Stefani e Minxhozi venë në shënjestër Athinën: Por faji është te pazaret dhe përulja e Tiranës…

0
27

ResPublica.al, 22 gusht 2012

“Nga Kali i Trojës te Kali i Detit” e titullon editorialin e sotëm në të përditshmen Shqip, Andrea Stefani… “Fundja shqiptarë jemi”, – duket sikur përgjigjet me autoironi në opinionin e vet Skënder Minxhozi në të njëjtin numër të gazetës. Janë dy shkrime të ndryshme, por të dyja kanë të bëjnë me Greqinë. Në fakt me Shqipërinë. Më saktë, me qeverinë e Tiranës dhe sjelljen e saj për Paktit Detar (Stefani) dhe në rastin “Marin Mema” (Minxhozi).

Shkruan Stefani: “…Krejt në kundërshtim me parimet dhe standardet europiane, politika e jashtme greke po përpiqet të përfitojë më shumë se i takon nga ujërat detare në kufirin me Shqipërinë, duke e shantazhuar këtë të fundit, me nevojën që ka për të marrë, sa më shpejt që të jetë e mundur, statusin e kandidatit të BE-së…”

Por pasi e quan politikën greje një “diplomaci dinake dhe të pandershme”, Stefani thekson se ky shantazh nuk do gjente terren kurrë pa “predispozitën aspak patriotike të qeverisë shqiptare”: “..Cfarë e detyroi qeverinë Berisha të ndërmarrë një pazar të ulët për faljen e ujërave detare Greqisë? Sepse vërtet nuk do europianizim real në Shqipëri (ndarje pushtetesh, pavarësi institucionesh dhe luftë reale kundër korrupsionit), por ama dëshiron që gënjeshtra e integrimit të zgjatet edhe ca vjet me marrjen e statusit të kandidatit, një status që do të shërbente edhe si gjethe fiku e hallateve autokratike dhe e korrupsionit të saj. Dhe Greqia mund të japë një dorë të mirë në realizmin e kësaj ëndrre…”.

Minxhozi është në të njëjtën linjë, madje ai rrëfen një eksperiencë personale të ngjashme me atë të gazetarit të TCH, Marin Mema. Shkruan Minxhozi: “…Cështja e gazetarit shqiptar Marin Mema duket e arkivuar në listën e gjatë të sjelljeve absurde të autoriteteve kufitare greke. Paralajmërimi është i qartë, për të gjithë njerëzit e shtypit në Shqipëri: mos shkruani për Çamërinë.. Autori i këtyre rreshtave e njeh personalisht shijen e reagimit idhnak të autoriteteve greke, pas botimit të një shkrimi për shqiptarët në Greqi, disa vjet të shkuara.

Paçka se incidenti u mbyll relativisht pa zhurmë, në segmentin “ambasada greke – gazeta ‘Panorama’” (e cila botoi asokohe në mënyrë korrekte shkrimin), ajo sjellje e atëhershme qesharake e diplomatëve grekë në Tiranë, zbulonte pjesë të të njëjtit mllef shtetëror kundër shtypit tonë, që ka goditur edhe Marin Memën para pak ditësh…. Përkundër kësaj, të mos i mbrosh qoftë edhe formalisht shtetasit e tu nga kjo politikë bizantine e fqinjit është mungesë totale përgjegjësie shtetërore, bjerrje e imazhit të vendit në botë dhe përulje e shëmtuar…

Që nga kufiri detar, memorialët e të rënëve të luftës italo-greke, shkollat greke apo censusi etnik e fetar, kemi “hapur krahun” rregullisht… Prandaj nuk duhet të çuditemi asfare që, nëse shkojmë pa asnjë problem në Paris, Romë apo Stokholm, duhet ta pyesim veten mirë, para se të shkojmë në Selanik apo Athinë. Sepse s’dihet me çfarë humori ka dalë në punë polici grek i radhës… Normale fare, se mos do të protestojë kush… Fundja, shqiptarë jemi…”

A.N.