Si mori bashkëjetuesi i Vokshit eksluzivitetin e naftës

0
72

Erjon Braçe, 01.11.2010

Dokumentet sekrete të qeverisë për negociatat me firmën kanadeze. Si ndryshoi mendje Albpetroli dhe roli i këshilltarëve të kryeministrit Berisha në dhënien e koncesionit

Deputeti Socialist Erjon Braçe ka publikuar dje dokumentet dhe korrespondencën sekrete me institucionet shtetërore në lidhje me koncesionin e katër prej vendburimeve të naftës në vend. Në këto dokumente tregohet se si u negociua marrëveshja me firmën kanadeze ku aksionet dhe përfaqësues është bashkëjetuesi i deputetes së PD-së, Albana Vokshi.

Në atë kohë Vokshi ishte këshilltare e kryeministrit Berisha dhe një nga personat që ka ndikuar në vendimmarrjen e Albpetrolit, rast ky në konflikt interesi por edhe i ndëshkueshëm nga Kodi Penal.

Kompania shtetërore “ALBPETROL”, nën administrimin e Ministrisë së Ekonomisë në qeverinë e Kryeministrit Sali Berisha, ka marrë “ekskluzivitetin në negocime” për arritjen e një marrëveshje vlerësimi, zhvillimi e shfrytëzimi të katër ndër gjashtë vendburimet e naftës e gazit në Jug të vendit!

ALBPETROL e ka marrë këtë vendim pa e mbështetur në ndonjë ligj a rregull në fuqi! Madje pa ju referuar qoftë edhe ndonjë precedenti të mëparshëm. Gjithçka ka ndodhur në një kohë shumë të shkurtër, por me miratimin e Ministrisë përgjegjëse, Ministrisë së Ekonomisë.

Vendimi i marrë ka shpërfillur ofertat e tre kompanive të tjera, të cilat nuk janë analizuar , nuk janë pritur të mbërrijnë pranë zyrtarëve përgjegjës së ALBPETROL apo nuk janë marrë fare në shqyrtim kur ato kanë mbërritur.

“Ekskluziviteti” dhënë për një periudhë të gjatë, nga 6 muaj deri në 1 vit, ka favorizuar dukshëm kompaninë STREAM PETROLEUM dhe ka penalizuar “interesin publik” i lidhur ngushtë me përgjegjshmërinë administrative të zyrtarëve dhe garantuar nga konkurrenca e domosdoshme në sektorë të tillë.

ALBPETROL, pas lejes së marrë në Ministrinë e Ekonomisë, ka paracaktuar kompaninë STREAM PETROLEUM për të arritur në marrëveshje për katër vendburime nafte e gazi! Ky vendim i njëanshëm, i pa mbështetur në ligj e rregull ka refuzuar administrativisht ofertat e SAXON, HELLENIC PETROLEUM, BANKERS PETROLEUM.

Vendimi i qëllimshëm është marrë në një mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë ALBPETROL, autoriteti ku ishte deleguar gjithë fuqia vendim marrëse e kompanisë. Vendimi është marrë në një kohë fare të shkurtër, të pa zakontë në praktika të tilla.

Vetëm 48 orë kanë mjaftuar që, pas takimit me “Doktor” Sotirios Kapotas- President i STREAM PETROLEUM, Këshilli Mbikëqyrës i ALBPETROL të miratojë dhënien e së drejtës ekskluzive për negociata. Ky është standardi shqiptar i klientelizmit dhe praktika banale e korrupsionit!

Historia

Janë dy dokumente, të cilat, publikohen sot për herë të parë, që përshkruajnë të gjithë radhën e veprimeve administrative të kryera dhe konsumojnë marrëdhënien e kompanisë shtetërore ALBPETROL me kompaninë e pa verifikuar në aktivitet STREAM PETROLEUM.
Të dy dokumentet janë të hollësishëm dhe i drejtohen Ministrit të Ekonomisë Genc Ruli dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Ato referojnë për veprimet e kryera, vizitat, bisedimet, negociata dhe vendimet e marra nga zyrtarët përgjegjës në ALBPETROL lidhur me interesin e madh, të shprehur të kompanisë “STREAM PETROLEUM”.

Dokument (1) , datë 04.09.2006, NR.3365 prot; titullohet: “INFORMACION SHUMË I HOLLËSISHËM MBI ECURINË E NEGOCIATAVE TË ALBPETROL SH.A ME PARTNERËT E HUAJ”; “ALBPETROL” i drejtohet KËSHILLIT MBIKQYRËS SË ALBPETROL SH.A; për dijeni Ministrit të Ekonomisë Genc Ruli dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Referencë në faqet 6 të dokumentit:

“Me kërkesë verbale të kompanisë “STREAM PETROLEUM”, më datë 13.04.2006 , në zyrat e “ALBPETROL” u zhvillua një takim me përfaqësuesit e kësaj kompanie me në krye Dr. Sotirios Kapotas, Chairman&CEO.

Më datën 03.05.2006 me nr.3050/1 dt. 26.04.2006, dërguar nga Ministria, mbërrin në ALBPETROL kërkesa e kësaj kompanie drejtuar Ministrit z. Genc Ruli për të hyrë në negociata në blloqet e kërkimit të Delvinës, Velcës, Panajasë dhe Dumresë e shoqëruar dhe me një program investimesh i ndarë në katër faza.

Në takimin e datës 13.04.2006, përfaqësuesit e kësaj kompanie parashtruan interesin e tyre për blloqet e kërkimit që ishin në juridiksionin e ALBPETROLIT si Delvina, Velca, Dumreja dhe Panajaja.

Përfaqësuesit e STREAM PETROLEUM u sqaruan se në këto momente tre blloqet dhe respektivisht Panajaja, Dumre dhe Velca ishin në negociata me ministrinë për kalimin e tyre në juridiksionin e A.K.H Tiranë dhe ne duhet të marrim miratimin e ministrisë për të hyrë në negociata”

Ky është prezantimi i parë i kompanisë STREAM PETROLEUM me administratën shqiptare. Por këto hapa shënojnë dhe hyrjen e STREAM, përmes interesit të shprehur, në industrinë e naftës në vend. Gjithnjë nga porta dhe nën rekomandimin e Ministrisë së Ekonomisë. Siç lexohet qartë në dokument, interesi fillestar i kompanisë ka qenë për vendburime krejt të tjera nga ato që një vit më pas kompania mori nën administrim!

Referencë në faqen 7 të Dokumentit:

“Më datën 17.04.2006 STREAM PETROLEUM dërgon kërkesën zyrtare për bashkëpunim e cila mbërrin tek ne më 22.04.2006, ku pasi na falënderon për pritjen e ngrohtë dhe takimin konstruktiv, kërkon ekskluzivitetin dhe konfidencialitetin e marrëveshjes deri në M-H finale të jetë miratuar.

Kërkon blerjen e paketave për katër blloqet e kërkimit të ALBPETROLIT si dhe shpreh interesin dhe për realizimin e një “joit venture” në të gjitha zonat e naftës dhe gazit nën pronësi të ALBPETROLIT.

Më 15.05.2006 me nr.1978 ne njoftuam zyrtarisht Ministrinë për këtë takim dhe njëkohësisht kërkuam lejen për të hyrë në negociata për këtë kompani.
Më 28.04.2006 STREAM PETROLEUM përsërit të njëjtën kërkesë të datës 07.04.2006 e cila mbërrin tek ne më 09.06.2006.

Më 05.06.2006 Ministri miraton kërkesën tonë për të hyrë në negociata me këtë kompani dhe njëkohësisht njofton kompaninë STREAM PETROLEUM për këtë miratim”

Pra siç lexohet qartë në dokument, kanë funksionuar dy linja paralele që kanë mbajtur marrëdhënien me STREAM, ajo e Ministrisë që ka pritur, përcjellë interesin dhe kërkesat e STREAM, më tej ka miratuar dhe urdhëruar negocimet me të dhe linja burokratike e zbatimit të urdhrave dhe materializimit administrativ të tyre në ALBPETROL.

Gjithsesi, deri në këtë fazë interesi i STREAM mbetet për 4 blloqe të ndryshme nga ato që ajo merr më pas.

Referencë në faqen 7,8 të dokumentit:

“Më 19.06.2006 mbërrin tek ne një draft marrëveshje Konfidencialiteti dhe Ekskluziviteti përgatitur nga STREAM PETROLEUM e cila kërkohet të firmoset para negocimeve për marrëveshjen finale për katër Blloqet e kërkimit.

ALBPETROLI, mbasi studioi draftin e paraqitur dhe kërkesën e STREAM më 27.06.2006, me nr. 2591 e sqaron atë si më poshtë: “Bazuar në praktikat tona të mëparshme dhe në termat e ligjit Hidrokarbur (kërkimi dhe prodhimi) para fillimit të negociatave me ndonjë kompani të huaj në përgatisim dhe nënshkruajmë vetëm marrëveshje konfidencialiteti e cila do të jetë në dispozicion të një kompanie, me një objektiv për të nënshkruar një kontratë finale.

Gjatë kësaj ne japim informacion rreth vendburimeve të naftës dhe gazit që janë në administrim të ALBPETROLIT cilësdo kompani të interesuar….

Në lidhje me termin Ekskluzivitet ne konfirmojmë që ai është objekt i një marrëveshjeje hidrokarbure dhe vetëm pas kësaj kompania fiton gjithë të drejtat të kërkojë dhe zhvillojë vendburimin e naftës dhe gazit për të cilin është nënshkruar marrëveshja”

Më datën 07.08.2006 vjen në ALBPETROL kërkesa “për të drejtën ekskluzive për të negociuar në zonat ku ne jemi të interesuar për një periudhë prej 1 viti”, për të cilën ne i kishim sqaruar më parë përfaqësuesit e STREAM PETROLEUM me tonën nr.2591 prot, datë 27.06.2006 pasi për këto vendburime kanë shprehur interes dhe kompani të tjera.(bëhet fjalë për 3 vendburimet e tjera që mori më pas)”.

Pra siç lexohet qartë në dokumente, deri në këtë moment ALBPETROL, më qartë drejtori i saj, i reziston ligjërisht kërkesës së “STREAM” për të pasur ekskluzivitetin në negocime! Siç referohet drejtë në ligj, Drejtori kundërshton ekskluzivitetin duke arsyetuar se vetëm pas arritjes së një marrëveshjeje hidrokarbure kompanisë i jepet e drejta ekskluzive e kërkimit dhe shfrytëzimit në zonën nën marrëveshje!

Asnjëherë në negociata! Por rezistenca nuk zgjat shumë. Siç do të shohim më pas, ALBPETROL reziston vetëm pak ditë.

Referencë në faqen 7 të dokumentit:

“Më 28.06.2006 “STREAM PETROLEUM” përgatit kërkesën për marrjen e paketave të Delvinës, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul, Kuçova dhe Amonica, bie dakord me draftin e përgatitur prej nesh, i nënshkruan ato dhe mbërrijnë në “ALBPETROL” me 04.07.2006 dhe po këtë ditë firmosen nga ana jonë.

“ALBPETROLI” i përgatiti paketat brenda muajit korrik, ia dorëzoi përfaqësuesve të “STREAM PETROLEUM”.

Më 14.07.2006 për paketën e Delvinës dhe më 24.08.2006 për tre paketat e vendburimeve , Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul, bëhet pagesa nga STREAM PETROLEUM në llogarinë e ALBPETROL”.

Pra siç lexohet qartë në dokument vetëm në korrik të vitit 2006, interesi i STREAM ndryshon në drejtim të 3 vendburimeve të reja, që nuk ishin kërkuar më parë prej saj. Vendburime, për të cilat kishte interes të shprehur dhe konkurrencë nga 3 kompani të tjera. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja që deri në këtë moment, “ALBPETROL” refuzon të japë ekskluzivitetin në negocime kompanisë “STREAM PETROLEUM”.

Dokument (2) , datë 13.09.2006, NR.3493 prot; titullohet: “INFORMACION MBI ECURINË E NEGOCIMEVE ME KOMPANINË STREAM PETROLEUM LTD”;ALBPETROL i drejtohet Ministrit të Ekonomisë Genc Ruli dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Referencë në faqen 2, të dokumentit:

“Veç informimeve të reflektuara në dokumentet e përmendura më sipër, drejtoria e “ALBPETROL” më datë 06.09.2006 mori në shqyrtim materialin e përgatitur nga Departamenti i Marrëveshjeve Hidrokarbure me subjekt “Relacion mbi dhënien e të drejtës ekskluzive për negocime kompanive të huaja për bllokun Delvinë” dhe vendosi që:

“ti jepet ekskluziviteti për negocime deri në 1 vit kompanisë “STREAM PETROLEUM” për vendburimin Delvina për këto arsye:

– ka qenë më e interesuar për bashkëpunimin më shume se çdo kompani tjetër
– ka bërë kërkesë në “ALBPETROL” dhe “METE” jo vetëm për vendburimin e Delvinës, por edhe për vendburime të tjera të “ALBPETROL”

– ka blerë paketën e të dhënave për vendburimet Delvinë, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul

– investimet e parashikuara nga kjo kompani për fazën e parë janë më të larta se çdo kompani tjetër qe ka aplikuar për Delvinën deri tani.

– “STREAM PETROLEUM” është një kompani me nivel perëndimor dhe ka një staf të përgatitur në fushën e operacioneve hidrokarbure dhe eksperiencë të gjerë në shumë vende të botës.

– Kjo kompani ka kërkuar ekskluzivitetin dhe është e gatshme për vazhdimin e negocimeve për vendburimin Delvina, ndërsa kompania “HELLENIC PETROLEUM” nuk ka paraqitur propozimet brenda datës 25.08.2006, datë e cila ishte afati i fundit i njoftuar nga “ALBPETROL” për paraqitjen e propozimeve”.

Pra siç mund të lexohet qartë në dokument, kriteret në bazë të të cilave “ALBPETROL” vendos të shkelë ligjin-treguar në disa shkresa si pengesë për dhënie ekskluziviteti-dhe dhënien e ekskluzivitetit për negocime kompanisë “STREAM”, janë fare banale dhe kontradiktore.

“ALBPETROL” thotë se i jep ekskluzivitetin kompanisë “STREAM” për shkak se ajo ofron investime më shumë se çdo kompani tjetër e interesuar. Siç vetë “ALBPETROL” njofton kompania tjetër e interesuar ishte “HELLENIC” e cila, po siç pohon “ALBPETROL”, nuk ka paraqitur në afatin e pa logjikshëm përcaktuar qëllimisht nga ALBPETROL ofertën e saj!!!!!!!

Referencë në faqen 2,3 të dokumentit:
“Më datën 07.09.2006 pranë zyrave të “ALBPETROL” u organizua një takim me përfaqësues të “STREAM” nën drejtimin e Dr. Sotirios Kapotas, President&CEO dhe ekipit të “ALBPETROL” nën drejtimin e Prof. Dok Ilia Fili Drejtor i Përgjithshëm.

Në takim përfaqësuesve të “STREAM PETROLEUM” iu dorëzua zyrtarisht vendimi i Drejtorisë së “ALBPETROL” Prot.3044, nr 255 datë 06.09.2006 mbi fitimin e së drejtës ekskluzive për negocime për vendburimin e Delvinës me shënimin që ai do të marrë fuqi të plotë ligjore pasi të analizohet dhe miratohet në Këshillin Mbikëqyrës dhe pas miratimit do të njoftohet menjëherë STREAM, AKBN dhe METE”.

Pra siç lexohet qartë në dokument, drejtoria e “ALBPETROL” e mori vendimin vetëm pak orë para takimit me STREAM dhe dr. Kapotas duke thelluar dyshimet se ngutja në paligjshmërinë e dhënies së ekskluzivitetit në negocime kishte takimin si arsye! Megjithatë bëhet e qartë në dokument se Këshilli Mbikëqyrës kishte gjithë autoritetin të vendoste mbi vendimin e drejtorisë së “ALBPETROL”.

Referencë në faqen 3,4 të dokumentit:

“STREAM PETROLEUM” përsëriti kërkesën në lidhje me ekskluzivitetin e negocimeve për vendburimet gëlqerore Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul për të cilat ai dorëzoi dhe një draft të Termave Bazë për të tre vendburimet së bashku dhe nga ana jonë iu kërkua që propozimet të bëhen për çdo vendburim veçmas në përputhje me praktikat tona zyrtare dhe që u mirëprit nga përfaqësuesit e ‘STREAM”.

Përgjigjja jonë për ekskluzivitetin e negocimeve për vendburimet Karbonatike ishte se për to është interesuar edhe kompania “SAXON” e cila ka blerë paketat e të dhënave të informimit rreth tyre. Për këtë problem ne kemi informuar gjerësisht Këshillin Mbikëqyrës me shkresë prot.427, date 07.09.2006 ku i propozojmë dy opsione:
– të vendoset një afat për të pritur kërkesën zyrtare të “SAXON” (afat i cili konfirmohet nga “SAXON” se është fillimi i vitit 2007)

– ti jepet e drejta ekskluzive “STREAM PETROLEUM” e cila është e gatshme që të fillojë menjëherë bashkëpunimin

“ALBPETROLI” i jep prioritet variantit të dhënies së të drejtës për negocime “STREAM PETROLEUM” pasi e konsideron humbje kohe dhe jo në interesin e tij ekonomik pritjen deri sa të bëjë një vlerësim të vendburimeve “SAXON”.

Pra siç lexohet qartë në dokument, drejtoria e “ALBPETROL”, pritjen e një oferte konkurruese me “STREAM”, nga kompania “SAXON” e quan “humbje kohe”! Madje e skalit si kriter se përse kompanisë “STREAM” duhet t’i jepet ekskluziviteti i negocimeve edhe për tre vendburime të tjera kombëtare, tashmë në naftë.

Papërgjegjshmëria arrin kulmin dhe ka një kosto të madhe në momentin kur “STREAM” paraqet “Planet e Zhvillimit” të vlerësuar si të pa pranueshme nga oponenca shkencore e Universitetit të Tiranës.

Referencë në faqen 4 të dokumentit:

“Vendimi dhe propozimi ynë i mësipërm, për dhënie ekskluziviteti për vendburimin e Delvinës kompanisë “STREAM PETROLEUM” për një vit dhe opsionet për vendburimet gëlqerore Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul u diskutuan në Mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës datë 11.07.2006. Këshilli Mbikëqyrës pasi analizoi ato me vendim Nr.42 datë 11.09.2006 vendosi që:

– të aprovojë vendimin e drejtorisë së “ALBPETROL”, Prot. 3044, Nr 255 datë 06.09.2006 për t’i dhënë të drejtën e ekskluzivitetit për negocime “STREAM PETROLEUM” për 1 vit për vendburimin e Delvinës
– Ti japë të drejtën e ekskluzivitetit të negocimeve për vendburimet Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul “STREAM PETROLEUM” për 6 muaj”.

Kaq thonë dy dokumentet! Dhe është mjaft për të gjykuar mbi papërgjegjshmërinë në administrimin e burimeve kombëtare në naftë e gaz. Natyrisht duke kryer e konsumuar deri në fund faj penal.

Në dokumente nuk thuhet se cila qe arsyeja ligjore që e shtyu “ALBPETROL”, Ministrinë e Ekonomisë, qeverinë e Sali Berishës të vendosin dhe miratojnë “Ekskluzivitetin” në negocime për katër vendburime nafte e gazi, kompanisë “STREAM PETROLEUM”. “ALBPETROL”, vetë në dokumente zyrtare thotë që arsye ligjore nuk ka! Atëherë?
Zgjedhja e autoriteteve zyrtare, administrative e politike, nuk u inspirua nga interesi publik.

Në rastin më të mirë u stimulua nga klienti përfitues! Pikërisht kjo zgjedhje përjashtoi mundësinë për një marrëveshje zhvillimi të këtyre vendburimeve më të mirë se sa ajo që oponenca shkencore e Universitetit të Tiranës do ta quante si “të pa pranueshme”.

Ky është vlerësimi i fundit. Pra tij, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore do ta tregonte si një ofertë më pak të favorshme se sa ajo e kompanisë kanadeze “BANKERS”, oferta e së cilës as u mor parasysh nga “ALBPETROL”!

Në këtë fazë të dokumentimit të skandalit ajo që e kthen atë në faj penal duke implikuar politikanë si vendimmarrës në të, ka të bëjë me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të “ALBPETROL”. Vini re: Këshilli Mbikëqyrës vendosi brenda 48 orëve, me një nxitim të pa arsyeshëm, duke mos u referuar në asnjë ligj, ekskluzivitetin në negociata të kompanisë “STREAM PETROLEUM”.

Nëse në rastin e vendburimit të Delvinës kishte një vendim të Drejtorisë së “ALBPETROL”, në rastin e tre vendburimeve të naftës, ky vendim, formalisht, nuk ekzistonte.

Këshilli Mbikëqyrës vendosi në Shtator 2006 dhe në atë vit, por edhe një vit më pas ka qenë i populluar me këshilltarë të sferave të ndryshme të Kryeministrit Berisha. Zyrtarisht, në Tiranë, prezenca e tyre në këtë Këshill justifikohej me plotësimin e rrogës me qëllim arritjen e saj në nivelin e përshtatshëm me shkollimin e tyre.

Por nuk paska qenë tamam kështu. Të paktën dy këshilltarë të Sali Berishës kanë qenë anëtarë të Këshillit vendimmarrës dhe prezenca e tyre është përdorur për të deleguar vullnet politik! Njëri prej këshilltarëve të Sali Berishës ishte deputetja aktuale Albana Vokshi, partnerja në një bashkëjetesë të lumtur e njërit prej drejtorëve ekzekutiv dhe aksioner në kompaninë “STREAM OIL&GAS”.