë fëmijës, ta dëgjojnë dhe besojnë denoncimin e tij. Sigurisht edhe të mbështesin pa kushte ‘rrëfimin’ e fëmijës, sado i vështirë të jetë për ta. Një fëmijë që nuk mbështetet dhe nuk i jepet e drejtë nga vetë familja, por ‘këshillohet’ të ‘mbyllë gojën’, e ka shumë të vështirë të denoncoje në institucione të tjera mbrojtëse për të.

5. Në vendet e zhvilluara, të cilat aplikojnë sisteme të kujdesshme për parandalimin dhe trajtimin e dhunës (çfarëdolloj dhune) ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve, sistemi lehtëson maksimalisht mundësinë e fëmijës për denoncim, ndërkohë që në vendin tonë, këto sisteme mbështetje nuk aplikohen. Më shumë se fëmija që shkon të denoncojë ‘te sistemi’ është sistemi që ‘shkon’ dhe stimulon ‘fëmijën’ të denoncojë.

6. Sa të besueshme janë në sytë e një fëmije, institucione të tilla si; shkolla, shërbimi policor? Sa profesionale janë këto shërbime ? Sa shërbime të tjera ka në ndihmë të këtyre fëmijëve?

7. Si përfundim, fëmijës së dhunuar i duhet të thyejë shumë barriera përpara se të shkojë të denoncojë dhunuesin e tij. Barrierat personale, të familjes dhe komunitetit si dhe institucioneve.

—————–

Krimi në fakt na e ka paralajmëruar ardhjen e tij

ResPublica.al, 23 gusht 2012

Rasti i Nazime Vishës vazhdon të jetë në faqet e para të gazetave, diku flet gjyshja diku babai, diku kunati, një polic (që i doli emri) pastaj taksisti, pastaj prapë gjyshja. Vrasja e 18-vjeçares nga Vilza e Zall-Bastarit, fshati i fundit mes maleve që ndan Tiranën nga Burreli me sa duket e ka tërhequr vëmendjen e publikut të gazetave dhe këto të fundit përpiqen ta mbajnë gjallë temën në këto ditë të nxehta gushti. E përditshmja “Shekulli” kishte mbledhur disa sociologë për të folur rreth Nazimes, por edhe rreth shkaqeve të shtimit të dhunës dhe krimeve. Një prej sociologeve, Entela Binjaku prezanton disa shifra mbresëlënëse.

Thotë Binjaku: “Dhuna dhe krimi me rrethana si në rastin që po flasim janë vështirë për t’u gjurmuar sepse edhe për hir të traditës sonë, ajo çfarë ndodh brenda shtëpisë, nuk duhet të dalë jashtë. Por po të shohim tabelën me të dhënat statistikore të numrit të denoncimeve në strukturat e policisë, për vitet e fundit, po të krahasojmë e analizojmë, ajo që del është që vitet e fundit janë raportuar shifra në rritje të krimit, por edhe të denoncimit…”

Tabela e mëposhtme, e mbështetur në shifrat zyrtare, konfirmon se vërtet shoqëria e gjerë mëson për krimin vetëm pasi ai ka ndodhur, por krimi në fakt e ka paralajmëruar ardhjen e tij. A.N.

Tabela me denoncimet për dhunë në vite

viti 2005 94 raste
viti 2006 204 raste
viti 2007 274 raste
viti 2008 822 raste
viti 2009 1217 raste
viti 2010 1998 raste

Foto: Shqipëria, mars 1997 (Corbis)

—————

EKSKLUZIVE nga burgu/ Nazimja: Ja e vërteta, kur i qëllova Fiqiriu, s’tha asnjë fjalë

Nga: REZARTA DELISULA, KLODIANA LALA

EKSKLUZIVE nga burgu/ Nazimja: Ja e vërteta, kur i qëllova Fiqiriu, sTIRANË- Nuk e vrava Fiqiriun se më përdhunonte, e vrava se më ndau nga i fejuari. Tani në gusht unë do isha martuar, kisha bërë gati edhe pajën”, thotë pa i lëvizur asnjë muskul fytyre Nazimja, vajza që po gjykohet për vrasjen e 45-vjeçarit Fiqiri Muça. Edhe pse kanë kaluar 10 ditë, vajza ende pa mbushur të 18-tat, thotë se nuk është penduar, duke preferuar më mirë burgun se sa atë jetë që bënte në shtëpi.

E takojmë në burgun 313. Nuk tërhiqet kur na sheh në derën e dhomës së takimeve dhe kur merr vesh qëllimin e vizitës tonë. Nazimja është vajzë trupvogël, por muskuloze, simpatike akoma më shumë kur qesh dhe, paksa e rritur para kohe nga qëndrimi i pandryshueshëm. Ajo di se çfarë është interneti, por nuk di kush është presidenti i vendit. Thotë se di të mbajë një kallashnikov në dorë, por nuk di efektet e helmit…

Kur çoheni në mëngjes?
Ngrihemi në 06.30.
Çfarë bëni, fiskulturë?
Unë tani kam ardhur. Po, bëjmë fiskulturë.
Po shoqet si janë?
Të mira.
Çfarë kanë bërë ato, çfarë vepre penale?
S’e di.
Të pyetën përse ke ardhur këtu?
Jo.
Ka ardhur t’ju takojë njeri?
Vetëm psikologia.
Po nga familja?
Xhaja, gjyshja. Babin dhe mamin e pres sot, (e martë, 21 gusht).
A je penduar?
Jo, nuk jam bërë fare pishman. (Qesh) Më vjen keq vetëm se më ka ndarë me të fejuarin, se ai dhe familja e tij më kishte hyrë shumë në zemër.
Sa vjeçe je?
Më 3 mars mbush 18.
Kur shkove në Krrabë?
Mbasi më kishte marrë peng. Kur më ktheu Fiqiriu në Tiranë më mori gjyshja. Polici i Burrelit, i tha “ik dërgoje në Tiranë dhe shko në shtëpi. Njerëzit e vet mezi po e presin, do ta marrin”.
Ku të la Fiqiriu?
Te komisariati nr.4. brenda në rajon. Hodhi një firmë gjyshja.
Të dorëzoi te policët?
Po, e ndihmoi ai polici tjetër nga Burreli. I tha “ik pa merak, do të të ndihmoj me telefonata”. Ai nuk erdhi. Pas kësaj, Fiqiriu merrte njerëzit e mi dhe u thoshte “do ta vras”, i thoshte dhe të fejuarit “do ta vras”. Nga i fejuari më ndau. U lidha prapë me të, e prapë më ndau. Do vij ta vras sot, do vij ta vras nesër, nuk kisha ç’bëja. Te gjyshja isha e mbyllur në shtëpi. Më gjeti dhe atje. Thosha, jeta ime u mbyll. Nuk kisha rrugë tjetër.
Kur e mori vesh kunati yt që të kishte marrë Fiqiriu, çfarë ndodhi?
S’e di çfarë kanë bërë ata. Burri i motrës, që kur më mori mua, s’ka fol me të. Motrën e ka sjellë të rrijë te shtëpia.
Lexoni gazeta në burg?
Jo, nuk lexojmë. Unë mbrëmë kam dalë në dhomë, se kam qenë vetëm tri ditë.
Ka armë babi në shtëpi?
Jo, në shtëpi të babit nuk kishim armë. Te gjyshja kam gjetur armën. Isha me gjyshen me dele. Ishte pyll. Po binte shi dhe u futëm në një tunel të mos lageshim. Aty gjeta armën. E mora në shtëpi.
Ai kallashi që gjete ne pyll, kishte plumba?
Po, kishte.
Po pse, armët gjenden rrugëve në Krrabë?
Nuk e di, dikush e kishte fshehur dhe unë e gjeta.
Te shtëpia e gjyshes nuk kishte armë?
Jo, jo, e gjeta në pyll.
Ku mësove të gjuaje, ku bëre prova?
Ma mësoi gjyshja.
Po ku dinte gjyshja ta përdorte kallashin?
S’e di, dinte.
Nëse të japin tani një kallash, di ta mbushësh?
Po, di ta mbush.
Gjyshja të mbushi armën dhe të tha dil e vrite?
Jo, e kisha ndarë mendjen vetë ta vrisja.
Natën e ngjarjes çfarë ndodhi, ku e more vesh që erdhi Fiqiriu?
Erdhi dhe i ra portës. Ishte vonë. Unë isha vetëm me gjyshin e gjyshen në shtëpi. Xhaja i vogël pati ikur me nusen te njerëzit e nuses. Unë dola dhe më tha “hajde, se do të të vras nëse nuk vjen ku dua unë”.
Ishte me makinë Fiqiriu?
Ishte me taksi. Më tha “o do të vish të të çoj për ku të kam nis, (Kosovë) o të vrava”. I thashë “më prit një minutë”. I dola me automatik dhe e vrava.
Ku e vrave?
E gjurmova mbrapa dhe e gjuajta. Ai po priste, se kujtoi se po merrja rrobat. Unë mora automatikun. Ai po priste te dera e jashtme.
Taksisti ka thënë që dolën tre veta dhe e gjurmuan nga mbrapa Fiqiriun…
Aty kam qenë vetëm unë që e gjurmova dhe e vrava. Mbrapa ka ardhur gjyshja dhe shoferi i taksisë. Unë dola nga porta e vëllait, se janë dy porta, dhe Fiqiriu ishte duke lëvizur drejt taksisë që të hapte derën. Ai po priste që unë të shkoja.
Donte të ikte taksisti?
Po, donte të ikte dhe unë i thashë të mos lëvizte se do e vrisja. S’doja të ikte pa ardhur policia. Dhe, ai më tha që Fiqiriu i kishte thënë se do të shkonte te shtëpia e një miku, e po ta dinte taksisti këtë, s’do kishte ardhur.
E dije që kishte lekë në xhep?
S’e dija.
Të ka dhënë ndonjëherë lekë Fiqiriu?
Jo, asnjëherë.
Si e mbajte kallashin, se është i rëndë?
Jam marrë me punë bujqësie, e mbajta kollaj. M’u duk i lehtë, se i kam krahët të fortë.
Sa kohë kishte që e mbanit kallashin në shtëpi?
Pak kohë.
Nëse policia ju kërkon ta çoni te vendi ku e gjetët armën, e gjeni dot?
Po, e gjej. I dërgoj. E mbaj mend, edhe pse është pyll i madh.
Kur i ra derës Fiqiriu, s’e dëgjoi gjyshja?
S’e dëgjuan, se ishin lodhur bashkë me gjyshin, ishin dhe me agjërim.
Kur erdhi policia në fshat?
Shumë shpejt erdhi.
Në telefon, s’ke folur rrugës me Fiqiriun?
Jo, s’kam fol.
Ku e more celularin, që more policinë në telefon?
Mora telefonin e gjyshit, se vetëm gjyshi kishte telefon.
Po policinë në çfarë numri e telefonove?
Te ai numri 128.
Çfarë i the policisë?
I tregova çfarë kisha bërë.
Armën ku e le?
E mbajta në dorë, derisa e mori policia.
E lëvize Fiqiriun?
Jo.
Tha ndonjë gjë Fiqiriu kur po e qëlloje?
Asnjë fjalë nuk tha.
Po gjyshja kur e pa, të tha “çfarë bëre”?
Jo, s’më tha asgjë.
Rrobat, i ndërrove?
I ndërrova dhe i mori policia. I kam ndërruar pasi erdhi policia. Më dërguan, më thanë ndërrohu dhe morën rrobat.
Çfarë kishe veshur?
Pantallona treçerekëshe dhe një bluzë të gjatë.
Në 12 të natës me pantallona?
Po, vishesha ashtu, se më hanin mushkonjat.
Nëse policia arreston gjyshen dhe xhaxhain, çfarë do bësh?
Nuk është e drejtë. Fiqiriun e vrava unë. Unë e bëra vetë, e mbaj vetë vrasjen. Ku të ketë të drejtë policia le të veprojë.
Po nëse nga hetimet del që ata kanë gisht?
Është dora ime, e askujt tjetër.
E pastrove armën?
Jo, asgjë, vetëm e kam mbajtur në dorë.
Ke frikë mos të arrestojnë gjyshen?
Jo, s’kam frikë. E kam bërë unë vrasjen.
Të pyeste gjyshja se çfarë të kishte bërë Fiqiriu?
E shante Fiqiriun, se e kanë respektuar.
Vinte Fiqiriu të gjyshja?
Jo, e mori vesh vonë.
Nga e mori vesh?
S’e di.
Taksisti ka thënë që Fiqiriu fliste me një femër?
Nuk di ç’ka thënë taksixhiu, unë s’kam folur me të. Kur ishim në pyll ai ka folur me vajza të tjera që s’i numëroheshin. Ai fliste me dashnoret e tjera.
E ka marrë vesh i fejuari që e ke vrarë ti Fiqiriun?
Po, besoj e ka marrë vesh.
Di gjë ku është?
S’kam asnjë lajm për të fejuarin.
Tani ti duhet të ishe martuar?
Po, do bënim dhe martesën.
Plane për martese me Saimirin kishit bërë?
Po, do martoheshim në gusht.
Po pajë kishe bërë?
Po, kam bërë. Kam qëndisur çentro, kam bërë çorape leshi.
Të ka pyetur ndonjëherë Saimiri se çfarë kishte ndodhur mes teje dhe Fiqiriut?
Nuk më kishte pyetur asnjëherë se çfarë kishte ndodhur. Te vajzat e fshatit kanë besim.
Si ishte vjehrra?
Shumë e mirë. Të gjithë ishin shumë të mirë (vë buzën në gaz).
Kur erdhe nga pylli, s’erdhi të të shihte?
Fola në telefon, po më ndau shumë shpejt ky legeni (Fiqiriu), bëri shumë presione. Kisha frikë të shkoja te vjehrra, se mos më shihte në Tiranë Fiqiriu e më vriste.
Po ti, kishe vërtet frikë?
Po, e mendoja se mund të më vriste, se ma thoshte gjithmonë.
A të vjen keq që u prish fejesa?
Shumë.
Për gruan e Fiqiriut të vjen keq?
Jo, fare.
Po e le pa burrë…
Po çfarë më bëri mua burri i asaj.
Po për motrën, ke frikë mos i bëjnë ndonjë gjë?
Nuk di çfarë do bëjnë. Nuk kam frikë. Burrin e vet e ka shumë të mirë. Që kur më mori mua Fiqiriu, ai (kunati) s’i ka fol të vëllait.
Ke frikë mos ta ndan motrën?
Jo, s’e besoj.
Nëse ndodh, të vjen keq që u bëre ti shkak?
Keq më vjen, se unë e provova vetë, se u ndava me të fejuarin.
Nëse kthehesh mbrapa në kohë, do ta bëjë të njëjtin veprim, do ta vrisje Fiqiriun?
Mos të më kishte prishur me të fejuarin s’do ta bëja.
Çfarë bëje te shtëpia e të fejuarit?
Punët e shtëpisë me vjehrrën.
Ia ke uruar ndonjëherë vdekjen?
Po, nën zë ia kam uruar gjithmonë, me gjithë zemër ia uroja vdekjen. Thoja brenda vetes, “O Zot, merrja jetën”.
Si ndihesh tani?
E çliruar. Më mirë them, rri në burg, sesa ashtu siç isha.
Qave kur e vrave Fiqiriun?
Fare.
As këtu në burg s’ke qarë për fatin tënd, që përfundove këtu?
Jo, s’kam qarë. Këtu jam më mirë sesa në shtëpi.
Të erdhi keq që e pe të shtrirë Fiqiriun?
Jo, fare. Nuk ndjeva asgjë.
Në shtëpi, kush gatuante?
Unë gatuaja. Hante dhe Fiqiriu.
E ke menduar ndonjëherë t’i hidhje helm në ushqim?
Jo, s’e dija si do shkonte jeta ime. Pse, çfarë të bën helmi?
Kur flinte gjumë Fiqiriu në pyll, të ka shkuar në me-ndje t’i merrje pistoletën?
Unë isha e lidhur nga duart.
Edhe kur haje bukë?
Ai e mbante armën në dorë kur haja bukë. Ai armën e fshihte, s’e linte asgjëkundi.
Fiqiriu, e kishte menduar se mund ta vrisje?
S’i shkonte mendja te unë.
Në fshat, si e kaloje kohën?
Si ta kalosh kur ke gjithë këto të këqija?!
Ezeli, të pëlqente?
Nuk shoh fare televizor. S’kemi fare televizor në shtëpi.
Sa dhoma keni në shtëpi?
Dy dhoma.
Sa fëmijë ishit?
Pesë.
Kishit lopë?
Kemi lopë, i rregulloja unë. Vëllai i ruante.
Do e kishe blerë një armë për të vrarë Fiqiriun nëse do kishe lekë?
Derisa më ndau nga i fejuari, po.
Po mos të të kishte ndarë, s’do e vrisje?
Do ikja te i fejuari im dhe s’do e vrisja.
Çfarë të tha i fejuari?
S’dua bela me të. Fiqiriu i thoshte se është e imja, do ju vras, e ndaj më ndau.
Po në shkollë, të ngacmonte ndonjëri?
Jo, tetë klasë mbarova dhe u largova nga shkolla.
Pse s’e nise gjimnazin?
S’kisha mundësi.
Kush lëndë të pëlqente më shumë në shkollë?
Lexoja pak nga të gjitha. Isha nxënëse jo shumë e mirë.
Kush ka qenë shoqja jote më e ngushtë?
Me të gjitha shkoja mirë, po s’u besoja.
Babai, e rrihte ndonjëherë mamin?
Jo, asnjëherë.
Po juve?
As ne.
Të pëlqente të jetoje në Tiranë?
Po, shumë.
Kur ishe e vogël, çfarë doje të bëheshe?
S’e kam menduar. Doja të nisja shkollën po s’e nisa dot se jemi të varfër. Mendoja të gjeja një burrë dhe të martohesha.
Kishe dëshirë të bëje fëmijë?
Po, shumë dëshirë kisha.
Djalë apo vajzë?
Çfarë të më falte zoti.
Beson te zoti?
Besoj shumë, shumë. Zoti thotë mos vrit… Unë s’kisha zgjidhje tjetër.
E di kush është kryetar i Bashkisë së Tiranës?
Jo, s’e di.
Po kryeministër?
Jo.
Po president?
Më duket se është ai, Saliu (Sali Berisha).
Ke votuar ndonjëherë?
Jo, s’kam mbushur ende moshën.
Ke pasaportë apo kartë identiteti?
Jo, s’kam.
Ke pasur dëshirë të shkoje në ndonjë vend jashtë Shqipërisë?
Po, doja të shkoja në Itali, se atje kisha të fejuarin.

(Intervista vijon nesër…)

NGJARJA
Më datë 13 gusht Fiqiri Muça me mjetin e shtetasit Myrvet Bardhi është nisur nga qyteti i Durrësit, për të përfunduar pranë banesës së gjyshes së Nazime Vishës. Sipas policisë Nazimja e ka pritur me të shtëna kallashi 45 vjeçarin të cilin e akuzon se e ka përdhunuar dhe donte ta trafikonte. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, u gjetën 29 gëzhoja.

DEKLARATA E TË FEJUARIT
Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për gazetën “Panorama”, ish-i fejuari i Nazime Vishës, Saimir Fiolla është shprehur se nuk ka dëshirë të flasë më për Nazimen, pasi janë ndarë prej dy muaj. “Secili ka jetën e vet, nuk dua ta komentoj atë çfarë ka bërë. Do ta kisha komentuar, të kisha qenë akoma me Nazimen.” – u shpreh ai. I pyetur për arsyet e ndarjes, i riu është shprehur se ajo iku dy javë nga shtëpia dhe ndërpreu komunikimin me mua në telefon.

“Iku nga shtëpia, apo e rrëmbyen? Në fakt, Nazimja më ka thënë se e kanë rrëmbyer dhe më tha emrin e Fiqiri Muçës.
E besuat, apo e besoni aktualisht? Nuk di ç’të them. Në atë kohë kur ndodhi ngjarja, në maj, ne u rilidhëm me telefon dhe ajo u betua që e kishin rrëmbyer – ka deklaruar Saimir Fiolla.

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)