Mediet e huaja: Dhjetëra-mijëra protestojnë për zgjedhjet problematike

0
53

Nga Tema

Agjencitë më të mëdha mediatike në botë transmetuan lajmin e protestës së opozitës shqiptare për hapjen e kutive.

E rëndësishme është se pothuajse të gjitha agjencitë i kanë mëshuar fort faktit se këto protesta bëhen për një palë zgjedhje të kontestuara dhe që nuk plotësuan standardet ndërkombëtare.

“Socialistët fituan 66 vende, rezultati më i ngushtë që kur vendi braktisi komunizmin në vitin 1992. Vëzhguesit nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë thanë se, pavarësisht përmirësimeve në procesin elektoral të vendit, zgjedhjet kanë pasur shkelje”, – raporton “Deutsche Welle”.

Ndërsa “Associated Press” shkruan: “Shumica konservatore e kryeministrit, Sali Berisha, fitoi ngushtë duke marrë 75 mandate nga 140 të tilla. Vëzhguesit ndërkombëtarë konstatuan se zgjedhjet nuk përmbushën standardet ndërkombëtare.”

***

Gjithashtu, agjencitë më të mëdha në botë, që furnizojnë me informacion shumicën e medieve, informojnë se numri i pjesëmarrësve në protestë ka qenë shumë i lartë.

“Dhjetëra-mijëra mbështetës të Partisë Socialiste në opozitë nisën të premten një seri tjetër protestash për të kërkuar, ose numërimin e votave të diskutueshme të zgjedhjeve të 28 qershorit, ose për të mbajtur të tjera zgjedhje”, – shkruan “Reuters”.

“Dhjetëra-mijëra mbështetës të Partisë Socialiste kanë zbritur sërish në shesh për të kërkuar numërimin e votave të zgjedhjeve të kontestuara të 28 qershorit, të fituara nga kryeministri aktual, Sali Berisha”, – thekson agjencia italiane, TGCom.

***

Në raportimet e bëra i është vënë një theks shumë i fortë dhe çështjes së korrupsionit të përhapur në vend dhe dështimit me vizat. Disa prej medieve theksojnë se edhe ambasadorët e BE në vendin tonë kanë kërkuar që Tirana të jetë më serioze në betejën ndaj korrupsionit.

“Këtë javë, gjashtë ambasadorë të BE i thanë Tiranës se ajo duhet të jetë më serioze në luftën kundër korrupsionit”, – raporton “Reuters”.

Ndërsa televizioni publik në Maqedoni transmeton se, “komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje liderëve politikë shqiptarë që të gjejnë një zgjidhje për këtë krizë politike, sepse për shkak të bojkotit të opozitës implementimi i reformave është i ngadaltë dhe Shqipëria u la jashtë paketës së vendeve që përfituan liberalizimin e vizave.”

***

Një tjetër moment që është nënvizuar shpesh nga mediet e huaja është dhe kërkesa e opozitës për hapjen e kutive, por dhe për zgjedhje të reja parlamentare.

“Disa dhjetëra-mijëra simpatizantë të opozitës socialiste shqiptare nisën të premten në mbrëmje një valë protestash për të kërkuar nga qeveria rinumërimin e votave të kontestuara të 28 qershorit ose që të organizohen zgjedhje të reja”, – shkruan francezja “L’Express”.

Por në fund këto medie shprehin dhe shqetësim se kryeministri aktual është i prerë për të mos hapur kutitë, duke deklaruar se as në qiell dhe as në tokë nuk do të ndodhë një gjë e tillë.