1996 & 2009

0
42

Skënder Minxhozi

Nga Skënder Minxhozi

Çfarë mund të bësh në 13 vjet?! Sa e gjatë apo e shkurtër është kjo periudhë kohore për njeriun? Jeta njerëzore, e trazuar dhe e brishtë, mund të kryejë jo pak rrugë, jo pak punë të mira a të këqija në harkun kohor të 13 vjetëve. Mund të mbarosh një shkollë a të ndërrosh një shtëpi, të udhëtosh apo të lexosh, të ngresh një biznes ose ta shkatërrosh atë, të martohesh, divorcohesh, sëmuresh dhe shërohesh. Ka kohë mjaftueshëm për të kuptuar nëse ke një të ardhme apo nëse po e harxhon kohën kot. Nëse konceptin e zgjerojmë duke e vendosur në kontekstin e gjerë të një shoqërie, mund të thuhet se në 13 vjet një vend ka mundësi të kryejë shumë rrugë.

Mund të ndërtojë bazat e një shteti, të zhvillojë ekonominë dhe të përsosë ligjet e standardet. Shqipëria i ka pasur 13 vjet, madje më tepër se 13 vjet, në rrugën e saj të re, pas rënies së komunizmit. Në dritaren kohore 1996-2009 (që po e marrim në mënyrë konvencionale në analizë), vendi ynë ka marrë në dorë dhe ka hedhur tutje shumë karta dhe shanse për të bërë diçka më të mirë sesa kjo që na rrethon sot. Më konkretisht, klasa e tij politike, përgjegjësja kryesore e ritmit, cilësisë dhe transparencës së reformave që do të ndajnë me të shkuarën, ka djegur dhe po vazhdon të djegë pa pushim mundësi dhe kohë të vyer në dispozicion, për t’i dhënë formë Shqipërisë moderne.

Në 13 vjetët e fundit, nga viti 1996 (paradhoma e vitit të mbrapshtë 1997), duket se Shqipëria ka vijuar të vuajë sëmundjet e saj prej demokracie “foshnjore”. Shtet i dobët, korrupsion i përhapur në të gjitha katet e qeverisjes qendrore e lokale, zgjedhje të trukuara, klientelizëm e nepotizëm dhe arbitraritet politik që shkel ligjin dhe dhunon pavarësinë e institucioneve. Në këtë rrafsh duket sikur një trajektore e padukshme i bashkon dy skajet e kësaj periudhe 1996-2009. Duket sikur, përtej shumë ndryshimeve të kuptueshme, përtej një transformimi që ka prekur më shumë Tiranën dhe më pak periferinë, Shqipëria vazhdon të ecë në të njëjtat shina të ndryshkura, si ato të kohës kur kishim vetëm një televizion shtetëror, kur dritat iknin orë e çast dhe kur celularët e interneti ishin një luks që shumëkush nuk i njihte.

Edhe në 1996 flitej për zgjedhje të trukuara. Madje jo për një, por për dy procese elektorale. Në maj 1996 u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme, të cilat na kanë lënë pas, jo vetëm shifrat e kontestuara, por edhe dhunën absurde të policisë mbi turmën e ndrojtur të opozitën në sheshin “Skënderbej”, shoqëruar me marrje peng opozitarësh nëpër makina apo thyerje dhëmbësh në qelitë e komisariateve të Tiranës. Siç e kujton shumëkush, opozita u tërhoq nga procesi i votimit pasditen e 26 majit, kur kishin mbetur pak orë nga mbyllja e kutive.

Episode dhune, që kishin shoqëruar procesin gjatë gjithë paradites, i dhanë të kuptojnë socialistëve se zgjedhjet e kishin ndarë fatin e tyre. Ikja e komisionarëve të PS dhe partive të tjera të majta bëri që votat t’i numëronte qeveria. Mund të imagjinohet lehtë se ç’mund të bëjë një qeveri dhe një president si Sali Berisha në ato kushte. Zgjedhjet e majit 1996 i dhanë PD 122 deputetë, kurse PS vetëm dhjetë mandate. Mjaftojnë këto dy shifra për të kuptuar, sot, se sa të ndershme kanë qenë ato zgjedhje.

Pak muaj më vonë, në tetor, pasoi farsa. Pushteti lokal kaloi në duart e demokratëve edhe në Përmet e Skrapar. “Vala” blu ishte edhe më e madhe, pasi kësaj radhe opozita ishte larguar thuajse tërësisht nga fushata elektorale. Në sfond qëndronin kompanitë e fajdeve, të cilat sponsorizonin kandidatët e mazhorancës, me gjithë afrimin e kolapsit të piramidave, i cili pak muaj më vonë do të fuste në kaos dhe terror gjithë vendin.

E gjithë kjo sagë e shëmtuar elektorale të vjen ndërmend, kur sheh sesa i nxehtë është debati politik rreth zgjedhjeve në këtë vjeshtë të tretë të vitit 2009. Ashtu si atëherë, edhe sot opozita është majtas dhe shteti djathtas. Në krye të tij qëndron, si atëherë, sërish Berisha. Ashtu si më 1996, edhe sot kemi një opozitë të lodhur dhe të demotivuar. Pas zgjedhjeve të 26 majit 1996, shumëkush kujton se si fitorja e dhunshme e Berishës solli, veç të tjerash, një ndjenjë të përgjithshme apatie dhe pesimizmi në radhët e kundërshtarëve të tij politikë. Votimet lokale të tetorit ishin një shfaqje tragjikomike, ku demokratët fitonin si me magji edhe në qytetet periferike të njohura si bastione të së majtës.

Ishte një kohë, kur çdo gjë mund të ndodhte dhe kur askush nuk habitej. Diçka e ngjashme, natyrisht në një kontekst të ri dhe cilësisht të ndryshëm, po ndodh edhe sot. Parlamenti, e për pasojë e gjithë ngrehina e institucioneve, kanë mbetur pa kundërpalë. Opozita po mundohet të fryjë sheshet me njerëz të mërzitur, duke ia lënë kështu mejdanin e vendimmarrjes të lirë palës tjetër. Sot nuk kemi opozitë institucionale. Gjithçka propozohet dhe vendoset “brenda llojit”. Formalisht, por edhe realisht, ky është kolapsi perfekt i sistemit ose, e thënë ndryshe, instalimi i një tjetër formati, atij të partisë-shtet.

Opozita e dikurshme e vitit 1996 u rrah pa ndonjë shkak të prekshëm dy ditë pas zgjedhjeve të 26 majit. Ajo mundi në atë kohë të përfitojë vetëm nga sindroma e Berishës, për të prishur me duart e tij gjithçka, sa herë që ndjehet i fortë dhe fitues. Kjo sindromë mund ta avantazhojë sërish opozitën e sotme, pikërisht në momentin më të papritur dhe më të keq. Sot, ashtu si dje, qeverisja e Doktorit karakterizohet nga një dozë e konsiderueshme arbitrariteti dhe improvizimi. Rruga e Kukësit, trajtimi hermetik i aferave me sfond familjar, arroganca shtetërore, presioni i hapur mbi drejtësinë, rrahjet e gazetarëve nga biznesi afër tij, prekja e zgjedhjeve, incidente me ngjyrë korruptive si ai i Gërdecit – të gjitha këto janë gafa, gabime apo aksidente që po i ndodhin qeverisë së djathtë, në momentin kur ajo duhej parimisht të qeveriste më e qetë se kurrë.

Kriticienët e demonizimit të Berishës si figurë politike thonë se në fakt kemi të bëjmë me dy Berisha. Berishën e Parë, ish-presidentin idhnak që digjte gazeta dhe burgoste gazetarë, që trafikonte naftë drejt Millosheviçit dhe vidhte hapur zgjedhjet, dhe Berishën e Dytë, që fitoi në 2005 duke ftuar pranë vetes gjithë ish-themeluesit, që ideoi KOP-in, që hapi qeverisjen për fytyrat e reja dhe që futi vendin në NATO. Ndoshta të dyja qëndrimet kanë pjesë të vërtetës brenda tyre, por ajo që sot shihet para syve tanë, e që është në një pjesë të madhe pasoja e asaj që Berisha dhe partia e tij kanë bërë deri më sot, na sugjeron më shumë pesimizëm sesa optimizëm. Sepse, nëse ka ndryshuar shumë forma, nëse janë sofistikuar mesazhet dhe mënyrat e manipulimit politik, nuk ka ndryshuar dhe s’mund të ndryshojë thelbi i njeriut dhe i politikanit.

Berisha qeveris sot në kushte objektivisht të ndryshme nga Shqipëria e vitit 1996. Por kjo s’do të thotë që ai nuk rrezaton më të njëjtën frymë, të njëjtën filozofi politike që ka për synim grumbullimin e pushtetit, dëmtimin me të gjitha mjetet e mënyrat e kundërshtarit dhe korruptimin politik, si stil qeverisës. Qenia e këtij njeriu në krye të shtetit është fija lidhëse e dukshme apo e padukshme mes vitit të largët 1996 dhe asaj që jetojmë sot. Ajo Shqipëri e egër dhe “artizanale” është ende mes nesh, mjafton të kruash pak cipën e hollë të modernitetit që e mbulon. Aq sa një diplomat i lartë i huaj në Tiranë s’mundi ta mbajë veten para një grupi gazetarësh pak ditë më parë, kur u tha se “në Uashington, Stokholm dhe Bruksel, edhe kësaj radhe po thonë “Shqipëria e menderosi edhe këtë herë”. Fjalë të ashpra në kohë të ashpra.