Nga Mero Baze, 5 Shtator 2013
Mbledhja e fundit e qeverisë apo akti i fundit i çdo pushteti, i ngjason pak shkuarjes në kishë, ku njeriu ka nevojë të rrëfehet, të flasë me veten dhe të ikë duke lënë pas ndjesinë e paqes. Është në një farë mënyre një akt që përmbledh brenda shuarjen e emocioneve të luftës që ke bërë, përsiatjen për humbjen dhe një lloj bekimi për pasardhësit e tu. Është dhe më tej një reflektim i fortë për vetveten dhe peshën e pushtetit që mund të ketë bërë dëme diku. Është kulturë ikjeje. Seanca të tilla zakonisht përdoren për të fisnikëruar politikën, për të dëshmuar se ishe legjitim në pushtetin tënd dhe i gatshëm për t’u gjykuar për çfarë ke bërë.
I vetmi njeri që kulturën e ikjes nga pushteti e ka kthyer në mallkim është Sali Berisha. Ky është dhe i vetmi njeri që unë njoh, që nëse do ta çoje në kishë, as do lutej për mëkatet, as do falej për ato çka bërë, por do shkonte për të mallkuar kundërshtarin. Në rastin konkret, popullin shqiptar!
Mbledhja e fundit e qeverisë së Sali Berishës është gjëja më turpëruese e historisë së shtetit shqiptar. Një njeri i eksituar nga tërbimi i zbimit nga pushteti, mallkoi për 100 minuta popullin shqiptar pse e zboi me votë. Arsyeja përse i mallkonte ishte sipas tij, fakti që shqiptarët nuk i janë mirënjohës atij për qeverisjen tetëvjeçare. Nuk dua të përsëris shkulmat e zemërimit, që ai hodhi si gëlbazë mbi shqiptarët nga urrejtja pse e zbuan, por do të doja që nesër në gazetë të botoja fjalimin që duhet të dëgjonim nga Sali Berisha, ditën e fundit të tij në pushtet dhe historinë e politikës shqiptare. Por në vend të tij ne dëgjuam një mallkim të gjatë për 1 orë e 40 minuta.
Ne duhet të dëgjonim një njeri që me zemër të hapur të dëshmonte përse projekti i tij me duar të pastra dështoi dhe u kthye në një pushtet me duar të përgjakura në mars të vitit 2008, kur biznesi i mbështetur nga djali i tij hapi 26 varre dhe plagosi mbi 300 njerëz. Ajo ishte një ditë e madhe kur ai duhet të reflektonte, dhe para se të zhyste duart në gjak për të mbrojtur krimin, ku kish gisht Familja e tij, duhet të hiqej mënjanë dhe të linte drejtësinë të vepronte. I gjendur mes dilemës së një pushteti me duar të pastra dhe një familje me duar të përgjakura, ai zgjodhi Familjen dhe prej asaj dite Shqipëria u qeveris nga një regjim familjeje. Kryeprokurorja e vendit, Presidenti, media, SHISH, dhe gjithçka tjetër u shpallën armiq vetëm pse ishin dëshmitarë dhe kishin në dorë faktet që Familja e tij ishte zhytur në krimin e përgjakshëm të Gërdecit. Vetë Partia Demokratike filloi të transformohej në një parti pro apo kundër Gërdecit.
Ish-zëvendëskryeministri Rusmali, që u ndesh konkretisht me lobmin e djalit të tij për të marrë licencën e Gërdecit, u linçua pse refuzoi të firmoste dhe e ndoqi linçimi derisa e zbuan nga Partia Demokratike, përkundër korrektësisë së tij të tepruar dhe shpesh të shpifur politike. Partia Demokratike u kthye nga parti e njerëzve idealistë, në parti që ndahej pro ose kundër Shkëlzenit, Argitës, Rrahmanit, Bashkimit, Delijorgjit, etj. Investitorët e huaj duhet doemos të takoheshin me studion ligjore që u kërkonte atyre 3 përqind të investimit për firmën e babait dhe biznesmenët e pabindur të vendit duhet të shkonin tek balloja e bamirësisë së gruas së tij, të paguanin për t’u dukur të pastër.
Sali Berisha kishte sot ditën kur në heshtjen e tij solemne të kujtonte familjet e 26 të vrarëve në Gërdec, që ndryshuan historinë e tij politike dhe të fatit të pushtetit të tij. Biznesi i të birit të tij nuk hapi thjesht 26 varre, por një perspektivë të errët të qeverisjes së Shqipërisë, ku gjithkush duhet të bënte karrierë bazuar mbi aktet e mbrojtjes së Familjes.
I futur në spiralen e krimit dhe gjakut, Sali Berisha filloi të ndërtojë një pushtet ku njerëzit diferencoheshin, jo në raport me vlerat e tyre, por në saj të raportit që ata kishin me Familjen. Dhjetëra personalitete të PD-së u deformuan politikisht dhe intelektualisht. Ata u kthyen në shërbëtorë të zellshëm dhe të shpërblyer të regjimit, duke mohuar parimet politike, raportet njerëzore dhe zakonin e të sjellurit si njerëz të lirë.
Me këtë frymë revanshi Berisha shmangu ndëshkimin ligjor dhe hetimin e linjës politike të masakrës së Gërdecit dhe riktheu në parlament Fatmir Mediun duke e shpërblyer për heshtjen rreth djalit të tij.
Paralelisht me këtë skandal, një histori tjetër mbi 200 milionë euroshe zhvillohej me plaçkitjen e madhe të Rrugës së Kombit, ku për një segment 60 km shqiptarët kanë paguar mbi 1 miliard euro, për një rrugë skandaloze, të pasigurt dhe dhjetëra herë me standard më të ulët se e njëjta rrugë në Kosovë. “Dhëndri brenda” i Familjes Berisha në politikë, Lulëzim Basha, kishte firmosur duke buzëqeshur çdo letër që i vinte para Familja dhe kishim devijuar kështu miliona euro në favor të tyre, në emër të një rruge që ende nuk ka mbaruar. Nuk di sa pare ka fituar vetë Lulëzim Basha, por kjo ishte prova e futjes së tij në Familje, si çdo mafioz që duhet të vrasë para se të marrë bekimin e Padrinos. Kjo është po ashtu një dosje e pagjykuar. Falë milionave dhe pushtetit Sali Berisha e mbylli pa gjykuar, por nëse një ditë drejtësia do të vendoset në këtë vend, njeriu që qesh e ka vendin pas hekurave të burgut.
Nën trysninë e skandaleve financiare dhe varreve të hapura, Sali Berisha shkoi drejt zgjedhjeve të vitit 2009 i vendosur për t’i manipuluar. Ai rrëmbeu mandatet në një proces tërësisht jo transparent dhe refuzoi për dy vite të hapte kutitë dhe të bënte transparencën e zgjedhjeve. Për t’i dhënë fund kësaj këmbëngulje, më 21 janar 2011, me qetësinë e një vrasësi të lig, pas xhamave të blinduar të kryeministrisë, ai urdhëroi vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm, të parrezikshëm dhe të paarmatosur, që po protestonin para zyrave të tij. I vrau me ligësi duke lënë 8 fëmijë jetimë.
Sot, duke dalë nga ajo zyrë ku nuk do të shkelë më, ai duhet të rrinte një minutë në heshtje me veten e tij dhe të kujtonte se ka lënë 8 fëmijë jetimë, afërsisht sa nipa e mbesa ka ai. Dhe i ka lënë jetimë vetëm se më shumë se fatin e tyre, donte karrigen e tij. Në vend të kësaj, ai i mallkoi përsëri. Mallkoi një milion shqiptarët, të cilët kur votuan më 23 qershor kishin parasysh dhe gjakun e Aleksit, Ziverit, Hekuranit dhe Faikut të vrarë nga Sali Berisha dhe Lulëzim Basha. Gjaku i tyre u kthye në votë kundër Sali Berishës, kurse vrasjet e Sali Berishës do të kthehen në një monument turpi për të dhe gjithë politikën shqiptare, nëse një ditë ai njeri nuk do të çohet qoftë dhe me barela në birucë, për të vuajtur dënimin si vrasës.
Sot Sali Berisha kishte rastin të reflektonte vërtet pse dëshira e tij për të hyrë në histori përfundoi si një akt formal i “hyrjes në gjeografi”. Ai transformoi Shqipërinë në një vend të papërgjegjshëm, me humbje totale të kontrollit mbi territorin, me zaptime fushash dhe bregdeti, me një bashkëjetesë rrumpalle të fabrikave të çimentos së Familjes me shpresën për turizëm, me një shitje virtuale të lejeve dhe koncesioneve që u kthyen në letër krediti për Familjen, e cila u parapagua për punë që s’do të bëhen kurrë. Shqipëria nën Sali Berishën u bë me më pak tokë, me më pak energji, me më pak naftë, me pak krom, me pak prodhime bujqësore, me më pak det, dhe mbi të gjitha me më pak shpresë. E vërteta e hidhur është se Berisha la gjurmë mbi trupin e Shqipërisë, siç lë gjurmë thika mbi trupin e pafajshëm të një njeriu të përdhunuar. Kjo është dhe e vetmja meritë gjeografike e tij për Shqipërinë.
Sot ai kishte ditën të reflektonte për gjithë këto, për të vrarët nga dora e tij, për të vrarët për të qëndruar në pushtet, për të vrarët për t’u pasuruar, për të fyerit nga pushteti i tij, për ata që ai i luftoi si armiq klase, për ata që ai tentoi t’i poshtërojë dhe fyejë me pushtetin e tij, për ata që varfëroi, për ata që la rrugëve pa bukë dhe shtëpi, për ata që i dëshpëroi aq shumë sa vrasin veten përditë nëpër rrugë e shtëpi, për ata që i bindi më 23 qershor të bëhen bashkë 1 milion vetë dhe ta shporrnin nga politika… Duhet një guxim i madh për të reflektuar për këtë. Duhet dhe një karakter i madh dhe i fortë. Duhet doemos ta shikosh zyrën ku ke qeverisur tetë vite si një kishë ku duhet të falesh për shpirtrat e shqiptarëve që ke vrarë dhe lënduar, jo si një kishë ku shkon për të mallkuar. Ai iku duke mallkuar! Nuk mund të ikte ndryshe. Ishte mallkimi ynë!