Shikojeni si ikën për të kuptuar si ka qeverisur!

0
47

Nga Mero Baze, 31 Gusht 2013

Edhe sikur të mos ta dinim se çfarë donte Sali Berisha nga pushteti i tij, do na kishte mjaftuar mënyra si po ikën, për ta kuptuar. Mënyra se si Sali Berisha po dorëzon pushtetin, është një dëshmi e qartë se çfarë ka pritur dhe synuar ai nga pushteti. Prej 23 Qershorit, kur ai mori 1 milionë vota kundër nga shqiptarët, të gjitha veprimet e tij, janë një film me xhiro të shpejta e qeverisjes së tij tetëvjeçare dhe sundimit të tij 22 vjeçar në politikën shqiptare. Në fund të karrierës së tij të pakthyeshme politike, i qartë në moskthimin e tij, brenda tre muajsh ai ka ekspozuar para shqiptarëve gjithë veset e tij dhe ligësinë që ka motivuar pushtetin e tij.

Të gjithë ata që kishin dyshime për akuzat që Berishës i janë bërë se Familja e tij dirigjonte koncensionet publike dhe vendim-marrjen mbi to, u mjafton të shikojnë VKM e Berishës se si transferon kryetarin e ERE në nëpunës Hidrocentrali privat, që dëshmon se Berisha ishte pronar dhe i Agjencisë më të rëndësishme të Energjisë në vend dhe njëkohësisht dhe pronar pa letra i Hidrocentralit në fjalë. Nuk ka nevojë të gërmojmë më në letra e zyra noterie nëse ka aksione i biri apo e bija, nëse e ka mik apo armik Berisha atë që ndërton Hidrocentralin dhe atë që i ka dhënë licencën, pasi gjestet e tij tregojnë qartë se i ka pas të dyja të vetat.

Të gjithë ata që dyshojnë se Berisha ka qenë i ndershëm me tregun e naftës në Shqipëri, kanë rastin të shikojnë si ka vepruar muajt e fundit duke dhënë dhe fushat e fundit naftëmbajtëse për klientë privat të Familjes së tij, duke e shndërruar Albpetrolin, që do ta shiste 1 miliard dollarë, në copa letrash pa vlerë.

Të gjithë ata që dyshonin se Berisha nuk ka pasur synime të zaptojë hapësirat publike apo tokat në bregdet, të shikojnë aktet që pasojnë nxjerrjen nga inventari të rezidencave të pushimit në Plepa, që i hap rrugë kalimit në duar privatësh të paracaktuar të atyre pasurive.

Të gjithë ata që nuk besonin se biznesmenë të afërt të Berishës nuk favorizoheshin prej tij, le të shikojnë kush është partner i koncensionit të fundit të Portit të Durrësit në terminalin e pasagjerëve, që u dha po me nxitim.

Ata që mendonin se Sali Berisha është kryetar i një partie që respekton pronarët, le të shikojnë se si ai transferohet me dhunë tek një ndërtesë, trualli i së cilës i është kthyer pronarëve të ligjshëm, të cilët prisin të parablinin dhe godinën dhe tani zbohen prej andej si në kohë të Enver Hoxhës.

Për të kuptuar se Sali Berisha është i përfshirë i tëri në vrasjet e 21 Janarit, shikoni si u sollën gjykatësit e tij me dosjen e 21 Janarit pas humbjes në zgjedhje, duke e zhdukur fare nga Gjykata e Apelit.

Prej 23 Qershorit, të gjitha VKM e Berishës apo vendimet e tjera të qeverisë dhe ministrive, janë vendime që ekspozojnë thelbin e tyre plaçkitës, ligësinë e tyre ndaj vendit, meqë do të dorëzojnë pushtetin dhe një hakmarrje primitive ndaj shoqërisë dhe të ardhmes së saj, vetëm pse i ndëshkoi ata me votë.

Edhe sikur të kishte ndonjëri iluzion apo paqartësi përse akuzohej Sali Berisha, i mjafton të shikoj çfarë ai po bën publikisht pas 23 Qershorit, për t’u bindur se ato që janë thënë për të para 23 Qershorit kanë qenë shumë pak.

Me një ligësi prej një plaku të pashpresë në jetën e tij politike, ai ka zbuluar në këto tre muaj gjithë errësirën e karakterit të tij, shpirtin plaçkitës dhe zaptues, maninë për t’u pasuruar nga pushteti, përpjekjet për të lënë një tokë të djegur pas dhe gëzimin e lig se gjithë ky rrënim do t’i kushtojë shumë atyre që guxuan dhe e rrëzuan nga pushteti. Ai ka tre muaj që sillet si një kapobandë që përpiqet të shpërblejë me plaçkë bandën e vet, duke rrëmbyer çfarë mund nga Shqipëria.

Brenda këtyre tre muajve ai ka përsëritur filmin e qeverisjes tetëvjeçare, duke treguar me shpejtësi të gjithë fytyrat e veta, atë të plaçkitësit, vrasësit, zaptuesit, tribalizimit dhe diktatorit. Tranzicioni i dorëzimit të pushtetit prej tij, i është kthyer në një ëndërr të keqe, ku përditë i dalin para syve gjithë të zezat që ka bërë, dhe po nxiton ti përsërisë me shpejtësi.

Nëse do ishte i ndershëm, nëse nuk do kishte dorë ne koncensionet dhe pronat publike, nëse nuk do të kishte vrarë, nëse nuk do kishte frikë nga drejtësia, nëse do ishte një njeri që kishte dhënë kontribut për lirinë në këtë vend, pas 23 Qershorit, ai do sillej si njeri normal. Do merrte mbesat e nipat dhe do dilte të pinte kafe në qytet si një njeri i lirë, dhe do të dorëzonte pushtetin në mënyrë të qytetëruar. Por, e kaluara nuk e lë të iki si njeri i lirë dhe i nderuar. E kaluara po e ndëshkon, duke e detyruar të iki si pushtues. Vetem ata ikin duke djegur shtëpitë qe kishin pushtuar.