‘Azilkërkues i zërit qytetar’ – nga Isidor Koti

0
63

Hermesnews/ Doli në shtyp, libri me i fundit i publiçistit të njohur Isidor Koti me titull ‘Azilkërkues i zërit qytetar’. Nëpër faqet e këtij libri i cili nuk është i vetmi në treg, (mjafton të permendim këtu ‘Mediakriza sociale’, apo përmbledhja me poezi ‘Beteja e shpirtit’ ), do të gjeni një përmbledhje të spikatur me analizat dhe opinionet e publikuara në mediat me të njohura në Shqiperi, çfarë është dëshmi e një pune energjike dhe shumë profesionale. Por, përveç tyre do të keni mundësinë të lexoni dhe mendimet e disa drejtuesve të mediave kryesore, mbi analizat dhe opinionet e tij, si psh..

Lëvrues i një gjinie që po humbet (Urim BAJRAMI)/ Para disa kohësh, në detyrën e kryeredaktorit të gazetës Shqip, një nga emrat që përfshiva në listën e bashkëpunëtorëve ishte edhe Isidor Koti. Shkrimet e tij publicistike tërhiqnin vëmendjen jo vetëm për rrokjen ndryshe të temave të ditës, por edhe për mënyrën e trajtimit të tyre.

Isidori, një pedagog i ri i gazetarisë në Shqipëri, ka ditur të marrë më të mirat vlera nga gazetaria e hershme shqiptare, ashtu sikurse di sa dhe si të mësojë nga gazetaria moderne, nga publicistika aktuale, e cila për fat të keq pak po trajtohet nga gazetarët e dekadave të fundit. Isidori është ndër të paktët gazetarë, dhe jo vetëm gazetarë, por dhe publicistë shqiptarë, të cilin pa asnjë mëdyshje mund ta radhisësh në listën e paktë të lëvruesve të një gjinie që po humbet, një gjinie të bukur si publicistika, që jo të gjithë mund ta “përballojnë”.

Në rrugën e gjatë e të vështirë të gazetarisë dhe të publicistikës, ndikojnë shumë faktorë. Për mirë ose për keq. Ndaj një gazetar dhe publicist i mirë di të zgjedhë rrugën e duhur. Dhe në rastin e Isidorit, kjo zgjedhje është më e mira e mundshme: një gërshetim i vlerave më të mira të publicistikës shqiptare ndër dekada, me vlerat e pashmangshme të kësaj gjinie në Ballkan e më gjerë në Europë, dhe më tej, me publicistikën moderne, e cila nuk do të kishte këtë “shije” pa historinë e saj.

Në një kohë kur na mungojnë shkrime të tilla, në një kohë kur gazetaria shqiptare, edhe pse nuk e pranon, sapo ka nisur të ecë në rrugë pa krye, shkrime si të Isidorit janë një tregues sa i fortë, aq dhe i rëndësishëm për vlerat e gazetarisë dhe publicistikës shqiptare, të cilat kurrsesi nuk duhet t’i lëmë të na davariten rrugëve. Shërbimi më i mirë që mund të bëjmë ne tani është t’i ruajmë fort këto vlera dhe t’ua përcjellim brezave të rinj. Ndaj jam po kaq i bindur se, të lexosh librin e ri të Isidor Kotit nuk është thjesht kënaqësi…

Duke hedhur hapat mbi botën shqiptare (Leonard VEIZI)/ Një realitet i trishtë e pezmatues, i cili hera-herës ngjiz dhe me dritëhijet e nevojshme të frymëmarrjes jetësore, vjen nëpërmjet penës së Isidor Kotit. Duke hedhur hapat mbi botën shqiptare, të parë nga dritarja e tij, njihesh dukshëm dhe me gjithë problematikën që secili prej nesh e ndesh përballshëm apo nga një këndvështrim i caktuar jooportunist. Por autori ka marrë përsipër të rroki një gamë më të gjerë, çka tregon se syrit të tij prej gazetari për realitetin shqiptar të viteve 2005-2010, periudhë gjatë së cilës ka shkruar këta artikuj, nuk i shpëton as elementi më i vogël i keqpërdorimit të një detaji, i cili padyshim duhej të ishte pjesë e progresit.

Por sa mund ta gjesh veten në një libër me publicistikë siç është “Azilkërkues i zërit qytetar” shkruar nga Isidor Koti? Unë them se shumica prej nesh, e atyre që e kontaktojnë këtë libër dhe lexojnë nga faqet e tij, e ndjejmë veten nga pak autorë e më shumë aktorë të tij. Problemet më të mprehta që shqetësojnë shoqërinë shqiptare vijnë nëpërmjet artikujve që përbëjnë këtë vëllim publicistik, disa prej artikujve të të cilit janë botuar edhe te gazeta “Ballkan” gjatë periudhës kur kam qenë aty kryeredaktor. Mund të ndalem tek piratëria intelektuale, por po aq gjatë mund të rianalizoj problemet që i kanë dalë gjuhës shqipe në kushtet e reja të mbijetesës, ndërsa do të ndeshesha me detaje të reja nga roli i OJF-ve, të huaja e shqiptare, që nuk kanë të bëjnë fort me rolin ndihmues apo edukues, por thjesht e troç, me atë të zhvatjes në tregun e lirë të abuzimit.

Këto që sapo përmenda janë vetëm pak detaje nga titujt që përbëjnë gjithë vëllimin në fjalë. Duke parë në fund të çdo titulli, datat dhe botimet në gazeta, mund të them se me gjithë moshën e re, Isidor Koti ka grumbulluar një përvojë të madhe, gjë që shprehet edhe në bibliografinë e fundlibrit, e çka e bën më intriguese lançimin publik të asaj që e shqetëson libërshkruesin. Ndërkohë autori në këtë vëllim publicistik rezervon dhe surprizën e reportazhit, një gjini jo fort e spikatur vitet e fundit në gazetarinë e shkruar shqiptare.

Përtej perdes së padukshme (Doriana METOLLARI)/ Aftësia e një gazetari qëndron në gjetjen e rrugës për të thënë të vërtetën. Kjo e fundit shpeshherë fshihet pas tymit që preferojnë t’i hedhin medias për të manipuluar informimin publik. Por një gazetar dhe analist i mire shikon përtej kësaj perdeje të padukshme. Isidori e ka zbuluar; ai ka forcën për ta thënë të vërtetën dhe pse kjo e fundit shpeshherë ka një çmim. Ajo çfarë e veçon nëpër shkrimet e tij është se shkruan pa paragjykime, i etur për të gjetur atë çfarë fshihet pas informacioneve dhe deklaratave standarde që vijnë gati nga zyrat e shtypit dhe gati për të vënë në diskutim tezat e tij.

Kjo është ajo çfarë e bën një gazetar profesionist. Isidori analizon faktet e përditshme dhe i drejton njerëzit pa u imponuar asnjë…, me gjakftohtësi…, duke ia lënë skenën publikut, nuk e influencon atë. Është një betejë që pak gazetarë e bëjnë në Shqipëri. Pikërisht kjo u sjell jo rrallëherë probleme në të përditshme, çfarë e bën dhe më të vështirë punën e një njeriu që merret me informimin publik; por mjetet e informacionit janë kaq të shumta, kaq të depërtueshme dhe te holla, saqë nuk mund të censurohen të gjitha.

Isidori këtë e di; në punën e tij, e udhëheq pasioni dhe ai nerv që të mban zgjuar dhe që zhvillon nuhatjen kur ke përpara një lajm. Isidori vëzhgon ndryshimet e kohës, të jetës së përditshme, zbulon detaje që shumë gazetarë i lënë pas dore. Stili elegant është një karakteristikë e shkrimeve te tij, por jo vetëm kjo: renditja e fakteve vjen e ndërthuret natyrshëm njëri me tjetrin, pa krijuar boshllëk, pa lënë vend për pikëpyetje. Në shkrimet e tij, lexuesi gjen të gjitha përgjigjet dhe të vjen natyrshëm dëshira siç ndodh tek çdo gjë, që të lë përshtypje, që ta rilexosh me po të njëjtin kuriozitet, duke zbuluar vlera të reja tek autori.

Dhe nuk flas vetëm për shkrimet në gazetat e shkruara, apo nëpër librat e tij për median, por dhe për gazetarinë on line, e cila në të shkruar ka stilin e saj, më pak të lodhshëm për lexuesit që nuk preferojnë të lexojnë shumë on line. Kjo ndodh zakonisht në artikujt e gazetave online, por jo për të Isidorit, që një ditë pas publikimit renditen, në top listën e më të shikuarave te Hermesit. Nëse u kemi dhënë zë atyre që nuk e patën, kjo do të thotë se në botë ka ende njerëz që besojnë se mund te bëjnë diçka të mirë për shoqërinë, prandaj duhet të jemi krenarë për veten që zgjohemi në mëngjes dhe duke pirë kafen e parë besojmë se gazetaria është ende një mision.

Në vetëm 20 radhë (Elton METAJ)/ Kur Isidori më kërkoi të shkruaja disa rreshta për librin e tij të ri, fillimisht mendova se do të shpenzoja pak minuta, që do të mjaftonin për të përmbushur kërkesën e një miku. Por nuk ndodhi kështu. Disa herë u ula përpara kompjuterit dhe hodha germat e para, por nuk arrija dot të përmblidhja gjithçka në kufirin që Isidori më kishte vendosur. Dhe në fakt vonesa ime vinte për shkak të 20 radhëve.

Duhej të thosha shumë gjëra me pak shkronja dhe frika se mund të prodhoja një material të cunguar më shqetësonte jo pak. Kisha pasur mundësi t’i lexoja shkrimet e Isidorit më herët se të tjerët. Më saktë, i kisha shijuar krijimet e tij në orët e vona të mbrëmjes, kur përgatisnim me kolegët numrin e nesërm të gazetës “Korrieri”. Shpesh herë kisha menduar se Isidori i përkiste një rrace të veçantë shkruesish në shtypin e përditshëm. Në detyrën e kryeredaktorit, do të kisha dashur materiale që rëndom cilësohen “më të fortë” apo “më të ashpër”.

Por duke u shtuar shkrimeve, edhe bisedat direkte me Isidorin, do të kuptoja gradualisht kujdesin dhe dashurinë e tij të lindur, mbi të gjitha, për problematikën sociale dhe arsimin. Mendimi i tij vishej bukur dhe me kënaqësi mund të dallosh lehtë te publicistika e Isidorit, etikën, gjuhën e saktë e të pastër. Duke qenë i vëmendshëm të mos e kaloj cakun e fiksuar nga autori i librit, më duhet të ndryshoj kahun e marrëdhënies profesionale me Isidorin. Tani jam unë që duhet t’i telefonoj për t’i dërguar materialin dhe për t’i thënë se kam shkruar vetëm 20 radhë, me konstatimin, se kam qenë dëshmitar i startit të publicistikës së veçantë të Isidorit dhe me urimin për një rrugë të gjatë e të suksesshme.