Humbës pa dinjitet

0
43

Nga Kolec TRABOINI

Gazeta SOT, 31 gusht 2013 f. 17

Menjëherë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, pas gjithë atij tensioni ndër forcat politike, është krejt e natyrshme të vinte një kohe e qetë, një periudhë reflektimi si për protagonistët por edhe për ata që me votën e tyre vendosën rotacionin e pushtetit. Përkitazi kjo edhe me verën e nxehtë e nevojën për pushime, madje u ndje se shumë analistë në një farë mënyre heshtën. Tashmë kishte folur populli dhe çfardo që të shtoje do të ishte e tepërt sepse populli e kishte dhënë verdiktin i qetë dhe me mënçuri të madhe.

Eshtë e natyrshme gjithashtu që ata që u zgjodhën për të marrë në dorë pushtetin të mos flinin mbi dafina por të nisnin punën përgatitore sepse qeverisja është një përgjegjësi e madhe para elektoratit kështu që janë të justifikuara mbledhjet e konsultat e tyre, përgatitja e programeve dhe piketimi i qeverisë. Ndërkohë edhe në krahun e forcave politike që e humbën të drejtën të qeverisin me tej u kishte dashtë një perjudhë qetësie dhe reflektimi si dhe parapërgatitje për të kaluar në opozitë.

Elektorati në këtë rast nuk parapelqen vazhdimin e një konfrontimi në mes të forcave politike kundërshtare sepse mjaft energji është humbur, mjaft debate, polemika, akuza të ndërsjellta janë bërë gjatë fushatës parazgjedhore. Me atë çfarë kemi vërejtur duke jetuar jashtë si në Europë por veçmas në Amerikë, pas zgjedhjeve nuk ndjehet më nevoja e asnjë polemike në mes të forcave politike. Ka një marrveshje zotnillëku apo xhëntëllmënësh ku humbësi është i pari që i uron fitoren kundërshtarit dhe pas kësaj një heshtje dinjitoze dhe një largim plot takt nga skenat dhe mediat publike.

Në fund të fundit si fituesi ashtu edhe humbësi janë pjesë e së tërës, shoqëria bie në njëmëndësim me qeverisjen e re, kësisoj të gjithë i binden verdiktit të sovranit i cili flet një herë në katër vjet.
Po a ndodh kësisoj këtu tek ne. Çfarë u pa e çfarë u bë për më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Si u karakterizua kjo verë e nxehtë.Do të thosha e nxehtë nga klima e përvëluese nga politika.

E para gjë që vihet re është se ndërkohë që aleanca politike që fitoi e nisi me seriozitet duke bërë parapërgatitje, aleanca humbëse u hodh në një veprimtari më intensive se në periudhën e mëparshme e sikur të ishte fituese e jo ndryshe. Televizioni shtetror publik ( lexo servil qeveritar) vazhdoi të jepte çdo mëngjez mbledhjet e qeverisë sikur të ishte në kulmin e qeverisjes së vet. Të njëjtën gjë bënin edhe televizionet satelite por mjerisht e pasqyronin edhe ata që pretendojnë të jenë jashtë kthetrave të politikës. Pra publiku u ndodh përpara një propogande të shfrenuar sikur ato zgjedhje të mos ishin bërë e sikur verdikti që iu dha si humbës të mos kish ndodhur. Përveç pranisë vizive lodhëse dhe e merzitshme, qeveria humbëse nisi të nxjerrë vendime të njëpasnjëshme dhe në favor të partisë humbëse por edhe të miqëve e të tarafit të vet që e mbështetën për tetë vjet në pushtet.

Kjo darovitje e madhe është shprehja më e saktë e thelbit të qeverisjes për këtë periudhë të gjatë që solli shumë incidente, tundime e tragjedi në jetën e popullit. Një qeveri që ka në shpatull Gërdecin, që ka në shpatull jetën e 26 njerëzve të vrarë mizorisht, që ka në ndërgjegje vrasjen e katër qytetarëve përpara zyrave të Qeverisë, në sy të kryeministrit dhe ish ministrit të brëndshem( ky i fundit duhej të ishte në pranga), që ka një korrupsion të paparë në historinë e Shqipërisë, në vend që të heshtë a së paku të flasë duke i kërkuar falje popullit për bëmat gjëmtare, kthehet në të kundërt. Rrëmben nga pasuria kombëtare dhe i darovit këto pasuri si plaçkë në pazarin e hajdutëve partisë së vet apo dhe lakejve të vet.

Nuk ka ndonjë rast të ngjashëm në Europë e as në Amerikë. Kjo psikologji hajdutësh është e dënjë veç për njërëzit e hurit e të litarit, njerëz që nuk kanë kulturë por kanë zbritur nga shpellat dhe nuk njohin asnjë normë të civilizimit. E vërteta është se njeriu me emrin Sali Berisha, emri më i urryer në botën shqiptare sot, është bërë që fillimet e veta promotorri i shkatrrimit. Le të bëjnë një analizë ekonomistët dhe të na nxjerrin statistikat se çfarë industrie e zhvillimi kishte Shqipëria në vitin 1985 dhe çfarë ka sot. Të na nxjerrin se çfarë eksportonte Shqipëria në vitin që cituam e çfarë ka sot kur gjithçka importojmë madje edhe specat dhe perimet e tjera na vinë nga Maqedonia.

Me të drejtë një gjerman konstaton se ata kishin kënaqësi që më të hershmet domate të stinës që provonin ishin ato shqiptare. Me këtë nuk duam të tregojmë ndonjë prioritet të ati sistemi që vetë e shëmbem ( paçka se atributet i merr paradoksalisht vetëm Sali Berisha me disa ish-spiunë sigurimi), por se me shëmbjen e sistemit, disa për qëllime grabitje në mënyrë sistematike shkatrruan gjithçka që kishin ndërtuar me duart e veta punëtorët shqiptarë apo bujqit shqiptarë. Ndaj nuk është krejt e papritur kjo zhvatje e fundme që po bën qeverisja e mbrapsht berishiane sepse kështu e kanë nisur me shkatrrime e grabitje e po kështu duan ta bitisin.

Ky kryeministër i papërgjegjshëm, nga efekti i humbjes i kaluar deri në marrëzi, duke e ditur se Gjykata Kushtetuese e ka miratuar një referendum mbi importin e plehrave, ky nxjerr vendim për prurjen në Shqipëri të qindra tonelata plehra. Duke parë grabitjen e SHQUP-it, dhënien e koncensioneve në kundërshtim me ligjet, duke darovitur miqt e tij me pronat shtetrore, duke vjedhur çfarë gjen përpara, ndoshta Kuvendi i ri duhet të mendoje se çfarë duhet bërë në rastet kur një kryeministri i vendit ka shënja çmenduria si Sali Berisha i verës së vitit 2013.

Shënjat e çmendurisë së tij nuk janë vetëm vendimet arbitrare e plaçkitja e hapur e pasurive publike por edhe përçartjet e tij të përditëshme duke marrë nëpër gojë në mënyrën më banale ata që i fituan zgjedhjet por ende nuk e kanë marrë qeverisjen. Një urrejtje e tërbim i paparë ndaj kundërshtarëve politikë, epitete të panumërta, shprehje rrugaçësh deri në çoroditje me një kulmim kur i thotë kryeministrit të ardhshëm “Hitler”. Dhe shih, ai këto i flet nga karrikja e kryeministrit të Shqipërisë. I thotë kur ai që ka fituar zgjedhjet ende nuk është ulur në karrikën e kryeministrit.
Si një lukuni qenësh në lehje lëshohen edhe ata që i vinë pas ku spikat një kone e vogël po me lehje zemërake tinzare e disa të tjerë që as meritojnë të citohen se tashmë që shefi i tyre është humbës nuk janë veç hije.

Një qeveri që nuk ka kurajon të pranojë humbjen me qetësi dhe dinjitet, që lëshohet si e tërbuar ndaj fituesve dhe ndërkohë vjedh e plaçkit pa skrupull pasuritë e popullit të vet, tregon se ajo nuk ka qënë kurrë një qeveri por një bandë nën shëmbëllesën e Ali Babës e 40 hajdutëve e si të tillë populli i lodhur deri në raskapitje i zboi nga sytë këmbët.